Aktualitet

Propozimi i Bashës, Rama: Konçesionet nuk anulohen, hajde ulemi në tryezë


               Publikuar në : 17:58 - 02/12/19 |
Al Do

Propozimit me tre pika të Lulzim Bashës për përballimin e krizës pas tërmetit, kryeministri Rama i është përgjigjur duke e ftuar sërish në tryezë edhe duke i kundërshtuar këto pika.

I pyetur mbi propozimin e Bashës, në një dalje për mediat Rama tha se këto propozime nuk duhet të bëhen si propozimet e reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi “zbato pikat ose hap krahun”, por sipas tij ato duhet të bëhen në një tryezë “pa parti”.

“Qenka lodhur po nejse…Do të ishte mirë që Lulzim Basha dhe forcat politike të mos i bëjnë propozimet si propozimet e reformës në drejtësi dhe reformës zgjedhore por të vijnë në tryezë, pa parti, se ktu sjemi duke bërë garë socialistët dhe demokratët por po bëjmë një garë me kohën dhe me të ardhmen që të ringrihemi më fortë.”

Basha tha sot se propozon një plan me tre pika për ti dhënë ndihmë njerëzve në nevojë. Këto tre pika ishin organizimi i 500 inxhinierëve për të përshpejtuar procesin e vlerësimit të banesave, vlerësimi dhe ndarja e banesave në të banueshme dhe të pabanueshme dhe anulimi i 150 milionë dollarë koncesione nga buxheti të cilat sipas Bashës do i shkojnë oligarkëve.

Rama tha se numri i inxhinierëve është një çështje që mund të diskutohet dhe shtoi se “nuk ka pasur në Shqipëri më shumë inxhinierë se sot.”

Sa i përket koncesioneve Rama tha se ato nuk do të anulohen sepse “nuk mund ta bëjmë këtë punë ti heqim njërit e ti japim tjetrit por do ti bëjmë të dyja”.

Kryeministri përmendi gjithashtu takimin me Presidentin Meta duke theksuar se ata janë në një konflikt të hapur por gjithsesi u ulën për të biseduar për gjendjen.

“Ne jemi në konflikt të hapur me Presidentin e Republikës, ai sot na thërret ne shkuam aty sikur s’ka ndodhur asgjë sepse ajo që ka ndodhur është asgjë në raport me çfarë i ka ndodhur të gjithëve.”, tha Rama. /Opinion.al

Pas