Nga 1 janari i vitit 2026, çdo qytetar do të ketë mundësinë të kryejë rivlerësimin e banesës së tij në bazë të çmimeve të reja të referencës, të publikuara tashmë për konsultim publik.
Sipas draftit të hedhur për konsultim nga qeveria propozues, kërkesa për rivlerësim mund të paraqitet pranë Agjencisë së Kadastrës, duke përfituar nga një normë e reduktuar tatimore prej 5%.
Çmimet e reja të referencës, të propozuara nga Financat, bazohen në analizat e transaksioneve të shitblerjes gjatë periudhës 2022–2024 dhe prekin 11 qarqe të vendit, përfshirë Durrësin, Fierin, Korçën dhe Vlorën. Ndarja e qyteteve në zona dhe përcaktimi i çmimeve është bërë sipas afërsisë me qendrat urbane, rrugët kryesore dhe zonat historike.
Vihet re një rritje e çmimeve të referencës në zonat turistike si Durrës dhe Vlorë. Në Durrës, çmimet variojnë sipas zonës nga 45 mijë deri në 200 mijë lekë për metër katror.
Në Vlorë, çmimin më të lartë e ka zona 1 në qytet me 140 mijë lekë, ndërsa ky çmim në Sazan llogaritet në 200 mijë lekë për metër katror. Ndërsa çmimi në Himarë në 5 zonat kadastrale varion nga 45 mijë deri në 140 mijë lekë për metër katror.
E vetmja bashki ku çmimet referuese nuk kanë ndryshuar është Bashkia Tiranë. Për kryeqytetin, do të vijojë të përdoret e njëjta skemë vlerësimi si më parë.
Ministria e Financave e argumenton këtë nismë me rritjen me mbi 23% të çmimeve të banesave vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2024. Me një kosto të ulët dhe procedura të qarta, projektligji synon të ndihmojë qytetarët të reflektojnë vlerën reale të pronave të tyre. Për qeverinë, ky reformim pritet të sjellë rritje në të ardhurat vendore dhe të përmirësojë drejtësinë në sistemin e taksimit të pasurive të paluajtshme.
Përvoja e mëparshme ka treguar një interes të lartë nga qytetarët për procesin e rivlerësimit, që solli mbi 254 mijë aplikime dhe të ardhura në buxhet mbi 23 miliardë lekë vetëm në tre fushatat e fundit.
Tv Klan