Aktualitet

Prokurori Maksim Sota: Ngatërresa e qëllimshme, e di kush fshihet pas


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:11 - 04/07/21 |
Opi Nion

Prokurori i Vlorës,  Maksim Sota, ka reaguar mbi dëshmitë e dhënë nga i penduari i drejtësisë, Donial Drolli në kuadër të operacionit antidrogë “Shpirti”. Ai ka mohuar të ketë lidhje me kreun e bandës kriminale Ilirjan Zaimin. Po ashtu Sota ka mohuar deklaratën e Drollit që Zaimi i ka paguar shtëpi me qera jashtë Shqipërisë ku ai qëndronte me bashkëshorten e fëmijët.

Në kërkesën mbrojtëse të dorëzuar këtë të dielë në GJKKO, prokurori Sota rendit të gjitha faktet që sipas tij vërtetojnë të kundërtën. Sota shprehet se kjo ngatërresë është e qëllimshme, arsyet e të cilave nuk preferon t’i bëjë të ditura momentalisht. Ai nënvizon se e di se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe kush fshihet pas kësaj situate.

Në përfundim të kërkesës, Sota kërkon nga Gjykata, revokimin e masës për sigurimin personal “arrest në shtëpi”, por theksojmë se sot GJKKO la në fuqi masën e kërkuar nga SPAK.

KËRKESA E MBROJTJES SË PROKURORIT MAKSIM SOTA PRANË GJKKO

Lënda: Parashtrime dhe Kërkesë për Revokimin e Masës së Sigurimit Personal;

Drejtuar: GJYKATËS SË POSAÇME TË SHKALLËS SË PARË PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
Gjyqtarit të Hetimeve Paraprake Irena GJOKA

Kërkues: Maksim SOTA, emri i babait Sokrat, emri i nënës Llamba, data e lindjes 10.01.1980, me adresë banimi dhe njoftimi Rruga e Bregut nr. 17, Njësia Administrative Krutje, 9006 Lushnje, mbrojtur nga avokat i zgjedhur Ardian VISHA, me adresë njoftimi Rruga Panorama, 1000 Tiranë;

Baza Ligjore: Neni 248/2 i Kodit të Proçedurës Penale; E nderuar Zonja Gjyqtare e Hetimeve Paraprake!

Unë Maksim SOTA, ushtroj detyrën e prokurorit në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë që prej datën 02.10.2006 dhe sot ndodhem para jush si person nën hetim ndaj të cilit është caktuar një masë sigurimi personal me karakter shtërngues Arrest në Shtëpi, parashikuar nga Neni 237 i Kodit të Proçedurës Penale, në kuadër të hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; Në datën 02.07.2021 jam njohur me vendimin nr. 45 data 30.06.2021, si dhe me pjesën arsyetuese të këtij vendimi, në të cilën janë arsyetuar provat në ngarkimin tim si person i marrë në hetim për kryerjen e veprës penale të Shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal;

Po në këtë datë, kam paraqitur menjëherë kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për pezullimin tim nga ushtrimi i detyrës së prokurorit, pasi kam konstatuar se jam subjekt i një proçedimi penal dhe këtë herë jo si prokuror, por si person nën hetim; Kam kërkuar pezullimin deri në sqarimin e plotë të kësaj çështje të krijuar ndaj meje dhe marrjen e një vendimi perfundimtar për të vërtetën e dyshimeve të ngritura ndaj meje;
E nderuar zonja gjyqtare! Kam lexuar me vëmëndje të gjithë vendimin e arsyetuar nr. 45 datë 30.06.2021 prej 129 faqe, në të cilin është shkruar dhe arsyetuar vetëm 1,5 faqe për provat në ngarkimin tim dhe arsyetimin se kam kryer veprime dhe mosveprime të paligjshme në ushtrim të detyrës time si prokuror, në lidhje me disa persona pjesëtar të një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike;

Në këto 1,5 faqe arsyetim, më rezulton se kam shpërdoruar detyrën time si prokuror, pasi dy prej pjesëtarëve të këtij grupi të strukturuar kriminal dhe konkretisht Donial DROLLI dhe Mariglen SHUSHA, në cilësinë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe statusit të personit të penduar, ka deklaruar se shtetasi Ilirjan DUÇELLARI Zaimi, i cilësuar si kreu i këtij grupi të strukturuar kriminal ka patur “lidhje” me mua dhe gjithashtu më ka paguar qeranë e shtëpisë ku qëndroja unë në qytetin e Vlorës; Në këto kushte, sipas arsyetimit të gjykatës, unë kam luajtur një rol thelbësor që grupi i strukturuar kriminal të ushtronte i qetë dhe i vendosur trafikimin e lëndëve narkotike që prej vitin 2014 e në vazhdim; Me këto veprime dhe prova të cilësuara në faqen 121 dhe 122 të vendimin nr. 45 datë 30.06.2021, unë në cilësinë e prokurorit kam krijuar premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të shtetit, me pasojë të drejtëpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale;

Kryerja e këtyre veprimeve nga ana ime, referuar arsyetimit të gjykatës, ka sjellë si pasojë; dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit, të cilat mund jenë materiale ose jo materiale; mosushtrimin në kushte specifike prej meje të përgjegjësive dhe detyrave respektive ligjore në cilësinë e prokurorit; aktivitet të qëndrueshëm kriminal të personit nën hetim Ilirjan DUÇELLARI Zaimi, në cilësinë e drejtuesit të grupit kriminal;

E nderuar zonja gjyqtare, nqs niveli i provës dhe të provuarit të një dyshimi të arsyeshëm është vendosur në këtë standard, i cili nuk mund të cilësohet as në standardin minimal të sanksionuar në Kodin e Proçedurës Penale, por shumë shumë herë më i ulët, atëherë duhen të meren në përgjegjësi penale më tepër se 2/3 e të gjithë shqiptarëve, përfshirë prokuror, gjyqtar, oficer policie apo politikanë, për njohjen që kanë me persona që më pas dalin se kanë qënë në hetim apo arrestohen në kuadër hetimesh të nisuara më parë në kohë;

Referuar dispozitave nr. 149 dhe 150 të ligjit proçedurial penal, në të cilat është sanksionuar kuptimi i provës dhe objekti i provave është parashikuar se;
Prova janë njoftimet mbi faktet e rrethanat që lidhen me veprën penale, që merren prej burimeve të parashikuara në ligjin proçedural penal, në përputhje me rregullat e caktuara prej tij dhe që shërbejnë për të vërtetuar kryerjen ose jo të veprës penale, pasojat e ardhura prej saj, fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit dhe shkallën e përgjegjësisë së tij; Janë objekt prove faktet që kanë lidhje me akuzën, fajësinë e të pandehurit, caktimin e masave të sigurimit, dënimin dhe përgjegjësinë civile, si dhe faktet nga të cilat varet zbatimi i normave proçedurale;

E nderuar zonja gjyqtare, pavarësisht këtij arsyetimi ligjor, dua të deklaroj dhe të ndalem në rrëzimin si të pavërteta të pretendimeve dhe dyshimeve lidhur me “lidhjen” time me këta persona nën hetim apo supozimit për qëndrimin tim në një banesë me qera të paguar nga ata dhe konkretisht; 1. E para ka një ndryshim të madh midis fjalëve “lidhje” dhe “njohje” midis dy apo disa personave; Në rast ekziston një lidhje, atëherë ka marrëdhënie reciproke në mënyra dhe forma të ndryshme midis këtyre personave, të cilat normalisht duhet të evidentoheshin në vendimin e gjykatës; Në rast se flasim për “njohje” midis dy apo disa personave, ka një ndryshim të rrënjësor me rastin e një lidhje midis tyre; 2. Lidhur me pretendimin e përdorimit/qëndrimit tim në një banese të paguar nga personat nën hetim deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se ky fakt është tërësisht i pavartetë dhe kjo për arsyet e mëposhtme;

– Unë kam lindur, rritur dhe jetoj/banoj në banesën time familjare të ndodhur në Fshatin Zhym të Njësisë Administrative Krutje Lushnje;
– Në qytetin e Vlorës nuk kam marrë ndonjëherë banesë me qera, me kontratë apo pa kontratë formale dhe as kam poseduar banesë të ndonjë prej personave të tjerë të përmendur apo jo në këtë këtë vendim, apo persona të tjerë të tretë;
– Që prej vitin 2010 kam qëndruar herë pas herë, sidomos në rastet e ditëve të gadishmërisë, por jo vetëm, në një apartament të blerë nga vëllai im Ilir SOTA dhe të përdorur edhe nga familjarët e mi (prindërit) në periudhat e verës;
– Këtë apartament dhe qëndrimin tim në të, e kam deklaruar edhe në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave që në vitin 2011-2012;
– Po kështu, këtë apartament vëllai e disponon edhe aktualisht dhe ndodhet në Hyrjen e Lagjes Plazhi i Vjetër, pranë Portit Detar Vlorë;
– Nqs këta persona kanë paguar qera tek vëllai im, për qëndrimin tim në këtë apartament, deklaroj se nuk jam në dijeni të këtij fakti dhe do të mbaj përgjegjësi ligjore nqs ky fakt qëndron i vërtetë;

E nderuar zonja gjyqtare, në këtë pikë kërkoj të informohem nëse është verifikuar në fashikullin e provave të dorëzuara para gjykatës se;

– Ku ndodhet ky apartament dhe në çfarë periudhe kohore kam qëndruar unë në këtë apartament;
– Cili ështe pronari apo poseduesi i tij dhe dëshmia nëse ka dijeni se unë kam jetuar në këtë apartament;
– Cili është administratori i këtij pallati dhe dëshmia e tij nëse ka dijeni që unë kam jetuar në këtë apartament dhe kush e ka kryer pagesën e taksave të administrimit;
– Kush e ka paguar qeranë dhe faturat e pagesës së këtij apartamenti, apo dëshmi të personave konkrete për pagesën me para në dorë dhe pa faturë;

E nderuar zonja gjyqtare, cila do të ishte arsyeja që unë të shkoja të qëndroja në një apartament tjetër, kur kam patur apartamentin e vëllait tim në qytetin e Vlorës ku qëndroja dhe qëndroj sa herë e vlerësoj të nevojshme;

Po kështu, dua të sqaroj më tej edhe faktin se;  Nga muaji gusht 2012 deri në 01.01.2015 unë nuk kam qënë në ushtrim të detyrës dhe as prezent fizikisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, vërtetuar kjo me të dhënat e sistemit TIMS apo me Lejet për shkëputje të përkohshme nga puna të miratuara ga Prokurori i Përgjithshëm; Po kështu, gjatë gjithë vitit 2015 kam qënë i komanduar në pozicionin e Këshilltarit Ligjor në Prokurorinë e Përgjithshme, provuar kjo me Urdhërat e komandimit të Prokurorit të Përgjithshëm; Referuar të dhënave të përshkruara në pjesën arsyetuese të vendimit gjyqësor, rezulton se aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike të këtyre personave ka filluar që në vitin 2014, ndërkohë që unë nga muaji gusht 2012 deri në dhjetor 2015 nuk kam qënë në ushtrim të detyrës së prokurorit në Prokuroninë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe as kam qëndruar fizikisht në qytetin e Vlorës; E gjithë kjo është ngatërresë e qëllishme dhe për qëllime që nuk mund t’i shpjegoj për momentin, pavarësisht se aktualisht jam shumë i qartë se çfarë ka ndodhur në realitet dhe kush janë personat që janë ngatërruar qëllimisht me personin tim; Deklaroj se për këto fakte kam dhënë shpjegime me shkrim dhe dorëzuar edhe prova shkresore para dy prokurorëve të hetimit të kësaj çështje, i pyetur si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa muaj më parë, të cilat nuk rezultojnë të jenë përmendur në asnjë paragraf të vendimit gjyqësor;

  1. Përsa i përket njohjes me personat e përmendur në vendim; Deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore dhe morale, se nuk njoh asnjë nga shtetasit e quajtur Donial DROLLI, Mariglen SHUSHA apo Elton HAMZA, të cilët kanë bërë deklarime në ngarkim tim për njohje me shtetasin Ilirian DUÇELLARI Zaimi; Këta shtetas nuk i njoh as si emra dhe as si persona nga karakteristikat fizike, Deklaroj se nuk kam patur asnjëherë njohje, lidhje apo kontakte në çfarëdo mënyre dhe forme me këta persona; Deklaroj se nuk kam patur asnjëherë udhëtime të përbashkëta apo për qëllime të përbashkëta, brenda apo për jashtë shtetit, me këta persona; Deklaroj me përgjegjesi të plotë se unë dhe familjarët e mi nuk kemi patur asnjë marrëdhënie financiare shit-blerje, huaje, huapërdorje apo marrëdhënie bisnesi me këta shtetas, brenda apo jashtë shtetit; Deklaroj me përgjigjësi të plotë ligjore se në funksionin tim si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, nuk kam patur në shqyrtim proçedime penale në të cilat të ketë qënë person nën hetim apo/ose të pandehur këta shtetas; Në lidhje me shtetasin Ilirian DUÇELLARI Zaimi, ashtu siç edhe kam deklaruar para prokurorisë, i pyetur për llogari të sqarimit të hetimeve të kësaj çështje penale, deklaroj se;

Shtetasin Ilirjan DUÇELLARI Zaimi e “njoh” vetëm si person dhe se nuk kam patur dhe as kam “lidhje”, shoqëri të ngushtë, miqësi apo krushqi të afërt me të, unë dhe familjarët e mi; Deklaroj me përgjigjesi të plotë ligjore dhe morale se njohja ime me këtë shtetas ka qënë rastësore dhe indirekte rreth viteve 2010-2011, nga një shok i imi i ngushtë që në vitet e Universitetit, i quajtur R.Xh, pasi ky i fundit dhe shtetasi Ilirjan Duçellari janë të dy me origjinë nga Skrapari dhe kishin njohje midis tyre; Deklaroj me përgjegjësi se këtë shtetas e kam takuar rrallë dhe jo vetëm për vetëm, për shkak se nuk kisha njohje të drejtëpërdrejtë me të, në një ambjent Lokal Bar Kafe e quajtur Kei Kafe në qytetin e Vlorës, të cilin e kam frekuentuar për të pirë kafe me shokët të mi, të quajtur R.Xh, K.B, M.F, R.E; Frekuentimi i këtij lokali nuk ka qënë i shpeshtë, por në ditë të caktuara kur unë qëndroja për të fjetur në qytetin e Vlorës (ditë gadishmërie) së bashku me shokët e mi që kam përmendur më sipër, të cilët edhe ata kanë qënë të punësuar në Vlorë, por me banim në qytetin e Tiranës; Deklaroj se kisha dijeni se ky lokal ishte në pronësi të shtetasit Ilirjan Duçellari Zaimi dhe dua të theksoj gjithashtu se ky lokal, ashtu si edhe unë apo shokët e mi, frekuentohej edhe nga persona të tjerë prokuror, gjyqtar apo punonjës policie, për shkak të cilësisë së ambjentit dhe kafes që shërbehej;

Frekuentimi i këtij lokali duhet të ketë qënë rreth viteve 2016 – 2018; Deklaroj se me shtetasin Ilirjan Duçellari Zaimi nuk kam patur asnjëherë udhëtime të përbashkëta apo për qëllime të përbashkëta, brenda apo për jashtë shtetit; Deklaroj se hera e fundit që unë e kam parë apo takuar jo drejtëpërdrejt shtetasin Ilirjan Zaimi, në mos gaboj, ka qënë rreth fundit të vitit 2018 dhe ka qënë gjithmonë kur kam qënë për kafe në ambjentet e Lokalit Kei Kafe;  Deklaroj me përgjegjesi të plotë se unë dhe familjarët e mi nuk kemi patur asnjë marrëdhënie financiare shit-blerje, huaje, huapërdorje apo marrëdhënie bisnesi me shtetasin Ilirjan Zaimi, brenda apo jashtë shtetit; Po kështu, deklaroj me përgjigjësi të plotë ligjore se në funksionin tim si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, nuk kam patur në shqyrtim proçedime penale në të cilat të ketë qënë person nën hetim apo/ose i pandehur shtetasi Ilirjan Zaimi dhe as familjarë të tij;  Deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se nuk kam patur ndonjëherë dijeni, se ky shtetas ka patur probleme me ligjin, përveçse kam dëgjuar dhe lexuar nga mediat se është arrestuar në vitin 2020;

  1. E nderuar zonja gjyqtare, ashtu siç referohet në pjesën arsyetuese të vendimit gjyqësor, aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike të këtij grupi të strukturuar kriminal ka filluar që prej vitin 2014, e dokumentuar kjo nga hetimet e kryera nga Autoritet e Drejtësisë Shqiptare, por edhe nga Autoritetet e Drejtësisë Italiane;
    Nga volumi i arsyetimit të vendimit dhe provave të përmendura në të, rezulton se janë kryer shumë veprime hetimore për dokumentimin e aktivitetit të paligjshëm dhe personave të përfshirë në këtë aktivitet;
    Duke qënë se roli i im i pretenduar nga ana e prokurorisë në këtë aktivitet të madh kriminal, ka qënë njohja dhe lidhja/marrëdhënia me personat nën hetim, dua të sqaroj se;
    – Në të gjithë volumin e hetimeve të shtrira në kohë që prej 2014 deri në 30.06.2021, datë kur është miratuar ky vendim gjyqësor, përgjimeve telefonike dhe vëzhgimeve të realizuara, komunikimeve elektronike apo takimeve personale të përgjuara, a do të kishte një përgjim të vetëm, një komunkimin të vetëm të përgjuar, një raport vëzhgimi të vetëm të fotografuar, një thirrje telefonike të vetme në tabulatet e këtyre shtetasve me numrat e mi të telefonit;

– Në të gjitha rastet e proçedimeve penale të hetuara që nga viti 2014, që janë përmendur në arsyetimin e vendimit të gjykatës, pushimin e hetimeve, pezullimin e hetimeve, rifillimin e hetimeve, sekuestrimin apo kthimin e mjeteve lundruese, a rezulton emri im si prokuror i ndonjërës prej tyre; Në të gjithë volumin e çështjeve penale që unë kam hetuar në Prokurorinë e Vlorës, do të ekzistonte një proçedim penal i hetuar nga ana ime ku përmenden dhe favorizuar këta shtetas; Do ishte pothuajse e pamundur të mos zbulohej një gjë e tillë, në rast se lidhja ime me këta persona paska qënë e një niveli të tillë që ka garantuar sigurinë e ushtrimit të aktivitetit të tyre kriminal, siç është arsyetuar në vendimin gjyqësor;

  1. Në lidhje me dëshmitë e dhëna nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, me statusin e të penduarit, dua të deklaroj se; Në pjesën arsyetuese të vendimit janë përmendur dëshmitë e ketyre shtetasve se Ilirjan DUÇELLARI Zaimi kishte lidhje me prokurorin Maksim SOTA dhe se ky i fundit ka patur dijeni se Ilirjan DUÇELLARI ishte trafikant i lëndëve narkotike; Njohjen me këtë person, por jo lidhjen, për aq sa kam shpjeguar, nuk e kam mohuar ndonjëherë, por çfarë lidhje kam unë se ky person paska qënë një trafikant i fshehur i lëndëve narkotike, në vëzhgim dhe hetim që prej 2014; Si u provua apo u lidh njohja ime me këtë shtetas nga dëshmitë e personave të penduar, pasi këto dëshmi nuk kanë në bazën e tyre asnjë provë, por mbeten në kuadrin e fjalëve;

Referuar dispozitës nr. 36/a/2 të Kodit të Proçedurës Penale, deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë vlerësohen sipas kritereve që përcakton paragrafi 3, i nenit 152, të këtij Kodi; Në referim të këtij parashikimi, në Nenin 152/2/3 është sanksionuar se ekzistenca e një fakti nuk mund të nxirret nga indicjet përveçse kur këto janë të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën; Deklarimet e bëra nga i bashkëpandehuri në të njëjtën vepër penale ose nga personi i marrë si i pandehur në një procedim që lidhet me të, vlerësohen në unitet me provat e tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tyre;
Cilat janë provat në rastin konkret që fjalët e personave të penduar, të cilën nuk i njoh fare dhe flasim për vlerësimet e tyre personale, lidhen apo konfirmojnë vërtetësinë e thënieve? Cili ka qënë interesi i këtyre personave pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal të përmendin emrin tim në këtë histori dhe përfitimi i tyre për këtë gjë;
E nderuar zonja gjyqtare!

Nqs unë kam patur këtë rol kaq thelbësor dhe të rëndësishëm në këtë grup kriminal, ashtu siç është arsyetuar në këtë vendim, atëherë kualifikimi ligjor i prokurorisë është i gabuar dhe se kualifikimi i saktë ligjor do të ishte si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal dhe trafikant i lëndëve narkotike dhe jo shpërdorim i detyrës si prokuror, pasi asgjë nga ato që janë thënë dhe shkruar në këtë vendim nuk lidhen me detyrën time si prokuror, pavarësisht faktit se janë tërësisht të pavërteta; Unë nuk kërkoj të fshihem nga asgjë dhe askush, por kërkoj vetëm të zbardhet e vërteta ime në këtë histori fjalësh, e cila po përdoret për arsye që vetëm me zbatimin e ligjit nuk ka lidhje;

Në konkluzion të këtyre parashtrimeve, si dhe në mbështetje të; – Nenit 228/1 të Kodit të Proçedurës Penale, në të cilin është sanksionuar se askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova;

– Nenit 248/2 të Kodit të Proçedurës Penale, në të cilin është sanksionuar e drejta dhe detyrimi ligjor i gjykatës që nëpërmjet marrjes në pyetje, të verifikohen kushtet dhe kriteret e caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit, të parashikuara nga Nenet 228, 229 dhe 230 të këtij Kodi; Kërkoj revokimin e masës së sigurimit personal Arrest në Shtëpi, parashikuar nga Neni 237 i Kodit të Proçedurës Penale, caktuar me vendimin nr. 45 data 30.06.2021; Duke ju falenderuar ! Maksim Sota

 

Pas