Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratës së zëdhënësit të presidentit, Ilir Meta, Tedi Blushi, i cili tha se presidenti ka bllokuar projektin Vlorë-Orikum pasi nuk janë respektuar procedurat kushtetuese dhe ligjore.
Përmes një statusi në Twitter, Rama thotë se ka pritur me durim e do presi edhe pak që Presidenti të lexojë sqarimet që i ka nisur.
“Ilir Meta thotë se realizimi i një projekti të hartuar prej kohësh për infrastrukturën turistike të Vlorës qenka “qëllim selektiv elektoral”, prandaj ai e mbaka bllokuar prej muajsh autorizimin formal për marrjen e financimit të siguruar nga Fondi Saudit! Të qash e të qeshësh!
Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën! Kam pritur me durim e do presim edhe pak që Ilir Meta të lexojë sqarimet që i kemi nisur, para se të flasim me Vlorën!”, shkruan Rama.
Më herët në deklaratën zyrtare të presidencës thuhej se Presidenti Meta është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës si dhe shpërdorimin e fondeve shtetërore për qëllime elektorale./Opinion.al