PARIS- Vajza që hodhi veten në erë teksa në banesën e saj mësyn policia në Saint Denis, nuk ka mbetur jashtë vemendjes së medias ndërkombëtare. Të gjitha sot shkruajnë për të duke sjellë detaje interesante nga jeta e një kamikazeje me shtetësi franceze dhe e shkolluar.
Hasna Aitboulahcen ishte 26 vjeçe, e lindur dhe rritur në Paris. Ajo ishte pronare e një ndërmarrje ndërtimi që nga viti 2012. Hasna jetonte në një “vrimë”, shtëpi me mure të bardha, e pamobiluar, vetëm me dysheke për të fjetur dhe armë…
Banesa ndodhej në katin e tretë të një ndërtese të vjetër në një prej lagjeve periferike të Parisit, Saint Denis. Ka rezultuar se ajo kishte kontakte me Belgjikën, Gjermaninë, Greqinë dhe Sirinë. Ishte ndërlidhësja e grupit dhe kushërira e Abdelhamiad Abaaoud “trurit” të sulmeve terroriste në Paris, që shkaktuan 129 viktima.
Ka dyshime nëse shërbimet inteligjente franceze ta kenë njohur më parë Hasnën. Ajo bënte një jetë të qetë, dhe ishte ambicioze në punë.
A fshihej ajo pas jetës së qetë në komunitetin që e rrethonte? Me siguri po. Megjithëatë, miq e të afërm të saj citohen nga mediat e huaja të jenë shprehur se ishte e gatshme të vdiste për Kalifatin.