Një profesor francez që vjen në Shqipërinë komuniste të drejtuar nga diktatori Hoxha. Është viti 1982 kur Jean Paul Champseix dhe bashkëshortja e tij vijnë në Tiranë dhe bëhen dy prej atyre pak të huajve që asokohe jetonin në kryeqytet.
Ai rrëfen në emisionin “Opinion” përvojën e tij, raportet dhe njohjen personale me Kadarenë, për të cilin së fundi ka shkruar edhe librin “Kadareja, një disidencë letrare”.
Në vitin ’90, Champseix botoi librin “Bulevardi Stalin Nr. 57”, që në fakt ishte adresa e tij në pallatin e diplomatëve, sot Bulevardit Zogu I.
Ky libër, në të cilin profesori tentonte të denonconte diktaturën, bëri bujë në Tiranë dhe filloi të lexohej me pjesë nga Zëri i Amerikës.
Por çfarë tregon profesori Champseix në intervistën e tij përballë gazetarit Blendi Fevziu?
“Na kishin thënë se kishim përgjues në apartament.
Kjo dihej. Na kishin thënë gjithashtu se studentët duhej të raportonin rregullisht se çfarë u thoshim ne gjatë leksioneve”, thotë ai ndër të tjera duke ju referuar kujtimeve të asaj kohe.
B.F. Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët në studion e “Opinion”-it.
Faleminderit.
B.F. Si shkoi udhëtimi për në Shqipëri?
Është kënaqësi të rikthehesh pas kaq vitesh në Shqipëri.
B.F. Vini shpesh në Shqipëri?
-Çdo 4 ose 5 vjet, në varësi të mundësive. Vëmë re ndryshimet, ngjashmëritë.
B.F. Besoj se Shqipëria e ditëve të sotme në krahasim me atë të vitit 1982 kur ju erdhët për here të parë, është krejt ndryshe.
-S’është e njëjta gjë. Kjo është më e pakta që mund të themi. Ishte e vështirë ta imagjinonim në vitin 1982, bashkë me gruan time, kur erdhëm të jepnim mësim për herë të parë në universitet.
B.F. Në vitin 1982. Menjëherë pas vdekjes së kryeministrit Mehmet Shehu.
-Po, pikërisht kështu.
B.F. Një moment shumë i vështirë për të qenë në Shqipëri.
Po, keni të drejtë, sepse po bëhej gati të niste një valë e re spastrimi. Shqiptarët ishin të lodhur. Kolegët tanë ishin të lodhur teksa shihnin se në vendet e tjera të Lindjes kishte lëvizje, në Poloni kishte filluar solidarizimi.
B.F. Kishte njëfarë disidence, kishte disidentë.
Në Shqipëri ishte krejt ndryshe. Në Shqipëri s’kishte disidencë, kishte trishtim dhe një varfëri që na bënte shumë përshtypje, sepse edhe pse ishim të huaj me para, s’kishte ndonjë gjë të madhe për të blerë. Edhe në dyqanin që gjoja ishte për diplomatët, s’kishte shumë mish, peshk s’kishte fare. Nuk vuanim nga obeziteti.
B.F. Pra, s’kishte as për diplomatët, jo vetëm për shqiptarët?
-Jo, as për diplomatët.
Unë kisha pak para…
B.F. Populli ishte harruar me thënë të vërtetën.
-Po flasim për diplomatët.Po. Meqë kisha ca para, blija tablo. Kam një koleksion me tablo shqiptare në vend që të blija thela mishi apo peshk. Por besoj se dola i fituar.
B.F. Po, sigurisht. Ju u kthyet në Shqipëri për librin tuaj mbi Kadarenë.
-Po.
B.F. Do t’ju pyes më pas për librin, por së pari dua të di si u ndjetë në Shqipëri? Si e zbuluat Shqipërinë në vitin 1982?
Mua dhe gruan time na emëruan në universitetin e Tiranës, sepse që prej viti 1967 kishte një marrëveshje…
B.F. -1967?
–Po. Ekzistonte një marrëveshje mes Francës dhe Shqipërisë…
B.F. Për të dërguar profesorë këtu?
–Dy profesorë vinin nga Franca në Tiranë dhe një shqiptar shkonte të jepte mësim në departamentin e Gjuhëve Orientale që tani njihet si INALCO, jepte mësim për gjuhën shqipe.
B.F. Në Francë?
-Në Francë.
B.F. Kush ju propozoi të vinit këtu?
-Ne kishim bërë kërkesë për në Itali, Greqi, Spanjë, Portugali…
B.F. -Rreth Mesdheut.
Po. Ministria na tha se kemi diçka për ju, është thuajse njësoj,
në Shqipëri.
B.F. Ku qëndronte ngjashmëria me Shqipërinë?
–Në fillim…
B.F. Çfarë përshtypjesh kishit ju mbi Shqipërinë në atë kohë?
-S’ia kishim shumë idenë, sepse Shqipëria ishte shtet shumë i mbyllur. Kishim disa ide tejet të vagëta. Ndodhi që ne mundëm të takonim profesorin që kishte qenë para nesh. Ai na tha se regjimi ishte shumë i ashpër, por shqiptarët ishin të këndshëm. Atëherë, ne thamë me vete pse jo. Edhe përbindëshi i kureshtjes bëri të vetën.
B.F. E patët të vështirë ta merrnit këtë vendim?
-Përbindëshi i kureshtjes…
B.F. -Ishte më i fortë.
-Menduam se ishte një rast i mirë për të njohur një vend shumë të mbyllur.
Pse jo?
B.F. –Erdhët në vitin 1982, në kulmin e luftës brenda partisë komuniste.
–Po.
B.F. Si erdhët? Në atë kohë, kishte një avion në javë.
Një nga kushtet e qëndrimi tonë ishte që të kishim një makinë. Erdhëm nga Bretanja në Tiranë me makinë. Kjo makinë na dha mundësinë të lëviznim dhe ta njihnim më mirë Shqipërinë.
B.F. Të vizitonit edhe qytetet e tjera.
–Po. Sigurisht që duhej të kishim një autorizim. Çdo herë.
B.F. Sa herë ju dilnit nga Tirana për të vizituar Durrësin, për shembull…
Jo për në Durrës.Atje mund të shkohej pa autorizim.
B.F. Tiranë-Durrës ishte pa autorizim?
Tiranë-Durrës mund shkohej pa autorizim.
Po ashtu edhe Kruja, por për të tjerat duhej…
B.F. Shkodra, Vlora, Pogradec.
-Duhej autorizim.Gjithmonë.
B.F. Kush jua lëshonte autorizimet?
-Regjimi nuk donte që ne të shkonim në polici, te Sigurimi…
B.F. Pra, të zgjoheshit në mëngjes dhe të shkonit ku të donit, nuk ishte e mundur?
–Jo, sigurisht që jo. Disa ditë para, i duhej bërë kërkesë universitetit dhe ishin disa profesorë që shkonin të merrnin dokumentet për ne.
B.F. Autorizimin për të lëvizur. Ju shoqëronte gjithmonë një shqiptar?
Jo. Jo, jo.
B.F. Ju ndiqnin?
Shumë rrallë.
B.F. Shumë rrallë.
Na ndoqën vetëm nje herë, sepse kishim dikë nga ambasada në makinë.
B.F. Pra, ndiqnin ambasadën si institucion, por jo profesorët.
–Pikërisht.
B.F. -E ndienit praninë e Sigurimit gjatë 8-të viteve që qëndruat në Shqipëri?
Po.Na kishin paralajmëruar. Na kishin thënë se kishim përgjues në apartament. Kjo dihej. a kishin thënë gjithashtu se studentët duhej të raportonin rregullisht se çfarë u thoshim ne gjatë leksioneve.
B.F. –Studentët?
-Po.
Ishin edhe dy njerëz të Sigurimit që vinin ndoshta çdo 15 ditë në universitet për të mbledhur këto raportime.
B.F. Patët ndonjë problem gjatë 8-të viteve me Sigurimin apo autoritetet shqiptare?
-Jo.
B.F. –Kurrë?
Jo, sepse besoj se na respektonin. Ne vetë e dinim se çfarë duhej të bënim dhe çfarë jo. Shqetësimi ynë ishte që të mos komprometonim shqiptarë, studentë, profesorë.
B.F. –Ju i dinit cilat mund të ishin pasojat.
Sigurisht.E dinim që…
E dini çfarë na bëri më shumë përshtypje kur erdhëm në Shqipëri? Frika. Njerëzit kishin frikë dhe kjo perceptohej. Një ditë, për shembull,
takuam në rrugë një kolege. Ishte një rrugicë e ngushtë. Takuam një kolege me dy fëmijët e saj. Ajo u zbeh.
B.F. Kolege shqiptare?
-Një kolege shqiptare.
Ajo u zbeh e tëra, dridhej.
B.F. -Kishte frikë?
–Kishte frikë.
B.F. Kishte frikë të fliste rastësisht në rrugë me ju?
Po, ashtu është.
B.F. –Sot, kjo është e paimagjinueshme.
Sigurisht që po. Në atë kohë do ta kishin pyetur: “Çne që u takove me të huaj? Kishit lënë takim? Çfarë kishe për t’u thënë? Të dhanë gjë?”
B.F. Pse u gjende atje, në atë orë, me fëmijët? Kishte gjithmonë një “Pse”.
-Po dhe ekzistonte gjithmonë një skenar paranojak.
B.F. Si ishte jeta në Shqipëri për shqiptarët në vitin 1982?
Nisur nga ç’mund të shihnim ne, s’ishte shumë e gëzuar. Jeta ishte më së shumti familjare, sepse besoj se brenda në familje njerëzit mund të flisnin më shumë, por na thoshin gjithashtu se duhej bërë kujdes me fëmijët, sepse mësuesit në shkollë mund t’u bënin pyetje. “Keni festuar ndonjë festë fetare? Keni mbajtur ramazan? E festuat Krishtlindjen?” Pra, ishte një shoqëri mosbesuese dhe gjithsecili duhej t’i masje mirë fjalët.
B.F. Si ishte jeta e komuniteteve të huaja në Shqipëri? E diplomatëve, e specialistëve të ndryshëm që ishin këtu? Sa ishin gjithsej?
-S’ishin shumë.
B.F. –Rreth 10?
Në ambasadën e Francës, për shembull, ishin rreth 15. Në total mund të ishin 15-20 ambasada, jo më shumë.
B.F. Kishte jetë në komunitet?
-Jo, aspak. Thuajse s’kishte asgjë. Vetëm ambasada e Francës shfaqte ndonjë film. Organizohej një kinoklub çdo 15 ditë. Vinte ndonjë ambasador. Kurse kinezët, një herë në vit, gjatë festës kombëtare, mjaftoheshin të na mundnin paq në ping-pong.
B.F. -Me 1 tetor.
Sepse ata ishin te hatashëm.
B.F. -Kaq ishte e gjitha?
-S’kishte asgjë.
B.F. –Si ishte jeta juaj këtu?
Jeta ime ishte në universitet.
B.F. -Asgjë tjetër?
Jo, sepse për më tepër… Për shembull, në ambasadë, njerëzit që ishin të mbyllur, me pak kontakte, vinte një cast që përjetonin një stres, nervozizëm, dhe thuajse kishin frikë të lëviznin në Shqipëri.
B.F. Keni ruajtur kontakte me ndonjë shqiptar që s’e kishit njohur nga puna? Që ishte më miqësor, më normal.
–Kontaktet e vetme që kemi pasur, janë studentë të guximshëm të cilët guxonin të rrinin pas mësimit. Ata rrinin pas mësimit dhe ne diskutonim…
B.F. Kjo duhet të ketë filluar pas vitit 1980. Në fillim ishte më e vështirë.
-Po, në fillim ishte shumë e vështirë.
B.F. Pas vdekjes së Hoxhës ndryshoi pak situata.
Ishte pak ndryshe, por edhe më përpara kishte ndonjë student që donte të mësonte, që donte të na bënte pyetje mbi Europën Perëndimore.
Sigurisht që ne s’bënim propagandë. U tregonim të vërtetën. Kjo u interesonte shumë, por duhej të tregoheshim të kujdesshëm. Ndodhi që na panë duke biseduar dhe unë e di që ata studentë u qortuan. Ekzistonte gjithmonë mundësia e një ndëshkimi në rast se teprohej.
B.F. Për gjërat që në Francë apo Europë konsideroheshin si normale, sa shanse kishte që t’i gjeje këtu? Për shembull, pjesë këmbimi për makinën tuaj, gjëra të tilla.
–Dëgjoni…
B.F. Sepse s’kishte asgjë.
–Jo.
Ne bëmë një aksident me makinë. Aksident me makinë në atë kohë… I saldonin.Salduan derën e bagazhit, kofanon. Nuk kishim mundësi të merrnim shumë gjëra me vete, veçse të porosisnim jashtë. Ishte një kompani suedeze që kishte një katalog për ushqimet.
B.F. –Për ushqime?
-Po dhe diplomatët bënin porosi.
B.F. –Kompani suedeze?
Po, një kompani suedeze që bënte transportin. Për të sjellë këtu ushqime.
-Po. Për të tjerat, këtu jetonim nën autokraci, përveç se kur shkonim në Jugosllavi.
B.F. –Ju lejohej të shkonit atje?
Po, na lejohej të hynim dhe të dilnim, por gjithmonë me atë autorizimin e famshëm.
B.F. -Me autorizim.
–Po, gjithmonë.
B.F. Si e përjetuat ndryshimin e Shqipërisë ditë pas dite? Ju kujtohet vdekja e Hoxhës?
-Hoxha vdiq në vitin 1985. Ne jetonim në një shoqëri shumë të mbyllur, të varfër. Me vdekjen e Hoxhës patëm shpresa. Shpresuam se me Ramiz Alinë, dhe shumë shqiptarë shpresonin se gjërat do të ndryshonin. U zhgënjyem tërësisht, por megjithatë pati njëfarë hapjeje të vogël, pak më shumë konsum. Pati madje edhe filma amerikanë. Pati disa filma “Western” me Spenser Trejsi.
B.F. Filluan, por në fund të viteve’80-të.
-Po, por megjithatë mund të quhej një hapje e vogël pavarësisht të gjithave, sepse nga ana politike dhe për sa i përket Sigurimit, mbikëqyrja vazhdonte të ishte ende e fortë.
B.F. –E patë ndryshimin e Shqipërisë në fund të vitit 1980?
1980?
B.F. -1989.
Në vitin 1988 kur ne u larguam, shoqëria kishte filluar të merrte frymë pak më lirshëm.
B.F. –Pse u larguat?
Ngaqë na ishin bërë gjashtë vjet.
B.F. -Kaq ju lejohej?
Jo, mund të rrinim edhe më gjatë. Duhej ta kishim bërë, sepse menjëherë më pas ndodhi ndryshimi, por s’ishim të bindur se gjërat do të ndryshonin aq shpejtme krizën e refugjatëve nëpër ambasada…
B.F. -Kjo valë erdhi nga Lindja, ishte si vazhdim i revolucioneve në të gjitha vendet komuniste, por në vetë Shqipërinë nuk ndryshoi gjë.
Ne nuk na e priste mendja një ndryshim kaq të shpejtë.
B.F. Në vitin 1990 publikuat librin “Bulevardi Stalin Nr.57”, i cili ishte i shquar. Më kujtohet se në atë kohë lexoheshin fragmente nga libri në radion “Zëri i Amerikës”. Ky libër bëri bujë mes shqiptarëve. Pse e shkruat këtë libër? Si reagoi ambasada shqiptare në Francë?
–E shkruam këtë libër bashkë me gruan time, sepse na dukej e nevojshme që të denonconim diktaturën, sepse nuk mendonim se ajo do të rrëzohej aq shpejt.
B.F. Dhe s’qenë të shumtë të huajt që kishin jetuar në Shqipëri.
Ne e kishim parë Shqipërinë dhe s’mund të largoheshim thjesht duke mbyllur derën pas nesh, duke thënë se kaq ishte, mbaroi. E shkruam këtë libër. Do të thosha gjithashtu se ky libër na ndihmoi të rezistonim në Shqipëri, sepse nisëm ta shkruanim që në fillim. Pra, filluam të shkruanim që në vitin 1982 dhe të shkruarit na lehtësonte nga njëfarë tensioni, nga njëfarë trishtimi. Menduam të shprehnim në mënyrën tone atë që përjetonim dhe atë që shihnim.
B.F. –T’u bënit të ditur atyre jashtë se si ishte jeta në Shqipëri.
–Sigurisht.
B.F. Në atë kohë, Shqipëria ishte në qendër të vëmendjes, sepse ishte shteti i vetëm ish-komunist që kishte mbetur ende i mbyllur dhe nën kontrollin e komunistëve. Pati një reagim nga ambasada shqiptare?
–Nga ambasada?
B.F. Nga ambasada e Shqipërisë në Francë?
–Sigurisht që po. Atyre s’u erdhi aspak mirë. Ambasada na ofendoi. Ekzistonte një organizëm në atë kohë,“Miqësitë franko-shqiptare”. Ata botuan një broshurë të vogël kundër nesh, ku shpreheshin se ne s’kishim parë asgjë, s’kishim kuptuar asgjë, se ajo e jona ishte antipati.
B.F. S’është e vërtetë?
–S’është e vërtetë, s’është. Sikur ne ndienim antipati për Shqipërinë.
B.F. Kur u kthyet në Shqipëri pas rënies së komunizmit?
Në cilin vit?
–Është pak ndryshe, sepse erdhën shumë studentë të na takonin, shumë profesorë.
B.F. Biseduat me ta?
–Po.
B.F. Çfarë thanë mbi marrëdhëniet e mëparshme?
Ata më shpjeguan. Po, po.Kuptova disa gjëra, sepse kishte mësues që ishin më të ngurtë se të tjerët. Ata më shpjeguan arsyen pse.
Sepse familjarë të tyre kishin qenë të deklasuar apo të kërcënuar.
B.F. Po, kishin pasur problem me biografinë e familjes.
-Po, probleme me biografinë. Aty e kuptuam si funksiononte sistemi shqiptar.
B.F. –Në atë çast i kuptuat të gjitha?
E kishim kuptuar pak më parë, sepse e kishim vënë re se ishte problemi i biografisë. Te “Dimri i madh” i Kadaresë, ai flet për çështjen e biografisë dhe për fotot ku nxiheshin fytyrat. Pra, ne e dinim në mënyrë abstrakte, por në atë çast e kuptuam më konkretisht nga njerëz që thoshin se kisha një vëlla të deklasuar ose babai im që kishte qenë mik me Hoxhën, u transferua në provincë. E kuptuam se ishte një vend ku s’mund të lëvizje. Disidenca qe vetëvrasje. S’kishe ç’bëje.
B.F. –Ishte e pamundur.
Ishte e pamundur.
B.F. -Ishte e pamundur. S’kishte asnjë mënyrë për të shprehur disidencën.
–Jo. Pikërisht.
B.F. –S’kishte asnjë mundësi.
–Pikërisht.
B.F. Të kthehemi te Kadareja. Kur e keni takuar për herë të parë?
–Hera e parë që takova Kadarenë duhet të ketë qenë në vitin 1983, në Ambasadën e Francës në Tiranë.
B.F. Gjatë pritjes për shkrimtarët që duhej të niseshin për në Francë.
–Që duhej të niseshin për në Francë.
B.F. Një grup, të cilit Kadareja e pati shumë të vështirë t’i bashkohej.
–E saktë.
Ambasadori i Francës më tha se u ishte dashur të ushtronin presion në qeverinë shqiptare që Kadareja të mund të nisej, sepse ata nuk donin që ai të nisej. Ambasadori u kishte thënë se
nëse zhvillojmë një bashkëbisedim me shkrimtarë shqiptarë dhe Kadareja s’është mes tyre,
ç’vlerë do të kishte.
B.F. Pra, kjo ishte hera e parë kur e takuat. Pati takime të shumta më pas?
Do të doja gjithashtu të shtoja se kjo më ndihmoi ta kuptoja më mirë veprën e Kadaresë. Vura re që Kadareja ishte i shqetësuar.
Vura re se Kadareja fliste pak. Rrinte në kolltukun e tij, nuk lëvizte.
B.F. Nuk shfaqte interes.
–Jo, dukej i shqetësuar.
I shqetësuar. Ai shkroi më vonë mbi këtë mbrëmje duke thënë se teksa shihte oxhakun, kishte menduar madje të vetëvritej.
B.F. -Sepse ishte koha kur filloi të mendonte për herë të parë që të largohej nga Shqipëria duke përfituar nga ky udhëtim për në Francë.
-E saktë.
B.F. Por ishte i shqetësuar për familjen, gruan dhe fëmijët, sepse e dinte mirë si do të ishte e ardhmja e familjes pas kësaj.
Pikërisht.
B.F. -Në vitin 1983, komunizmi ishte ende i forte në Shqipëri. Askujt s’i shkonte mendja se disa vite më pas komunizmi do të binte.
Ju flisni për të gjitha veprat e Kadaresë. Sipas jush te Kadareja vihet re një disidencë letrare. Ç’do të thotë dissidence letrare?
–Është e përcaktuar. Letrare. Pra, do të thotë se është luftë letrare dhe s’është luftë politike, sepse ishte e pamundur.
B.F. Ju thoshit se herën e parë që keni menduar për Kadarenë, kishit idenë se ai ishte një shkrimtar i regjimit si gjithë të tjerët.
–Po.
B.F. -Kur lexuat “Dimri i vetmisë së madhe”, ndryshuat mendim.
–Po.
B.F. Pse?
–Ndryshova mendim, sepse kur e lexova, para se të vija në Shqipëri, e lexova në Francë dhe pashë dy gjëra. Vura re një shoqëri ku ekzistonte trishtimi.
B.F. Patë ngjyrat e shoqërisë.
-Një shoqëri me shumë problem mes brezave, prindërve dhe fëmijëve. Mes të rinjve kishte një vështirësi të ekzistencës. Çka më bëri shumë përshtypje janë dy personazhet policë. Araniti, që është një i marrë, i cili donte të vriste gjithë shkrimtarët. Sipas tij, shkrimtar do të thoshte intelektual, njerëz që mendojnë. Është një tjetër personazh…
Polici, i cili ngazëllehej kur arrestonte njerëzit në mëngjes, kur shihte gratë që u arrestonte burrat. Kur lexova përshkrimin e këtyre policëve, thashë me vete se kjo është një shoqëri… S’përputhet me socializmin. S’ka shumë lidhje me realizmin socialist. Kjo është më e pakta që mund të themi. Një tjetër aspekt është portreti i Enver Hoxhës.
B.F. Ai thoshte se ishte paksa romantik, melankolik.
-Po, kështu është, kështu.
Shumë melankolik.
B.F. S’është shumë heroik.
-Jo. Teksa Hrushovi i flet, ai sheh borën që bie, mendon për Gjirokastrën. Nuk është më i lidhur vërtet me Lindjen, sepse ndien neveri për karakteret cirilike. Ajo që më është dukur e jashtëzakonshme në librin e Kadaresë është se te fjalimi i Hoxhës, te fjalimi zyrtar që mban para tetëdhjetë partive komuniste, ai ka marrë vetëm një fjali.Fjalinë: “Gabimi ynë është të qenit një vend i vogël, një parti e vogël.” Vetëm kaq.
Po të lexoni fjalimin e Hoxhës, është i frikshëm. Ai bën thirrje për luftë bërthamore. U kërkon rusëve t’u japin kinezëve armën atomike.
Është e tmerrshme. Kadareja e paraqet Hoxhën në një mënyrë të tillë që të bën të mendosh, a do të ketë të ardhme komunizmi, sepse në Rusi mbaroi, kinezët do ta marrin me vete.
B.F. Ju thoshit se në atë kohë ishte e vështirë t’i gjeje librat e Kadaresë në frëngjisht në librarinë e gjuhëve të huaja në Tiranë.
–Ishte tepër e vështirë.
B.F. Ndërkohë që Kadareja ishte i vetmi shkrimtar shqiptar i përkthyer në Francë.
–Po.
B.F. -Pse?
-Dhe në atë kohë nuk gjeje libra të Kadaresë as në shqip.
B.F. Në shqip s’gjendej, sepse kishte shumë pak libra dhe brenda pak ditësh s’mbetej
më asnjë.
–Po.
B.F. Kjo më kujtohet personalisht.
-Po, ju kujtohet. Unë mendoja se Kadareja nuk shihej me sy të mirë, sepse në librarinë e quajtur
“diplomatike”, gjenim vetëm ndonjë tregim apo roman të Kadaresë, por nëpër antologji.
Kjo tregonte se pushteti, ndoshta, s’kishte edhe aq shumë dëshirë ta publikonte Kadarenë.
B.F. -Ai është shkrimtar i shkëlqyer.
Sipas jush, cilat janë veprat më të mira të Kadaresë?
-Kjo është pyetje e vështirë.
B.F. -E di.
-Ngaqë vepra e Kadaresë është polimorfe. Për sa u përket traditave shqiptare është “Kronikë në gur”. Për politikën, sigurisht që është “Dimri i madh”. Për legjendat është “Kush e solli Doruntinën?”. Ndoshta bërthama e errët dhe makabre e veprës së tij janë librat distopikë, “Kamarja e turpit” dhe “Pallati i Ëndrrave”.
B.F. “Pallati i Ëndrrave” është vepër e jashtëzakonshme.
-Po, sepse aty barazohet me më të mëdhenjtë: Oruellin, Bredbërin, Zamiatin. Imagjinoni Pallatin e Ëndrrave që mblidhte të gjitha ëndrrat e perandorisë për të zbuluar komplotin.
B.F. E rilexova librin për herë të pestë, besoj, para disa muajsh, për të parë se çfarë përshtypjeje do të më linte tani, në kontekstin e sotëm.
Ishte i përkryer. Mbetet gjithmonë i mrekullueshëm.
-Po. Mendoj se forca e letërsisë së Ismail Kadaresë është se edhe jashtë kontekstit, ajo e ruan gjithmonë vlerën e saj. Kjo do të thotë se mund ta lexojmë jashtë kontekstit politik, jashtë kontekstit të realizmit socialist. Kjo e bën një vepër të madhe dhe jo vepër klasike.
Një vepër që mund të lexohet në vende të ndryshme të botës dhe që është përkthyer në të gjitha gjuhët.
B.F. Pyetja e fundit.
E takuat Kadarenë pas rënies së komunizmit?
Po, u takuam.
B.F. –Biseduat me të?
-Po, e kam takuar disa here për t’i kërkuar disa saktësime. Në Paris, për shembull. Për të ditur nëse hamendësimet e mia ishin të drejta.
Para disa vitesh e takova në shtëpinë e tij. Ai më priti në shtëpinë e tij. Biseduam për Pasternakun dhe Stalinin. Ishte pasionante.
B.F. Vazhdon të mbetet mes shkrimtarëve më të njohur në Francë?
-Po, është i njohur. Shtëpia botuese “Fayard” ka botuar çdo libër të Kadaresë, veprën e plotë të tij. Është një shkrimtar që vlerësohet. Ju falënderoj shumë për librin tuaj dhe për praninë tuaj këtu.
-Më takon mua t’ju falënderoj.
B.F. Faleminderit!
-Shumë faleminderit!