Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në Shqipëri, z. Toshitsuki Kawauchi.
Gjatë takimit, të dy palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Policisë së Shtetit dhe UNHCR, në drejtim të adresimit të çështjeve që lidhen me migracionin, mbrojtjen e kufijve dhe ndihmën për emigrantët, azilkërkuesit dhe personat në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare në vendin tonë.
Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda theksoi se ky partneritet ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e aftësive të punonjësve të Policisë për të identifikuar dhe trajtuar me profesionalizëm rastet që lidhen me azilkërkuesit dhe grupet e ndjeshme. Kjo është arritur nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese që synojnë përmirësimin e qasjes ndaj standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Gjithashtu, është ndërtuar një mekanizëm i fortë komunikimi dhe koordinimi ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e migracionit, duke përforcuar reagimin institucional dhe ndërinstitucional ndaj këtij fenomeni.
Palët diskutuan gjithashtu mbi hapat e mëtejshëm për thellimin e bashkëpunimit, duke qenë se migracioni mbetet një sfidë komplekse dhe dinamike që kërkon vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm.
Në përmbyllje, Proda rikonfirmoi angazhimin e Policisë së Shtetit për të vepruar në përputhje me ligjet kombëtare dhe detyrimet që burojnë nga konventat ndërkombëtare, me qëllim garantimin e të drejtave dhe trajtimin me dinjitet të çdo individi, pa asnjë dallim.