Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas nisjes së procedimit penal për pengim të mbajtjes së zgjedhjeve.
Në një konferencë për mediat ajo e cilësoi procedimin si politik dhe theksoi se nuk ka shkelur ligjin, por ka zbatuar Kushtetutën dhe dekretin e Presidentit.
“Nuk habitem aspak nga procedimi për të cilin u njoha vetëm përmes medias. Pasi u njoha për vendimin politik dua të deklaroj se si kryetare e bashkisë së Shkodrës nuk kam shkelur asnjë ligj. Bashkia ka zbatuar vetëm Kushtetutën dhe dekretin e Presidentit të Republikës. Procedimi penal ndaj meje është një vendim politik i Edi Ramës. Ai kërkon të bëjë zgjedhje moniste”, u shpreh Ademi.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës tha se nuk kishte frikë as nga arrestimi dhe se ishte gati të përballej me këdo, pasi ka zbatuar vetëm ligjin. / Opinion.al