Mbi 1 miliardë të rinj të rritur janë në rrezik të humbjes së përhershme të dëgjimit për shkak të abuzimit me aparatet audiofonikë. Të dhënat e OBSH tregojnë se brenda pak vitesh, 1 në 10 persona do të kenë humbje të dëgjimit. Edhe në Shqipëri, mjekët ngrejnë të njëjtin shqetësim.
“Fatkeqësisht kanë ardhur probleme në rritje me dëgjimin. Edhe tek ne vijnë prindër që shoqërojnë fëmijët, të cilët përdorin muzikë me zë të lartë.”
Sipas ekspertëve, problemet më të shfaqura janë ulja e dëgjimit dhe prezenca e zhurmave në vesh.
“Shenja e parë që vihet re është ulja e dëgjimit dhe prezenca e zhurmave në vesh. Mosha më frekuente është mosha e të rinjve, adoleshentët, mosha aktive për punë. Ne rast se dëmtohet nervi i dëgjimit, atëherë ky dëmtim është i pakthyeshëm, dëgjimi nuk kthehet siç ka qenë.”
Dëmtimi i nervit të dëgjimit fillon kur personi ndodhet në një ambient ku intensiteti i zhurmave është mbi 80-85 decibel./ Tv Klan