Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Agolli ndërsa deklaron se kultura shqiptare mbeti pa njërin nga titanët e mëdhenj.
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e Dritëro Agollit. Para disa muajve pata një takim të ngrohtë me Dritëron në Tiranë, me shkrimtarin, poetin dhe intelektualin e shquar kombëtar që pas vete la një trashëgimi të madhe shpirtërore”, shprehet Thaçi në një postim në facebook.
Ai ishte autentik në krijimtari artistike, por edhe në bindjet e tij politike, thekson presidenti kosovar duke shtuar se “bota shqiptare në veprën e tij letrare u trajtua estetikisht me dimensione të thella, duke shpërfaqur fatin e njeriut tonë, jetën, vdekjen, punën e mbi të dashurinë ndaj atdheut. Kultura shqiptare mbeti pa njërin nga titanët e mëdhenj”.
Presidenti Hashim Thaçi, gjatë vizitës në Tiranë në tetor të një viti më parë dekoroi me “Urdhrin e Pavarësisë” shkrimtarin e njohur, Dritëro Agolli./ATSH/