Presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të pushojë shtete të tjera pas vendimit të tij për të nisur konfliktin në Ukrainë. Kështu deklaroi presidenti polak, Karol Nawrocki, më 9 shtator.
“Ne nuk u besojmë qëllimeve të mira të Vladimir Putinit”, tha Nawrocki gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për media me homologun finlandez, Alexander Stubb në Helsinki.
Polonia dhe Finlanda ndajnë kufi me Rusinë dhe që të dyja janë anëtare të NATO-s. Ato janë gjendur në situatë të vështirë nga pushtimi rus i Ukrainës.
“Derisa presim për paqe afatgjatë, paqe të përhershme, që është e nevojshme për rajonet tona, ne besojmë se Putini po ashtu është i gatshëm të pushtojë shtete të tjera”, tha presidenti i Polonisë.
“Prandaj ne po i zhvillojmë forcat tona të armatosura, ne po zhvillojmë partneritetin tonë dhe raportet tona”, shtoi ai, duke mos dhënë detaje për ndonjë masë konkrete.
Ai tha se “arkitektura e sigurisë” në rajon ka ndryshuar dhe se presidenti amerikan, Donald Trump, është “i vetmi udhëheqës i botës së lirë” i cili mund ta detyrojë Putinin që të negociojë.
Javën e kaluar, Trump ofroi që të dërgonte më shumë trupa në Poloni, teksa e priti Nawrockin në Shtëpinë e Bardhë.
Stubb, ndërkaq, në muajt e fundit ka bisedar rregullisht me Trumpin, teksa fuqitë evropiane po kërkojnë që të ndalet lufta në Ukrainë.
“Ne po tentojmë të shpjegojmë se Putinit nuk mund t’i besohet, se Putini po luan me taktikat e tij të zakonshme të zvarritjes” të procesit, tha Stubb.
Shqetësime të ngjashme ka ngritur edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili në fillim të javës tha se “plani imperialist i Putinit nuk do të përfundojë me pushtimin e Ukrainës”, por se ky plan është vetëm fillimi./ REL