Kryesore

Presidenti Meta zbardh letrën drejtuar Venecias, pyetjet për Kushtetuesen


               Publikuar në : 13:00 - 23/01/20 |
Geljano Fataj

Presidenti Ilir Meta ka publikuar letrën që i ka dërguar Komisionit të Venecias “Për dhënien e një opinioni mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”. Sipas kreut të Shtetit nuk ka asnjë reflektim nga Kuvendi ndaj këshillave të Komisionit të Venecias.

“Të dhënat e shtrembëruara dhe pyetjet vetësugjeruese të Kuvendit synojnë lexim të gënjeshtërt të situatës”, thotë Meta. Sipas njoftimit zyrtar, presidenti dërgoi informacion të plotë të dokumentuar, dhe një listë pyetjesh që qartësojnë kushtetutshmërinë e veprimeve të secilit.

Letra-e-Presidentit-të-Republikës-për-Komisionin-e-Venecias-1

Pyetjet e Presidentit për Venecian

Përse kërkoi Venecia përcaktimin në Kushtetutë dhe ligj të radhës së emërimeve?

Mosrespektimi i radhës a përbën shkelje të gërmës së Kushtetutës?

Cila dispozitë kushtetuese parashikon që një institucion të emërojë disa gjyqtarë kushtetues njëkohësisht?

Presidenti kërkoi vazhdimisht bashkëpunim dhe zbatim të Kushtetutës!

Mazhoranca refuzoi bashkëpunimin dhe çoi deri në fund skenarin e saj.

Kuvendi tentoi rrëmbimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit me qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese!

Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja e Gjykatës Kushtetuese interesit politik për t’iu shmangur kontrollit dhe llogaridhënies? Shqipëria në çekuilibër të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës, rrezikon kapjen totale të shtetit!

Konflikti Qeveri-Presidencë për Gjykatën Kushtetuese

Komisioni Hetimor i ngritur për të vlerësuar nëse me anulimin e datës së zgjedhjeve, presidenti Meta kishte bërë apo jo shkelje të rëndë, që do të mund të çonte në shkarkimin e tij, ka zgjeruar kohë më parë objektin duke përfshirë dhe konfliktin për emërimet e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti, nuk shfrytëzoi afatin 30 ditor të ligjit, për të përzgjedhur mes kandidatëve të listës së paraqitur nga Këshilli i emërimeve në Drejtësi, duke e motivuar këtë me faktin se i takonte më parë Parlamentit të zgjidhte një nga kandidatët e vakancave të veta.

Për shumicën, automatikisht u quajt e emëruar zonja Arta Vorpsi, e para në listën e presidentit. Por ky i fundit, pasi parlamenti emëroi dy kandidaturat e veta, dekretoi zonjën Marsida Xhaferllari, duke e ftuar më pas në ceremoninë e betimit. Pikërisht për të dy këto momente, komisioni hetimor vendosi që t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

Në fakt, dy anëtaret e emëruara nga parlamenti Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, nuk kishin kandidatë alternativë në momentin e votimit, siç kërkohet nga Kushtetuta. Por po ashtu, si dhe parlamenti, edhe emërimi i zonjës Xhaferllari nga presidenti Meta u bë po në shkelje të të njejtit përcaktim, sipas të cilit përzgjedhja bëhet ndërmjet tre kandidaturave./ Opinion.al

Pas