Deputeti i PD, Luçiano Boçi, ka reaguar pas deklaratës së Alibeajt se do të thërrasë grupin e Rithemelimit për negociatat për emrin e presidentit por pa praninë e ish-kryeministrit Berisha. Në një postim në rrjetet sociale, teksa e cilëson Alibeajn si sekser politik të Edi Ramës, Boçi thotë se një i shkarkuar nga demokratët nuk mund të vendosë kushte.
Postimi i Luçiano Boçit
Alibeajt, tani që Rama e ka zyrtarizuar si sekser politik, i ngjan se mund t’i vendosë kushte dhe vetë Partisë Demokratike.
Deklaron teatralisht se do të thërrasë dhe grupin e rithemelimit për negociatat me kusht!?
Një i shkarkuar nga demokratët nuk mund të vendosë kushte.
Këtë thirrje nuk e ka seriozisht dhe sinqerisht për zgjedhjen e Presidentit.
Pasi hodhi në erë procesin kushtetues për presidentin, duke u ulur në prehrin e Ramës si i preferuari i tij, tani po kërkon të kënaqë Ramën dhe të sanksionojë përçarjen e Grupit Parlamentar në dy grupime, njërin prej të cilëve e zotëron ai me hipotekë.
Grupi Parlamentar i PD është një, jo siç do ta shohë z. Alibeaj., të bërë copash.
Thirrjen e tij e vendos Kryesia e grupit, jo një deputet.
Unë dhe Z. Salianji në cilësinë e nën/kryetarit e kemi kërkuar me këmbëngulje mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit, ku të sanksionohej rikthimi i të shkarkuarve, por z. Alibeaj e ka refuzuar, mgjs i ka munguar dhe tagri për ta bërë.
Sot i duhet diversioni dhe përsërit refrenin e mospranimit të Z. Berisha.
Po kërkon kështu njëherazi të legalizojë veten, bashkëpunimin e pistë me Ramën dhe të vulosë përçarjen për hir të axhendave të njohura.
- Alibeaj me veprimet e tij të disata ka dëmtuar interesin e demokratëve dhe po shpëton fytyrën e Ramës.
Partia Demokratike është e vendosur për të vazhduar negociatat në nivel politik jashtë skemave të paracaktuara në zyrat e Ramës, për t’i dhënë shqiptarëve një President të denjë./Opinion.al