Presidenti i klubit të Peskarës, Daniele Sebastiani, ka konfirmuar se klubi i tij ka mbyllur gjithçka për transferimin e Rei Manajt nga Interi. Ai e ka cilësuar futbollistin e ri shqiptar si një talent shumë premtues, por ka bërë të qartë se nuk duhet vënë shumë nën trysni.
“Manaj? Nuk duhet të vendosim shumë përgjegjësi mbi shpatullat e një djaloshi 20 vjeçar. Ai është një lojtar i ri, por i rëndësishëm. Ka karakteristika që ngjajnë shumë me ato të një lojtari që ka bërë rrugëtimin invers nga Peskara drejt Milanos (Lapadula). Shpresojmë që të dy këto rrugë të jenë pozitive”, deklaroi Sebastiani rreth sulmuesit shqiptar që do të transferohet te ky klub në huazim me të drejtë blerje.
I pyetur se si ishte situata me Memushajn, të cilin e kërkon me ngulm Bolonja, presidenti i Peskarës la të kuptohet se as nuk ka ndër mend të heqë dorë nga mesfushori i përfaqësueses shqiptare. “Memushajt ia kam rinovuar prej kohësh kontratën. Si rrjedhojë, kapiteni do të qëndrojë. Për mua, ai është i pashitshëm”.