Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi vendimin e tij për të njohur shtetin e Palestinës të enjten (24/7) , duke shtuar se do ta bëjë njoftimin zyrtar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
Presidenti francez e bëri të ditur vendimin e tij me një postim në X.
“Duhet menjëherë një armëpushim, lirimi i të gjithë pengjeve dhe një ndihmë humanitare masive për popullsinë e Gazës. Po ashtu, është e nevojshme të çmilitarizohet Hamasi, të sigurohet dhe rindërtohet Gaza. Së fundi, duhet të ndërtohet Shteti i Palestinës, të garantohet qëndrueshmëria e tij dhe, nëpërmjet pranimit të çmilitarizimit dhe njohjes së plotë të Izraelit, ai të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme. Nuk ka alternativë tjetër”, shkroi ai në “X”.
Me këtë vendim, Franca bëhet shteti më i madh dhe më me ndikim në Evropë që njeh Palestinën, duke iu bashkuar mbi 140 vendeve të tjera që tashmë e kanë ndërmarrë këtë hap.
Lajmi vjen në një moment kur rritet zemërimi global ndaj situatës humanitare në Gaza dhe pas ndërprerjes së bisedimeve për armëpushim nga SHBA-të, të cilat akuzuan Hamasin për mungesë vullneti të mirë.
Ministria e Jashtme e Izraelit nuk ka reaguar ende mbi vendimin e Francës.
Palestinezët kërkojnë pavarësi në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gaza, territore të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967, por qeveria izraelite vazhdon ta kundërshtojë këtë kërkesë. Ata pretendojnë se një shtet i tillë do të shpërblente grupet militante pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Izraeli aneksoi Jerusalemin Lindor menjëherë pas luftës së vitit 1967 dhe e konsideron pjesë të kryeqytetit të tij të pandarë. Në Bregun Perëndimor, ai ka ndërtuar dhjetëra vendbanime, disa prej tyre si lagje të mëdha, ku jetojnë mbi 500 mijë kolonë hebrenj me shtetësi izraelite.
Ndërkohë, rreth 3 milionë palestinezë që jetojnë në këtë territor ndodhen nën kontroll ushtarak izraelit, ndërsa Autoriteti Palestinez ushtron kontroll të kufizuar vetëm në zonat urbane.