Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar nga Presidentja e Komisionit të Rajonit të Aix-en-Provence, Agnès Rampal dhe Zëvendëspresidentja e këtij rajoni, Caroline Pozmentier, nderoi zonjën Sylviane Muselier me Dekoratën “Nënë Tereza” në mirënjohje të thellë për kontributin e vyer shumëvjeçar në ndihmesë të fëmijëve të sëmurë e familjeve shqiptare në nevojë nëpërmjet përkujdesjes së veçantë dhe ndihmave humanitare e mjekësore, si dhe në vlerësim të lartë për promovimin e imazhit dhe vlerave të rralla të Shqipërisë e shqiptarëve në Francë.
Në një njoftim për mediat të shpërndarë nga zyra për shtyp e Presidentit, thuhet se gjatë fjalës së rastit Meta theksoi se kishte nderin të vlerësonte në emër të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë një zonjë, një bamirëse të rrallë, e cila rrjedh nga një familje fisnikësh duke qenë edhe luftëtare e Rezistencës franceze, edhe monarkiste, edhe republikane, edhe demokrate.
“Nëse historia e vendit dhe e popullit tim ka nxjerrë figurën e bamirëses mbarëbotërore, Shenjtores sonë “Nënë Tereza”, popujt dhe vendet e tjera i kanë dhuruar njerëzit shumë figura të ndritura dhe zonja me shpirt të dhembshur e bujar, që me jetët dhe veprat e tyre kanë zbutur mjerimin, kanë shëruar plagët e kanë ulur ndjeshëm varfërinë. Një ndër to, padyshim është edhe zonja Sylviane Muselier.” – u shpreh Presidenti Meta.