Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka uruar studentët në nisjen e vitit të ri akademik, teksa ndodhej në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në nisje të vitit të ri akademik 2024-2025:
Për nga përkatësia, sot, në fakt, duhet të isha në Universitetin e Mjekësisë, sepse jam mjek, kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë dikur, shumë larg, në vitin 1989. Po ashtu, për nga përkatësia, duhet të isha sot në Akademinë e Forcave të Armatosura për faktin që vij nga ushtria. Kam qenë mjek ushtarak dhe së fundi Gjeneral. Por, për nga rëndësia, unë zgjodha të jem këtu, në Universitetin Bujqësor të Tiranës. E mbaj mend qysh në rininë time se sa i rëndësishëm ishte dhe sa shumë vlerësohej diploma e Universitetit Bujqësor.
Patjetër që rrugëtimi ynë në jetë lidhet me ëndrrat, lidhet me dëshirat, lidhet me mundësitë dhe me pasionin. Ëndrrat dhe dëshirat më së shumti janë në fëmijëri, ku edhe ndryshojnë shumë. Patjetër që kemi ëndrra dhe dëshira të bëhemi dikush në jetë, të kemi një profesion të caktuar, të bëhemi mjekë, të bëhemi veterinerë, të bëhemi agronomë, të bëhemi inxhinier, të bëhemi profesionistë të shkëlqyer, të bëhemi shkencëtarë dhe profesorë, por patjetër që në këtë rrugë, për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat tona, duhet të kemi edhe disa mentorë që të na udhëheqin dhe të na drejtojnë. Më së shumti, përveç familjarëve tanë, këta janë profesorët që ne gjejmë në universitet, të cilët, me shumë përkushtim, na drejtojnë në rrugëtimin e pasionit tonë. Ka shumë fjalime, ka shumë libra, ka shumë shembuj, të cilët janë shprehje e motivimit dhe frymëzimit, fjalime që mund të jenë politike, mund të jenë fjalime ekonomike, mund të jenë fjalime të lidhura me shëndetin, me mirëqenien apo me trendin e fundit, të jenë fjalime të cilat lidhen me atë se si mund të bëhemi të pasur shumë shpejt, apo si të bëhemi influencues, por unë, në fakt, sot, meqenëse jemi edhe në “Tetorin e librit”, do të doja t’ju rekomandoja juve, të dashur studentë, një libër, që mua më pëlqen shumë, dhe besoj se do t’ju pëlqejë edhe juve, që titullohet “Rregulloni krevatin”, i shkruar nga një Admiral amerikan. Patjetër që shembuj pozitivë ka plot.
E pamë këtu, ishte studentja e viteve të dikurshme, dhe tani biznesmene e shkëlqyer në fushën e profesionit tuaj. Unë dua t’ju them se gjatë këtyre 2 viteve si President i Republikës kam shkuar në shumë treva të Shqipërisë dhe vërtetë ka shumë shembuj që meritojnë të vlerësohen, meritojnë të përqafohen, nga Shkodra, nga Saranda, nga Konispoli, nga Peqini, nga Elbasani, ka shumë e shumë, që realisht meritojnë medalje, por unë dua të përmend një shembull që më ka prekur shumë, një shembull që vjen nga nxënësit e shkollës profesionale të Cërrikut. Ata nxënës, me shumë dashuri dhe pasion, demonstronin bankën e tyre të farërave, fara të drithërave, të cilave ata iu kushtonin një rëndësi të madhe, jo vetëm sepse i mbronin, jo vetëm se i promovonin, por sepse ata i shkonin çdo fermeri për t’ju treguar se cila ishte fara e duhur për t’u mbjellë. Unë besoj se shembullin e këtyre nxënësve do ta kemi nesër me ju kur të diplomoheni.
Jam i nderuar të jem sot me ju në këtë fillim të një udhëtimi të ri akademik.
Është kënaqësi të jem në universitetin tuaj, universitet me histori, traditë, ndikim dhe kontribut të merituar.
Instituti i Lartë Shtetëror i Bujqësisë në fillim, e më pas Universiteti Bujqësor, ka luajtur dhe luan një rol të jashtëzakonshëm si institucion unik në edukimin dhe përgatitjen e brezave të rinj në fusha me rëndësi mjaft jetike.
Këtu ku jemi ne sot kanë studiuar dhe janë diplomuar specialistë, profesionistë, profesorë e akademikë të nderuar, të cilët, me punën, përkushtimin, sakrificën e pasionin e tyre, kanë lënë gjurmë dhe kontribut në zhvillimin e vendit, kanë bërë të mundur që ky universitet të renditet më i miri në vend dhe ndër më të mirët në rajon.
Për ju studentë që sot filloni për herë të parë studimet universitare kalimi në këtë faqe të re të jetës suaj ka pasur dilema e vështirësi, pyetje pafund se cilin universitet do të besoni, çfarë programi do të zgjidhni e studioni, e shumë të tjera të lidhura me periudhën pas mbarimit të studimeve.
Ky status i ri shënon një ndryshim të rëndësishëm në stilin, qëllimet dhe rutinën e jetës suaj të përditshme.
Shfrytëzojeni këtë mundësi dhe kohë! Studioni e mësoni sa më shumë! Mësoni edhe nga ata, rinia e të cilëve ofronte shumë pak mundësi. Kurrë mos u dorëzoni! Eksploroni gjithçka në fushën që keni zgjedhur dhe bëni miq të mirë!
Është tërheqëse në moshën tuaj të kërkosh të bësh jetë të lehtë, të kesh gati gjithçka, por a është kjo e dobishme? A do të ndiheni në fund të plotësuar?
Jeta ka provuar se gjithçka e arritur lehtë, pa mund dhe përkushtim, nuk ka jetëgjatësi.
Ndaj, këshilla ime sot është të fokusoheni në këtë etapë thelbësore për jetën e gjithsecilit për më shumë suksese dhe më shumë arritje!
Kërkoni atë që ju duhet në jetën tuaj universitare! Kërkoni të drejtën tuaj! Këmbëngulni që të merrni dijen! E ardhmja varet vetëm nga ju!
Leksioni më i rëndësishëm i karrierës dhe jetës, dhe themeli për arritjen e suksesit është studimi, disiplina, dashuria dhe pasioni për atë që keni zgjedhur të bëni.
Pas jush janë sakrificat dhe ëndrrat e familjarëve tuaj për t’jua dhënë këtë mundësi. Çdo student që ulet në auditor ka lutjet dhe bekimet e prindërve për t’jua lehtësuar këtë rrugëtim.
Të dashur studentë,
Të nderuar pedagogë dhe staf akademik,
Teknologjia po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si studiojmë, punojmë dhe ndërveprojmë me botën rreth nesh. Me zhvillimet e fundit në fushën e inteligjencës artificiale, robotikës dhe teknologjive të gjelbra ne po shikojmë lindjen e një epoke të re, një epokë ku risitë teknologjike do të jenë motori kryesor i zhvillimit të së ardhmes. Cili është roli ynë? A duhet të përgatitemi, të jemi gati për këtë realitet të ri? Përgjigjja jeni ju, studentët dhe rinia, që janë fuqia e vërtetë e vendit tonë. Për këto arsye, roli i studimit, edukimit dhe formimit në universitet është fillimi i mbarë dhe i duhur. Nuk ka rrugë më të mirë për t’u përgatitur për sfidat e të ardhmes se sa të mësoni, të thelloni njohuritë tuaja dhe të përvetësoni aftësi të reja. Universiteti, vetëm universiteti është vendi i duhur ku fitohen dije teorike, ku mësohet dhe mendohet në mënyrë kritike, ku bashkëpunohet dhe krijohet. Në këtë udhëtim akademik është e rëndësishme të motivohemi nga shembuj të mirë, nga ata që kanë arritur suksese falë përkushtimit dhe pasionit. Investoni në arsimimin tuaj, mësoni dhe përfitoni nga të gjitha mundësitë që ju ofrohen, nga programet e shkëmbimit dhe projektet që universiteti juaj është lider në Shqipëri. Zgjedhja juaj për të qëndruar dhe studiuar në Shqipëri, është e lavdërueshme. Detyra jonë është të krijojmë e të plotësojmë kushtet që juve ju nevojiten, t’ju garantojmë se mundi, djersa, sakrifica, puna e merita, të shpërblehen. Kështu, do të kontribuojmë për zhvillimi e vendit, për zhvillimin e Shqipërisë. Në veçanti juve, studentë, që keni zgjedhur të studioni këtu, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, dua t’ju them se përtej këtyre godinave, Shqipëria ka nevojë për ju, për dijen, energjinë dhe pasionin tuaj. Ju siguroj se fermerët kanë nevojë për ju, bujqësia ka nevojë për ju.
Të nderuar pedagogë,
Roli juaj është i një rëndësie të jashtëzakonshme për përgatitjen e brezit të ri. Ju jeni udhërrëfyesit dhe frymëzuesit e këtyre të rinjve. Përmes përkushtimit tuaj për të përmirësuar kushtet e mësimdhënies, për të promovuar lirinë akademike dhe për të investuar në kërkimin shkencor, ju luani një rol kyç në përgatitjen e të rinjve për sfidat e të ardhmes. Përmes punës suaj, ju kontribuoni jo vetëm në zhvillimin akademik të studentëve, por edhe në formimin e tyre me përgjegjësi dhe dashuri për vendin.
Në një botë ku dijet dhe teknologjitë ndryshojnë me një shpejtësi marramendëse, është detyra jonë të sigurojmë që studentët tanë të jenë të përgatitur jo vetëm për sfidat e të sotmes, por edhe për ato që do të sjellë e nesërmja. Për këtë arsye, investimi në kërkimin shkencor dhe në rritjen e cilësisë së edukimit është mjaft thelbësor.
Së fundmi, dua t’ju them se ju jeni brezi që do të ndërtojë Shqipërinë e të nesërmes, një Shqipëri të zhvilluar, të qëndrueshme e të fortë, dhe së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur se me përkushtim, punë të palodhur dhe dashuri për dijen, mund të arrini çdo gjë që ju dëshironi. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe e këtij potenciali jeni ju, rinia e saj.
Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë dhe së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Ju rekomandova një libër në fillim të fjalës sime për të lexuar, që është shkruar nga Admirali William McRaven, Komandanti i Forcave Speciale të Marinës Amerikane, i cili u ftua në Universitetin Texas në Austin për të mbajtur një fjalë përshëndetëse, duke qenë student i atij universiteti. Për motiv të fjalës së tij, përdori moton e universitetit, e cila thoshte: “Ajo që fillon këtu, ndryshon botën”. Në atë fjalim, i cili ishte i jashtëzakonshëm, me mbi 10 milionë klikime, ai ndau disa parime të rëndësishme, parime praktike, të cilat i kishte përfituar nga koha e pas universitetit dhe përvoja e jetës së tij 37-vjeçare duke qenë ushtarak, parime të cilat e kishin bërë atë të ndryshonte veten dhe pastaj të ndihmonte të ndryshonin të tjerët, kuptohet, për më mirë. Duke qenë se fjalimi ishte i jashtëzakonshëm, duke qenë se fjalimi i tij niste: “Nëse do të ndryshosh botën, fillo duke rregulluar krevatin”, pati një jehonë dhe më pas u botua libri, i cili ishte best seller, numri një në New York Times, por nuk ishte për nga shitjet, por për mesazhet që ai përcillte. Mesazhet ishin që ne duhet të jemi të fortë dhe duhet të kemi kurajë për të arritur suksesin edhe në momente të vështira të jetës sonë, dhe kjo gjë fillon nga rregullimi i krevatit, duke bërë rregullimin e krevatit përditë. Është një punë e vogël, por një punë e bërë mirë, sepse pa bërë punët e vogla mirë, nuk kemi se si të bëjmë punët e mëdha mirë. Meqenëse fola me rektorin dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës nuk kishte një slogan, unë shpika një, dhe ju them: “Ajo që filloni ju sot këtu, ndryshon jetën tuaj, pse jo, ndoshta ndryshon për mirë dhe vendin.”