Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Prizren, me rastin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Begaj u prit nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, teksa së bashku përshkruan në këmbë rrugën nga Shtëpia e Bardhë deri tek Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aty, vendosën një kurorë në nderim të 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në fjalën e tij, President Begaj shprehu rëndësinë historike dhe frymën e bashkimit kombëtar që kjo ngjarje përfaqëson, teksa shton se 10 qershori 1878, ishte shprehje e krenarisë dhe përkatësisë evropiane të një populli me histori të lashtë.
“Është nder, krenari dhe privilegj të jem sot me ju në Prizrenin e bukur, të bukurisë natyrore dhe shpirtërore, në Prizrenin e traditës dhe patriotizmit, në zemrën e kombit shqiptar. Në këtë vend me simbolikë të thellë kujtojmë së bashku një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare: Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. 10 qershori 1878 ishte, është dhe do të mbetet themeli politik e shpirtëror i bashkimit kombëtar, është dita kur filloi lëvizja për pavarësinë kombëtare.
Shkëndija e kësaj dite ndezi pishtarin e lirisë, por trashëgimia e saj jeton sot në çdo përpjekje për zhvillim, për mirëqenie, për bashkim shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve kudo ata janë dhe jetojnë. Ajo lindi si nevojë jetike për të mbrojtur trojet tona, identitetin dhe të drejtën tonë për ekzistencë dhe dinjitet. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte një thirrje për bashkim, mbrojtje dhe vetëdije kombëtare. 10 qershori 1878 nuk ishte thjesht një mbledhje e prijësve shqiptarë, ishte shprehje e krenarisë, e përkatësisë dhe vetëdijes evropiane të një populli me histori të lashtë, kulturë unike dhe me vullnet politik për të vendosur vetë mbi fatet e tij”, tha ai.
Kreu i Shtetit e cilësoi historinë si frymëmarrjen dhe gjakun që na lidh të gjithëve, duke e quajtur Lidhjen e Prizrenit pjesë të zemrës së çdo shqiptari të ndershëm.
“Historia është frymëmarrja jonë, është gjaku që na rrjedh në deje. Lidhja e Prizrenit është pjesë e trupit tonë, e kësaj zemre që rreh në çdo shqiptar të ndershëm, pjesë e identitetit tonë kombëtar. Identiteti ynë kombëtar nuk është vetëm një fjalë, nuk është vetëm një kujtim, por është një amanet. Le ta kujtojmë këtë ditë jo vetëm me fjalë, por me veprime, me më shumë dashuri për identitetin e kombit tonë, për gjuhën tonë, për historinë tonë. Sot, detyra jonë është ta çojmë më tej këtë amanet, sepse ne nuk harrojmë historinë. Duke mos harruar historinë, ne mbrojmë të ardhmen tonë”, tha ai.
I shoqëruar nga një grup nxënësish të shkollës “Lidhja e Prizrenit”, në Tiranë, President Begaj kishte si qëllim t’u mësonte atyre nga afër historinë shqiptare dhe rëndësinë e saj.
“Përmes kujtimit të këtyre ngjarjeve, ne u japim brezave shembuj dhe vlera. U mësojmë se liria nuk është e dhënë, por e fituar, se atdheu nuk është vendi ku vetëm jetojmë, por pjesë e natyrshme e identitetit tonë, se historia jonë nuk është përrallë nga e kaluara, por trashëgimi solemne që na detyron. Kjo është arsyeja pse unë sot jam i shoqëruar nga një grup nxënësish nga Shqipëria, nga shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Ata përfaqësojnë lidhjen organike me të ardhmen”, tha ai.
Në përfundim, Presidenti bëri thirrje për më shumë dashuri ndaj gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar, duke nxitur frymëzimin nga trimëria e Lidhjes së Prizrenit për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të arsimuar dhe të bashkuar. Ai theksoi se liria është fituar me sakrifica dhe se atdheu është pjesë thelbësore e identitetit tonë. Përkujtimi i Lidhjes së Prizrenit u cilësua si një busull frymëzuese që na mëson se bashkimi, vizioni dhe vullneti e bëjnë të mundur çdo gjë, dhe se atdhedashuria është vepër e përgjegjshme për të nderuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen.