Presidenca i është përgjigjur kryebashkikut Veliaj, pas deklaratave të këtij të fundit se presidenti kalon kohë banaqeve, gjysmë i dehur. Zëdhënësi Tedi Blushi njofton një dalje të presidentit Meta për mediat ndërsa i cilësoi fjalët e Veliajt si shpifje të denja për një rrugaç.
Reagimi
Organizata Kriminale e inceneratorëve përmes një keqbërësi të interesit publik, që përdoret si qen sulmi nga Brigadieri i kësaj organizate sulmoi sot figurën e Presidentit të Republikës me shpifje të denja për një rrugaç.
Të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë i dinë mirë arsyet se përse Organizata Kriminale e inceneratorëve dhe të gjithë kriminalizimit të shtetit e shoqërisë e urren Presidentin Meta si denoncuesin e palëkundur, bazuar mbi fakte publike dhe transparente, jo vetëm të aferës makabre të inceneratorëve, por edhe të shumë koncesioneve të tjera korruptive.
Presidenti i Republikës ndonëse kishte vendosur edhe në respekt të Kongresit të PS të mos bënte asnjë postim apo dalje mediatike, pas shpifjeve të programuara nga organizata e incineratorëve kundër Kreut të Shtetit, në respekt të të gjithë qytetarëve, por edhe të delegatëve të Kongresit të PS sot pasdite do të mbajë një konferencë shtypi.