Aktualitet

Prapaskenat e lirimit të Armando Prengës. A ndryshuan provat? Kush janë gjyqtarët që i hoqën prangat?


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:00 - 25/11/15 |
b.f

TIRANE- Gjykata e Lartë liroi dje Armando Prengën. Por si arriti Gjykata e Lartë deri këtu për deputetin e Kurbinit të akuzuar për plagosje me dashje?

Ekspertët mjeko-ligjore i konsideruan plagosjet para Komisariatit të Kurbinit të lehta, megjithëse u përdorën armë, ndërsa ekspertët balistikë gjetën barut në armën me leje.

Të gjitha këto u paraqitën në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi masën e arrestit shtëpiak për deputetin, me arsyetimin se deputeti nuk është i rrezikshëm. Mësohet se 4 gjyqtarë ishin pro kërkesës së avokatëve, ndërsa 1 kundër, pikërisht relatorja Mirela Fana.

Në gjykatë u paraqitën disa akte ekspertimi, si nga prokuroria ashtu edhe nga mbrojtja. Për ndryshimin e masës së sigurisë, sipas gjykatës, ndikoi mospasja e një akuze konkrete ndaj deputetit Prenga për ngjarjen e ndodhur në rrugën Patok-Laç, ku është goditur me qytën e pistoletës Gjok Cali dhe deputeti ka qëlluar me armën e tij të punës.

Burime nga gjykata pohojnë se avokatët kanë dorëzuar një akt ekspertimi të Laboratorit Kriminalistik, i cili ka konstatuar se në armën me leje të deputetit Prenga janë gjetur disa grimca baruti. Po këta ekspertë në ekzaminimin e parë të armës së deputetit, patën deklaruar se nga ekzaminimi i kryer, arma me leje që deputeti e kishte në përdorim nuk ka bërë qitje.

Mësohet se prokurorët kundërshtuan ndryshimin e masës së sigurisë, duke i kujtuar gjykatës se mbi deputetin rëndojnë tri akuza, ajo e “kanosjes”, “plagosje e lehtë me dashje” dhe akuza “armëmbajtje pa leje”.

Megjithatë, duket se avokatët shfrytëzuan konfuzionin e prokurorisë, në lidhje me provueshmërinë e tri akuzave, pasi fillimisht patën kërkuar autorizim nga Kuvendi për plagosje të rëndë, ndërkohë që gjatë hetimeve rezultoi se është plagosje e lehtë.

Mes anëtarëve të Kolegjit Penal ka pasur diskutime për masën përfundimtare. Relatorja e kësaj çështjeje, Mirela Fana, ka votuar që deputeti Armando Prenga të qëndrojë në masën e arrestit burg pa afat. Ndërkohë, 4 anëtarët e tjerë, Artan Broci, Tom Ndreca, Artan Zeneli dhe Edmond Islamaj, kanë votuar për masën e sigurisë arrest shtëpie.

Dosja “Prenga”

Duke u ndalur te provat, mësohet se pak javë më parë, një raport i plotë i mjekoligjorëve ka shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme, për ngjarjet e fillimshtatorit para Komisariatit të Kurbinit. Mësohet se plagosjet e Tom Calit dhe Gjergj Calit, mjekoligjorët i kanë cilësuar si plagosje të lehta, ndryshe nga sa i kishte kualifikuar prokuroria, kur dhe kërkoi autorizimin për ta arrestuar.

Burime nga akuza pohojnë se raporti i mjekoligjorëve është një provë e rëndësishme, e cila përcakton gjendjen e të dëmtuarve dhe në këtë rast, plagosjet në Kurbin janë cilësuar të lehta. Prokuroria kishte edhe një “provë të fortë” ndaj Prengës, ekspertizën balistike të gëzhojës së gjetur në rrugën Patok-Laç, pikërisht në vendin ku Prenga pretendon se ka qëlluar në ajër me armën e tij me leje nga Kuvendi.

Rezulton se gëzhoja e sekuestruar me cilësinë e provës materiale nuk është qitur nga arma që deputeti Prenga e mbante me leje. Ekspertët thonë se ajo është qitur nga një armë e llojit TT dhe nuk është ajo që deputeti e ka dorëzuar në polici, me të cilën ka pretenduar se ka qëlluar për ta trembur Gjok Calin.

Në raport, ekspertët theksojnë se arma e dorëzuar nga deputeti rezulton se nuk ka bërë asnjë shkrepje ditën kur Prenga pretendon, ndërsa ditën e djeshme avokatët pretenduan se në këtë armë ka pasur edhe grimca baruti. Krahas raporteve, në dosje janë administruar edhe dëshmitë e punonjësve të policisë, nga të cilat rezulton se asnjë nuk e ka parë deputetin Armando Prenga me armë zjarri.

Prokuroria e Përgjithshme ka pyetur disa oficerë të Policisë së Kurbinit dhe dhjetëra agjentë që kanë qenë me shërbim në orët e mbrëmjes së 4 shtatorit dhe në orët e para të 5 shtatorit. Mësohet se askush nga efektivët e policisë të pyetur nga hetuesit, nuk e kanë parë Prengën me armë në dorë. /Gazeta Shqip/

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas