Të bësh biznes do të thotë se sa shpejt hap një kompani, por dhe sa shpejt e mbyll atë. Shqipëria, deri tani, ka përmirësuar vetëm të parën, të hapësh një biznes sot e bën për 24 orë, por për të shpallur falimentin, duhen edhe vite. Në Kuvend pas 26 vitesh u depozitua një ligj që e bën këtë të mundur për 5 ditë. Pse u vonua drafti dhe çfarë risish sjell ai. Gjysma e 36 kompanive që kanë 65% të huave me probleme pritet të shkojnë në faliment…
Një plan veprimi për reduktimin e huave me probleme, i hartuar nga Banka e Shqipërisë në korrik të vitit të kaluar, parashikonte që një projektligj i ri për falimentin të shkonte në Kuvend në tetor të vitit 2015. Por, dorëzimi u shty vazhdimisht dhe vetëm tani drafti e ka “gjetur” rrugën për në komisonet kuvendore.
Mësohet se kompani të fuqishme kanë qenë kundër bërjes së një ligji i cili do t’i çonte ato drejt falimentimit të pashmangshëm. Me kompleksitetin që kishte legjislacioni i vjetër, biznesmenët e fuqishëm në shumë raste merrnin në banka kredi të mëdha, nuk i paguanin ato dhe zvarritnin pafund procesin në gjykata. Me ligjin e ri shmangen skemat abuzive, pasi fillojnë hetimet për organet drejtuese të kompanive, por po ashtu ka një nen, i cili qartëson vjeljen e detyrimeve të kreditorit edhe për pasuritë që nuk janë lënë kolateral.
Përveç pjesës së “kapjes” së sistemit nga bizneset, një pikë tjetër që po zvarriste këtë proces ishte edhe ikja e disa kompetencave nga duart e drejtuesve të administratës. Një nga këto institucione kyçe janë tatimet. Që një kompani të shpallte falimentin, duhet të bëhej ose me kërkesë të vetë firmës, ose me kërkesë të Drejtorisë së Tatimeve nëse kishte tre vite resht që dilte me humbje kapitali, ose dy vite që të kish kaluar me status pasiv. Me ligjin e ri lind e drejta për të kërkuar falimentin edhe pala kredituese, duke i hequr kështu tatimeve monopolin për të çuar ose jo një ndërmarrje në mbyllje.
Drafti i ri
Ka dy vite e gjysmë që ekspertë të IFC, degë e Bankës Botërore, të njohur për konsulenca juridike dhe financiare, janë marrë për të përgatitur një ligj tërësisht të ri për falimentin në Shqipëri. Ligji ekzistues ishte një model gjerman, i bërë në vitin 1994 dhe nuk zgjidhte pothuajse asnjë çështje. Rasti më tipik është ai kur një ndërmarrje falimenton dhe ka detyrime të mëdha në sistemin bankar. Që banka të ekzekutonte pronën e lënë peng, në këtë rast vetë biznesi që falimentonte, duhet të shpenzonte vite të tëra duke bërë kështu që të humbte para si në burime njerëzore, ashtu edhe në zhvlerësim të saj. Nga ana tjetër, biznesi shprehej në bankë se nuk kishte aftësi paguese, por kërkonte shtyrje të afatit. Kjo bënte që çështja për shpallje të falimentit të shkonte në gjykatë, e pas disa muajsh aty, ankimohej në një shkallë tjetër, duke e bërë të pafundmë këtë proces.
Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, tregon se numri i kredive të humbura në banka, por edhe shuma që duhet të vilet është mjaft e madhe. “Fakti që disa biznese mund të shkojnë në faliment i jep mundësi bankës të rikuperojë sadopak nga ajo kredi e humbur, e cila nuk është pak. Në këtë mënyrë, pastrohet edhe tregu”, thotë ai.
Sot që flasim, 600 milionë dollarë në sistemin bankar janë kredi e humbur dhe pjesa tjetër prej 380 milionësh janë hua në ndjekje, 310 nënstandarde dhe 240 milionë dollarë janë të klasifikuara si të “dyshimta”, sipas të dhënave nga Shoqata e bankave për muajin prill.
Për të marrë mbrapsht këto para, bankat janë përballur me procedura pafundësisht të gjata, prandaj për to, ligji i ri i falimentit është i vetmi që mund t’i japë një zgjidhje. “Kemi 25 vjet që flasim për falimentin, kemi nxjerrë ligje, kemi bërë udhëzime, por koha vërtetoi që asnjë prej tyre nuk e zgjidhte çështjen, nuk e çonte drejt mbylljes së sigurt ligjore pa pretendime dhe sa vjen dhe u shtua domosdoshmëria e një ligji të ri. Ligji i falimentit, për shkak se e merr biznesin dhe e çon në faliment, kur ai ka qenë klient i bankës, prek pa diskutim industrinë bankare. Më e mira që është bërë, është fakti se nuk është një arnim i ligjit të vjetër, por një ligj i plotë, me një tjetër frymë, me standarde të reja dhe ne e vlerësojmë më shumë, sepse do të ndihmojë në bërjen e klimës së biznesit”, shprehet sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave.
Por jo vetëm grupet e interesit e mendojnë kështu. Ekspertët thonë se një ligj i ri për të zgjidhur këtë proces duhej bërë kohë më parë. Ata e shohin si kusht parësor që një kompani e huaj të vijë e të investojë në Shqipëri. Selami Xhepa shpjegon se përpara se një ndërmarrje të vijë e të shohë alternativat për të hyrë në një treg si yni, vlerëson dy komponentë: hyrjen në një biznes të ri; dhe daljen prej tij. Ka raste të shumta, kur mjaft firma të huaja kanë humbur vite në vendin tonë për të mbyllur kompaninë. “Elementi kryesor që përcakton klimën e të bërit biznes në vend nuk është vetëm lehtësia me të cilën bizneset futen në sistemin ekonomik të një vendi, lehtësia e krijimit dhe themelimit të tyre, por është dhe lehtësia për të dalë nga biznesi. Shpeshherë, vendet përpiqen të përmirësojnë klimën e biznesit në hyrje, duke krijuar një lloj “burgu”, sepse firmat e kanë të vështirë të dalin nga sipërmarrja. Normalisht, një klimë e përshtatshme për sipërmarrjen është ajo që e bën po kaq të thjeshtë edhe daljen prej saj në mënyrë që ky proces të mos jetë me kosto të mëdha”,- thotë Xhepa, profesor i Ekonomisë.
Edhe për të, një pjesë e mirë e kredive të këqija të krijuara në sistemin bankar, janë për shkak të mosfunksionimit të ligjit të falimentit. “Qytetarët në sistemin e kapitalizmit kanë interes dhe dëshirë të eksperimentojnë me kosto sa më të ulëta në mënyrë që të provojnë suksesin e tyre, duke bërë që çmimi i dështimit të mos jetë penalizues. Në këtë kuptim, ndryshimet që kanë ndodhur në ligjin për falimentin janë në vazhdën e reformave për të përmirësuar klimën e biznesit në vend dhe është një nga elementet më thelbësore të legjislacionit.” thotë ai.
Për Xhepën është i pashmangshëm zinxhiri i problemeve që një kompani e dështuar jep në ekonomi. Infeksioni shkon që nga palët e lidhura, që janë punonjësit, bizneset me të cilat kryen shërbime e deri te bankat, të cilat janë sektori më i rëndësishëm i sistemit financiar. “Fakti që ligji i deritanishëm ka qenë jashtëzakonisht kompleks, sepse është përpjekur të imitojë dhe zbatojë direktivat e Bashkimit Europian, e pati bërë legjislacionin shqiptar që të mos ishte shumë i zbatueshëm. Një sërë çështjesh që janë krijuar nga keqfunksionimi i ekonomisë së sotme ka bërë që në shumë raste marrëdhëniet midis debitorëve, kreditorëve, pra sipërmarrësve dhe pjesës tjetër të ekonomisë, të krijojnë probleme duke ndikuar në gjithë zinxhirin e debive apo kredive të këqija, në veçanti në sistemin bankar.” shton ai.
Pas fshirjes, rriten sërish huatë e humbura
Huatë me probleme kanë shënuar një tjetër rritje në muajin prill, duke u ngjitur sërish në nivelin e 20%, sipas statistikave të publikuara nga Shoqata e Bankave. Në mars, ky tregues ishte 19.3%, ndërsa në dhjetor 2015 kishte zbritur në 18.2%, si rrjedhojë e një procesi të fshirjes së huave nga bilancet e bankave që kishim më shumë se 3 vjet që nuk ktheheshin.
Pavarësisht se sistemi bankar fshiu rreth 23 miliardë lekë hua të humbura në vitin 2015 (sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë), kredi të tjera kanë kaluar në këtë kategori (huatë klasifikohen në të humbura kur vonesa e pagesës së principalit ose e interesave i kalon 365 ditë). Në prill, kjo kategori është rritur me 2.7 miliarë lekë, apo rreth 3%, sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, duke dhënë ndikimin kryesor në përkeqësimin e treguesit të kredive me problem. Një pjesë e huave të dyshimta (181 deri në 365 ditë vonesë) kanë kaluar në prill si hua të humbura.
Në total, huatë e humbura, që nuk ka shumë shpresë të rikuperohen nga bankat ishin 60 miliardë lekë (430 milionë euro), apo 10.3% e totalit të stokut të kredisë të dhënë për bizneset e individët. Në dhjetor 2015, niveli I kredive të humbura ndaj totalit zbriti në 9.8%.
Në një tjetër tregues se huaja me probleme mund të vazhdojë të rritet edhe më tej, huatë standard, ato të mirat fare, deri në 30 ditë vonesë, janë ulur ndjeshëm në prill, çka nëkupton që një pjesë e kredimarrësve kanë filluar të vonojnë këstet edhe më shumë se një muaj. Gjithsesi, nga 30 deri në 90 ditë, huatë kalojnë në ndjekje, por nuk kategorizohen ende si të këqija.
Në fund të vitit të kaluar, ndonëse treguesi në total i kredisë me probleme po ulej, rritja e huave në ndjekje ishte sinjalizuesi i parë se ato të të përkeqësoheshin sërish.
Shkon në 36 numri i korporatave që kanë shumicën e kredive të këqija.
65% e totalit të portofolit të kredive me probleme zotërohej nga 35 kompani të mëdha, por numri i këtyre kreditorëve ka shkuar në 36. Burime nga Banka e Shqipërisë pohojnë për “Monitor” se në këtë listë së fundi është shtuar edhe firma Kurum International, e cila para disa muajve regjistroi në Gjykatën e Tiranës kërkesën për të shpallur falimentimin. Vetëm në bankat shqiptare Kurum rezulton të ketë 30 milionë euro te Banka Raifeissen dhe 5 milionë të tjera te NBG Bank.
Të njëjtat burime pohojnë se për 50% të kompanive pritet të fillojë procedura e falimentimit, ndërsa nga i gjithë ky numër, 8 ndërmarrje janë në proces ristrukturimi. Edhe pse riorganizimi i kompanive ka më shumë se 7 muaj që ka filluar, ato nuk kanë dalë ende nga lista e kreditorëve të këqij, për shkak se pagesat e kësteve në bankat e nivelit të dytë duhet të jenë të rregullta përgjatë 1 viti e gjysmë. Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur optimist se kjo strategji do të zgjidhet edhe nga ndryshimet e paketave ligjore që janë depozituar në Kuvend. Në artikullin e katërt për rishikimin e marrëveshjes për vitin 2016, FMN shprehet: “Autoritetet janë duke zbatuar një strategji gjithëpërfshirëse për të reduktuar kreditë me probleme. Plani integron edhe reforma në fushën e mbikëqyrjes, zbatimin rregullator, ristrukturimin e borxhit dhe falimentimit të shoqërive. Autoritetet kanë paraqitur tashmë ndryshime ligjore në Parlament për të mbrojtur kolateralin financiar dhe për të forcuar të drejtat e pronësisë mbi pasuri të patundshme. Janë ndryshuar rregullore për të lehtësuar marrjen e kredive të humbura dhe përshpejtimin e ekzekutimit të kolateralit. Është formuluar një plan veprimi për trajtimin e 35 mbajtësve më të mëdhenj të kredive me probleme (të cilat përbëjnë rreth 50% të NPL-ve). Duke shkuar përpara, strategjia parashikon uljen e NPL-ve përmes qartësimit të ligjit të falimentimit, si dhe ndryshimin e disa pjesëve të tjera të legjislacionit, si Kodin e Procedurës Civile dhe ligjet e Përmbarimit me qëllim rritjen e efikasitetit të procesit të zgjidhjes së kredive me probleme”.
Rasti tipik i ARMO: Të mos falimentosh dot
Rasti më tipik i mbivendosjes së ligjeve është ai i rafinerisë së përpunimit të naftës ARMO. Në vite, kompania kishte arritur të krijonte 70 milionë dollarë borxh tatimor e 270 milionë të tjera janë kredi në banka. Vetëm në Shqipëri, ARMO numëron 20 milionë dollarë të marra në bankën Credins dhe 27 milionë të tjera te Raiffeisen Bank. Në kohën që detyrimet e saj po bëheshin të papërballueshme dhe menaxherët nuk po arrinin dot të paguanin të gjithë kreditorët, në Ministrinë e Energjisë dhe atë të Financave nisi një debat për mënyrën se si do ta zgjidhnin këtë çështje. Tatimet kërkonin që falimenti i ndërmarrjes të bëhej përmes ligjit “të procedurave tatimore”, i cili në rastin kur kompania rezulton 3 vjet me humbje, nisin shpalljen e procedurës së falimentit dhe marrin të parët detyrimet nga shitja e aseteve të saj. Por falimenti i ARMO-s nuk mund të bëhej, pasi ishte një sektor strategjik dhe në këtë rast, shteti duhet të gjente një formulë të re ose për ristrukturimin e saj, ose për marrjen e detyrimeve. “Nëse asnjë nga opsionet e propozuara më sipër nuk është i mundur të realizohet, mund që shoqëria të shkojë drejt hapjes së procedurave të falimentimit. Por duke qenë që ligji “Për Falimentimin” ndalon hapjen e procedurave të falimentimit në sektorët strategjikë, e vetmja zgjidhje që mbetet është deklasifikimi si strategjik me ligj të kuvendit i industrisë së përpunimit të naftës. Nëse kjo do të mundësohet, për të shmangur një pjesë të mirë të detyrimeve, mund që shoqëria ARMO të hapë procedurat e falimentimit”, shprehet një raport i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
“Në procesin e shitjes dhe likuidimit të aseteve (në ankand) shteti mund të marrë në pronësi nëpërmjet blerjes, aktivin “rafineri” duke e çliruar këtë të fundit nga të gjitha pretendimet e kreditorëve të tjerë. Që të mundësohet ky opsion duhet të sigurohemi që aktivet e ARMO-s, përfshi rafinerinë nuk janë renduar me barrë siguruese pasi kjo skemë ‘take over’ do të vështirësohej pasi kreditorët e siguruar do të bënin të mundur marrjen në pronësi të “rafinerisë” përpara se të ndodhte shitja në ankand”, konkludon raporti.
Por edhe pse një pjesë e mirë e kredisë (ajo që kanë bankat shqiptare 47 milionë dollarë) është e siguruar marrja në pronësi e aseteve të ARMO-s, nuk solli asgjë të re. Për më shumë se dy vite ato kërkuan në gjykatë marrjen në administrim të aseteve me qëllim shitjen e tyre, por të dy ankandet që janë zhvilluar deri tani s’kanë pasur asnjë të interesuar. Çështja kryesore që ka trembur blerësit potencialë, përveç borxheve të mëdha, është edhe statusi juridik i kompanisë, i cili nuk është i sigurt. Me ligjin e ri rastet si ai i rafinerisë së naftës ARMO zgjidhen. Në momentin që ligji për sektorët strategjikë, apo kontrata e miratuar në Parlament nuk parashikon falimentimin e tij, kompania i nënshtrohet juridiksionit të ligjit të ri për falimentin. “Në rast të paaftësisë paguese të një subjekti që ushtron veprimtarinë e tij në një sektor strategjik të deklaruar ligjërisht dhe që kryen një shërbim publik, zbatohet ky ligj me rregulloren e veçantë të përfshirë në 0, nëse nuk rregullohet me një ligj tjetër ose kur rregullohet me një të tillë, por i është hequr licenca”.
Prej kohësh, ARMO është në një situatë tejet të vështirë. Rafineria e Ballshit është mbyllur dhe vlerësohet se ajo nuk është eficiente, ndryshe nga ajo e Fierit që ka ende leverdi.
Në gusht të 2013, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85% të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes, Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO gjatë vitit 2014 përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre.
Ndonëse shteti ka ende 15% të ARMO-s, transparenca se çfarë po ndodh me rafinerinë e naftës dhe si janë krijuar këto borxhe tepër të larta, ndonëse të paktën në 2014-n dhe pjesën e parë të 2015, ajo ka pasur aktivitet, po mungon tërësisht.
Çfarë parashikon ligji i ri
Pas shumë vitesh, Parlamenti po shqyrton një ligj të ri për falimentin, i cili për herë të parë përfshin të dyja konceptet: riorganizimin e aktivitetit të shoqërisë që është në faliment dhe likuidimin total të saj. Edhe pse shumë vende në Europë sot njohin të drejtën e ristrukturimit të një ndërmarrje, pa e çuar atë domosdoshmërisht në faliment, Shqipëria nuk e kishte këtë. “Bankat janë shumë të hapura ndaj çdo forme që mund të japë shpresë ose mund të sigurojë kthimin e kredisë. Procesi i falimentit përmes riorganizimit nuk gjykohet më nga drejtuesit e kompanisë, por bëhet një plan biznesi, administratori i caktuar nga gjykata është ai që merr përsipër të miratojë ose jo këtë plan. Në qoftë se kreditorët nuk kanë vërejtje, pra japin dakordësi për këtë plan, ai testohet para se të shkojë në procesin e falimentit. Kjo është një mundësi që i jepet një biznesi të caktuar përmes një plani, nëse ai është i shëndoshë, është vital, që mund të garantojë kthimin mbrapa të parave që ka dhënë hua banka”, shprehet Spiro Brumbulli.
“Biznesi mund të shitet si një ndërmarrje në vazhdim, si një ‘ongoing concern’, jo si një faliment ku çdo gjë bëhet zero. Një risi që jo shumë vende e kanë, që është futur së fundi edhe në legjislacionin italian, është zgjidhja e konflikteve jashtë sistemit gjyqësor. Ndërmarrjeve iu jepet mundësia të bien dakord dhe të zgjidhin çështjet, ky është një model suksesi që e ka zbatuar Serbia dhe Mali i Zi, vende të cilat njihen që e kanë pasur të lartë portofolin e kredive me probleme. Duke u bërë zgjidhja jashtë sistemit gjyqësor, reduktohen ndjeshëm kostot për të dyja palët, në disa raste shmanget falimenti i të gjithë kompanisë dhe jepet mundësia për ristrukturimin e kredisë, por dhe shëndoshjen e firmës nëse ajo ka shanse”, – sqaron Selami Xhepa.
Por pika më e fortë e ligjit të ri janë afatet. Nëse më parë, të duheshin vite për të shpallur falimentin, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, atë e bën brenda 5 ditëve. “Risia më madhe ka të bëjë me shpejtimin e procedurave të falimentit, duke vendosur Gjykatën e Falimentit në thelb të çdo gjëje, dhe kufizimin e së drejtës së apelimit të vendimit të kësaj gjykate. Pra, shkurtohet mjaft koha duke bërë që kreditori dhe debitori të mos sorollaten përjetësisht në gjykata”,- shton Xhepa.
Skemat e mashtrimit që administratorë të ndryshëm të kompanive bënin për të marrë paratë e për të lënë në banka kredinë pa paguar me këtë ligj jo vetëm që ndalohen, por edhe hetohen. Një sërë organesh shtetërore bëjnë kërkime në shoqërinë që do të shpallë falimentin dhe konstatojnë nëse ka apo jo përgjegjës në këtë situatë. “Ligji cakton përgjegjës për herë të parë edhe organet drejtuese të shoqërisë që shkon në faliment. Mund të kesh qenë drejtues, mund të kesh qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, nëse ke pasur dijeni për paaftësinë paguese të shoqërisë, e cila e çon atë në faliment, ju mund të penalizoheni deri në kontrollin e llogarisë dhe pasurisë tuaj, por dhe përjashtimin nga 1 deri në 5 vjet të ushtrimit të profesionit”, vlerëson si një pikë mjaft pozitive Spiro Brumbulli.
Edhe pse nuk është pranuar me zë të lartë, një pjesë e mirë e bankave kanë dyshime për marrëveshje abuzive që drejtues të tyre me drejtues të kompanive që kanë marrë kredi nuk kanë bërë në mënyrë të saktë analizat e riskut për huat e dhëna, duke e bërë aftësinë paguese të kredisë efektivisht nul. “Përfshihen aktorë të tjerë për të zbardhur skemat e mashtrimit, si prokuroria, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe instanca të tjera”,- thotë Selami Xhepa. Për të është e domosdoshme që sistemi financiar i ekonomisë të jetë i mbrojtur me ligj, por nga ana tjetër, të ketë edhe zbulueshmëri të krimeve ekonomike të cilat shkaktojnë më pas probleme edhe në sektorë të tjerë.
Sa e zgjidh ligji problemin e kredive të këqija?
“Qartëson shumë koncepte, qartëson shumë procedura, i jep gjithsecilit vendin e vet, krijon shumë struktura të reja që merren vetëm me procedurën e falimentit. Industria bankare ka qenë e interesuar për të parë hartimin e ligjit në përputhje me detyrimet që një biznes që shkon në faliment ka ndaj industrisë bankare. Kjo është pasqyruar, sepse detyrimet që ka biznesi që shkon në faliment dhe që ka kredi ndaj bankave të llojeve të ndryshme, janë kreditë e siguruara dhe janë të parat në listë. Brenda këtij grupi ruhen të gjithë përparësitë se si një kolateral mund të jetë vendosur në disa banka për marrjen e kredive”, -thotë përfaqësuesi i bankave në Shqipëri, z. Brumbulli.
Në parim, të gjithë vlerësojnë nyjet e komplikuara që ligji nxirrte në sistemin e kompanive por dhe të vetë bankave që prisnin të ekzekutonin kolateralin. Por ajo që nuk dimë ende është çështja se sa do të zbatohet në të vërtetë ky ligj? Spiro Brumbulli nuk nguron të hedhë hije dyshimi në këtë anë: “Ne në Shqipëri kemi dhe një problem tjetër, që ligjin e kemi shumë të mirë por varet sesi zbatohet, unë nuk dua ta paragjykoj zbatimin e këtij ligji, edhe pse për momentin janë një grup kompanish me detyrime shumë të mëdha ndaj industrisë bankare, me kredi të pakthyera, ato janë kredi të humbura. Zgjedhjet janë individuale, secila bankë, pas miratimit të ligjit, mund të ketë të drejtën si kreditori kryesor që të kërkojë falimentin e një shoqërie. Faliment do të thotë që ngrin veprimtaria, nuk zhvillohet më veprimtari, merret në administrim nga një administrator që vendos Gjykata e Falimentit dhe kalon në shitjet e aseteve për të riparuar aq sa mund të riparohet”.
Në Shqipëri janë të shumta rastet kur biznesmenët që falimentojnë, kërcënojnë bankat që të mos shesin kompaninë e tyre, por edhe blerësit të cilët nuk duan të rrezikojnë e të marrin një pronë të pasigurt. “Ligji krijon mundësitë që çështjet të zgjidhen me shpejtësinë e duhur, me kosto sa më të ulëta, por mendoj që ka dhe faktorë të tjerë shumë thelbësorë, që kanë të bëjnë me çështjet kulturore të mënyrës se si janë këto lloj aspekte të tregut në Shqipëri, të cilat më bëjnë skeptik për eficencën e zbatimit praktik të ligjit”,- shprehet Selami Xhepa. Kjo mendësi, për të, merr peng sistemin bankar dhe ekonominë e vendit. “Procesi i falimentit kërkon dhe një ambient kulturor të përshtatshëm ku sipërmarrësit duhet të pranojnë çmimin e dështimit të tyre dhe duhet të kuptojnë që eksperimentet kanë një kosto. Duhet të përpiqen të reflektojnë këtë lloj mendësie, në mënyrën se si bëjnë biznes. Në të kundërt, ne do të mbajmë peng edhe sistemin bankar, por edhe vetë sipërmarrjet private. Ndërmarrjet private mund të rivitalizohen duke ndryshuar pronësinë duke i dhënë vlerë edhe atij kolaterali që është lënë në banka dhe që pronari që e ka lënë nuk është në gjendje t’i nxjerrë fitim”, thotë ai.
Shoqata e Bankave e pranon që në shumë kredi të cilat kanë dalë në shitje, blerësit nuk afrohen. Kjo në disa raste për shkak të mentalitetit të ndërmarrjes që ka falimentuar, por nuk mbetet pas as ndryshimi i koniunkturës së tregut dhe ambienti ekonomik. “Ligji zgjidh anën juridike, të mos kontestimit më dhe të marrjes dhe hapjes rrugë të procedurës së nxjerrjes në shitje. Janë dy gjëra: njëra është që të kemi procedura të pakontestueshme që secila palë të jetë e ndërgjegjshme dhe e qartë nga fillimi deri në fund se çfarë bëhet me një kontratë kredie dhe në çdo rast, siç është dhe rasti i falimentit, dhe situata e dytë ka të bëjë me realizimin e shitjes. Realizimi i shitjes është një gjë tregtare, varet nga kërkesa që mund të ketë tregu për këto asete që janë në shitje, mund të jenë me vlera të mëdha dhe mund të mos jetë për momentin preferencë e blerësve të mundshëm, mund të ruhet për një periudhë kohe dhe të dalë më vonë në shitje”, – thotë z. Brumbulli. Për të, çdo lloj rasti bankat e gjykojnë vetë se kur është moment i duhur për ta shitur. “Këto janë çështje që çdo bankë i gjykon vetë, por e rëndësishme është të shkojmë deri tek ajo pikë, pra të mos jenë të kontestueshme dhe të mos ndodhemi në procese të pafundme me gjykatën ku kundërshtohet çdo vendim, çdo pjesë e procedurës etj. Në këtë aspekt, ky ligj krijon këtë avantazh, procedurën e çon deri në këtë pikë, pastaj kur fillon shitja e aseteve, a realizohet kjo brenda kësaj periudhe që parashikon procedura e falimentit apo jo, kjo varet edhe nga kushtet e tjera, nga aktorët e tjerë në treg, nga kërkesa që mund të ketë për këto asete”,- nënvizon ai.
Bankat shprehen se nuk kanë si qëllim në vetvete falimentin me çdo kusht të biznesit dhe se janë të hapura për të shpëtuar degë të tij që mund të ripërtërihen, por argumenti që japin është se janë biznes për vetë dhe nuk duhet të falimentojnë edhe ato vetë. “Bankat nuk duan që me patjetër biznesi të falimentojë me qenë se nuk shlyen dot kredinë, nuk është ky qëllimi. Banka është një biznes për vete dhe sa më shumë biznese të gjalla dhe të shëndosha të ketë, aq më mirë është për bankën se aq më shumë treg ka. Ikën një biznes që nuk është i shëndetshëm dhe futet një tjetër në këtë fushë që gjallërohet dhe jep impulse në ekonomi. Ne nuk mund të vazhdojmë të mbajmë biznese që nuk mund të rriten dot më, që nuk mund të zhvillohen dot më. Se përse ato shkojnë drejt falimentit, kriza, performanca e dobët, koniunktura e tregut, janë arsye të ndryshme, por ato duhet të dalin jashtë që të mos infektojnë të gjithë sektorët”,- argumenton z. Brumbulli.
Paketa e plotë ligjore
Jo vetëm një ligj i ri për falimentin, por dhënia fund e problemeve që ka një biznes për të shpallur mbylljen e tij në Shqipëri duhet të rishikonte edhe dy kode e dy ligje të tjera. Kodi Civil, pikësëpari, ndryshoi dy nene, të cilat përcaktojnë radhën se kush është i pari që duhet të vjelë detyrimin. Ai njeh që çdo debitor ka përparësi të njëjtë, por më tej në varësi të rasteve përcakton palën e siguruar të parën, detyrimet nga pagat të nevojshme për ushqim e kështu me radhë. Ky nen i Kodit Civil nuk do të funksionojnë më në situatën e falimentit. Përparësia e shlyerjes së debitorëve do të ndjekë radhën që ka vendosur ligji i ri.
Kodi i Procedurës Civile ndryshon po ashtu disa nene të tij, por ai më i rëndësishmi është ulja e vlerës së pronës që del në shitje deri në 30% të masës që e ka vlerësuar përmbaruesi në ankandin e dytë. Me këtë ndryshim synohet që të përshpejtohet sa më mirë çështja e marrjes së parave nga asetet që bankat kanë të lëna peng. Në shumë raporte, Banka e Shqipërisë është shprehur e shqetësuar për situatën ku ndodhet sistemi bankar “i cili nuk është një biznes imobiliar” ka ironizuar ajo për sasinë e madhe të pengut që është lënë në këtë sektor. Vështirësitë në shitjen e mallit dhe rënia e fuqisë blerëse, me sa duket, po bëjnë që institucionet shtetërore të zgjidhin këto çështje, duke e joshur tregun me çmim.
Ligji për përmbarimin gjyqësor dhe ai për përmbarimin gjyqësor privat vjen në vazhdën e suksesit që duhet të ketë përmbaruesi për të ekzekutuar kolateralin. Çështja e kredive me probleme është një problem kombëtar, ka thënë disa herë kreu i Bankës së Shqipërisë, pasi ajo rrezikon të gjithë sistemin ku janë dhe depozitat e qytetarëve. Për këtë arsye, për herë të parë, përmbaruesit marrin një tarifë suksesi nëse ata e çojnë deri në fund zgjidhjen e problemit të një prone. MONITOR