Grupi i binzesmenëve kinezë që kanë në pronësi Interin, Suning, është gati të punësojë me një ofertë mjaft të mirë financiare trajnerin e kombëtares shqiptare, Xhani De Biazin.
Sigurisht që nuk bëhet fjalë për t’i besuar stolin e skuadrës së njohur italiane, por bëhet fjalë për një tjetër skuadër që ata kanë në pronësi, Jiangsu Suning, ekip që luan në Super Ligën e Kinës.
Sipas raportimit të mediave përtej Adriatikut, drejtori sportiv i përbashkët i Interit dhe Jiangsu Suningut, Valter Sabatini, dëshiron të ketë një trajneri italian në krye të skuadrës kineze në mënyrë që ta ketë më të thjeshtë zbatimin e projekteve të tij për bashkëpunimin mes dy klubeve.
De Biazi është ende në drejtimin e kombëtares shqiptare, por pas ndeshjes të së dielës në Izrael, pritet që të japë dorëheqjen për të filluar një tjetër aventurë.