Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë i kanë dërguar sot kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, një kërkese për ndryshimin e kohës së debatit në Kuvend ditën e nesërme, për marrëveshjen e Portit të Durrësit.
Në letrën që mban firmën e 18 deputetëve të PD dhe të Partisë së Lirisë thuhet se për këtë çështje është përcaktuar një limit kohor jo më shumë se 6 orë që me një përllogaritje të thjeshtë, për çdo deputet është planifikuar një kohë prej 2,57 minuta.
Sipas 18 deputetëve, Porti i Durrësit është një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë dhe për këtë arsye është i nevojshëm një debat të i plotë publik duke i mundësuar çdo deputeti të shprehet në lidhje me këtë çështje.
Kështu ata kërkojnë :
Ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare si më poshtë:
1. Të hiqet limiti kohor prej 6 orësh në pikën 4 të Rendit të ditës,
2. Çdo deputeti t’i jepet e drejta të flasë 10 minuta në lidhje me këtë çështje,
siç Rregullorja e Kuvendit përcakton.