Presidenti polak Andrzej Duda fitoi një mandat tjetër pesëvjeçar me platformën e tij konservatore sociale dhe fetare, pas një beteje të ashpër zgjedhore që ka të ngjarë ta thellojë izolimin e Varshavës në Bashkimin Evropian.
Rezultatet thuajse përfundimtare nga balotazhi i së dielës tregojnë se 48-vjeçari Duda ka marrë mbi 51 përqind të votave, duke i dhënë epërsi ndaj kryebashkiakut liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, i cili mori pothuajse 49 për qind, njoftoi Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve.
Duda, katolik i devotshëm, është aleat me partinë nacionaliste në fuqi Ligj dhe Drejtësi dhe fitorja e tij forcon mandatin e qeverisë për të ndjekur reformat në gjyqësor dhe në media, për të cilat Komisioni Evropian i thotë se minojnë standardet demokratike.
Fitorja e zotit Duda ka të ngjarë ta bëjë më të ashpër konfrontimin me Komisionin Evropian, ndërkohë që ekzekutivi i BE-së përpiqet të zgjidhë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19 dhe nacionalizmin në rritje në bllokun prej 27 anëtarësh.
Mbështetur nga Partia Ligj dhe Drejtësi, zoti Duda zhvilloi një fushatë të ashpër në zgjedhjet që u mbajtën në një klimë pandemie. Fushata e tij u karakterizua nga një gjuhë homofobike, sulme ndaj mediave private dhe akuzat se Trzaskowski u shërben interesave të huaja në vend të atyre polake.
Kandidati Trzaskowski, i cili kishte deklaruar se do të përmirësonte marrëdhëniet e Polonisë me Evropën dhe do të përdorte fuqinë e vetos presidenciale për të mos lejuar ligje që do të minonin shtetin juridik, i hodhi poshtë akuzat.
Para se Partia Ligj dhe Drejtësi dhe zoti Duda të vinin në pushtet në vitin 2015, Polonia kishte një prej administratave më pro-evropiane në BE.
Përçarjet ka të ngjarë të dalin më tepër në pah këtë javë, kur udhëheqësit e BE-së të diskutojnë për buxhetin afatgjatë të bllokut dhe ku Brukseli do të përballet me thirrje në rritje që financimet të kushtëzohen me respektimin e shtetit ligjor./ VOA