Aktualitet

Politika shqiptare uron Kurban Bajramin,mesazhet e Metës, Ramës dhe Bashës


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:08 - 20/07/21 |
Opi Nion

Politika shqiptare ka uruar këtë të martë festën e Kurban Bajramit, një ditë e shenjtë për të gjithë besimtarët myslimanë.

Presidenti Ilir Meta përmes një statusi në “Facebook”, bëri thirrje për sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati e dashuri në familje.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, me rastin e kësaj feste të shenjtë dhe vëllazërore, që na fton në sakrifica për forcimin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe kapërcimin e çdo pengese, që frenon ndërtimin e një Shqipërie plotësisht europiane! Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit! Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë. ‘Tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve)  por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj’. Zoti ua pranoftë adhurimin dhe lutjet”, shkruan Meta.

Kryeministri Edi Rama uroi besimtarët me një video nga xhamia e Et’hem Beut në kryeqytet. “Gëzuar Kurban Bajramin”, shkruan kreu i qeverisë.

Sakaq, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi shqiptarët duke thënë se duhet të mbizotërojë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë.

“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë! Ju uroj nga zemra Gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit!

Sakrificat dhe lutjet tuaja qofshin të pranuara! Në familjet tuaja mbizotëroftë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët! Tradita juaj e ndarjes së të mirave me të afërmit dhe fqinjët në nevojë është shenjë e madhe e përgjegjësisë që ju ndjeni ndaj vendit.

Zoti ju bekoftë juve dhe familjeve tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, shkruan Basha.

Pas