Nga Akademia e Sigurisë, ku studentët ekselentë të universiteteve të tjera që duan të futen në polici do të nisin studimet, kryeministri Edi Rama tha se policët në moshë madhore do të angazhohen në ruajtjen e institucioneve, për të bërë një tranzicion të butë të brezave në Policinë e Shtetit. Kjo strukturë e re që do të krijohet, do të shmangë në shumë raste kontraktimin e policive private, për të cilat kryeministri tha se thithin fonde publike dhe nuk japin shërbimin e kërkuar.
“Besoj që me një reformë që ministri i Brendshëm po udhëheq dhe me krijimin e një strukture të re që do të jetë strukturë shërbimi e Policisë së Shtetit në formën e një ndërmarrje që do ofrojë shërbim për ruajtjen e objekteve, do të krijohet mundësia për tranzicion të butë për oficerët më të moshuar dhe për të marrë më shumë të rinj, duke iu krijuar më të moshuarve që të vazhdojnë të kenë një pagë dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle të policisë private, që shpeshherë janë thithëse të mëdha të nevojave publike dhe shpeshherë nuk e ofrojnë kurrsesi atë shërbim që mund të ofrojë Policia e Shtetit. Një ndërmarrje moderne që do të sigurojë ata që shkojnë në një moshë të caktuar të vazhdojnë të shërbejnë”, u shpreh Edi Rama.
Më tej kryeministri foli edhe për nismën më të re, atë që rekrutimit të studentëve ekselentë në Policinë e Shtetit.
“Praktika e hapjes së dyerve të Akademisë së Sigurisë për studentë të ekselencës nga fakultete të tjera, nga Fakulteti Ekonomik deri tek informatika, që i bashkohen trupës së Policisë së Shtetit duke sjellë dije të reja e mbi të gjitha një kulturë të re. Për herë të parë Policia e Shtetit bën një thirrje për studentët ekselentë, edhe në kuadër të Paktit për Universitetit. Në fund të një shkollimi gjashtë mujor dhe tre muaj praktikë, këta 52 studentë dhe studente do të jenë oficerë policie me gradën e nënkomisarit. Është vendosur një standard i ri, ai i njohurive të gjuhës angleze, sepse nuk mund të ketë polici kriminale bashkëkohore, nëse nuk ekzistojnë instrumentat për të jetuar në të përditshmen e zhvillimeve rreth nesh”, është shprehur Rama./Opinion.al