Kryetari i Njësisë Administrative të Fushës Kuqes në Kurbin është ndaluar nga policia.
Kjo e fundit bën të ditur se 55-vjeçari tentoi të përfitonte në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke në zonën e mbrojtur të Lagunës së Patokut.
“Tentoi të përfitonte një sipërfaqe toke në lagunën e Patokut, duke shpërdoruar detyrën, ndalohet kryetari i njësisë administrative Fushë Kuqe.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, në drejtimin e Prokurorisë, për një rast të shpërdorimit të detyrës, kanë ndaluar me inciativë shtetasin K.(F.) M., 55 vjeç, me detyrë kryetar i njësisë administrative Fushë Kuqe, Kurbin.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga veprimet hetimore dyshohet se ka porositur shtetas të ndryshëm, për të hedhur inerte në afërsi të lokalit të tij, në zonën e mbrojtur të lagunës së Patokut, me qëllim përfitimin e sipërfaqes së tokës”,-thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pushtimi i tokës”.