Policia konfirmon lajmin e grabitjes së shtëpisë së ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri. Ky informacion u publikua fillimisht nga gazeta partiake Rilindja Demokratike dhe u shpërnda edhe në media të tjera online.
Sakaq, policia përmes një njoftimi për mediat, deklaron se në këtë banesë jetonte nëna e ministrit.
“Gjatë natës, në rrugën “Maliq Muça”, persona të paidentifikuar, kanë vjedhur banesën e shtetases L. Gjiknuri, 67 vjeçe banuese në Tiranë, ku kanë marrë një shumë lekësh. Vijon puna per identifikimin dhe kapjen e autoreve”, thuhet në njoftimin që policia e shpërndau pas interesimit të medias.
Ndërkohë që RD-ja shkruante se banesa është grabitur dje në mesditë por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga Policia, kjo e fundit thotë se grabitja ka ndodhur gjatë natës.
Burimet e policisë thanë gjithashtu për Opinion.al se nëna e ministrit gjatë denoncimit ka deklaruar se shuma e grabitur është rreth 3 milionë lekë (të reja). /Opinion.al
*Shkrimi i Rilindjes Demokratike
*Shtëpia e ministrit, pak metra larg Ministrisë së Drejtësisë