Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë. Një person është qëlluar në një atentat tek gjimnazi ‘Partizani’.
Personi i plagosur, identiteti i të cilit ende nuk dihet, ka marrë disa plumba dhe është dërguar në spital.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në një lokal në rrugën ‘4 dëshmorët’ përballë gjimnazit ‘Partizani’.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Ende nuk dihet identiteti i të plagosurit.
Informacioni paraprak nga Policia:
Më datë 20.07.2017, rreth orës 21:11, në numrin e Emergjencave 112, ka ardhur telefonatë për të shtëna me armë në afërsi të gjimnazit “Partizani”.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se në rrugën “4 Dëshmorët”, është gjendur një shtetas i shtrirë dhe i gjakosur i cili është transportuar në spitalin “Ushtarak”, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja të qitura nga armë e llojit pistoletë.
Janë ngrit pika kontrolli në hyrje dalje të zonës dhe vazhdon krehja e territorit.
Grupi hetimor po vazhdon punën për saktësimin e gjeneraliteteve të të plagosurit dhe zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.