Pas 10 vitesh një gjykatë në Greqi ka vendosur sot që të dëmshpërblejë me 410,000 euro familjen e Nikolla Todit ,25 vjeçarit shqiptar të ekzekutuar gabimisht në 16 shkurt 2010 prej plumbave të policisë greke.
I riu u vra gjatë një përballje të armatosur mes policisë dhe një bande grabitësish shqiptarë. Banda në fjalë drejtohej nga një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Greqi, Marian Kolaj, edhe ky i ekzekutuar gjatë një tjetër përballje me policinë greke në afërsi të kufirit shqiptar në 21 korrik 2013.
Todi u vra me 4 plumba nga policia greke, që e ngatërroi me banditët në lagjen Virona të kryeqytetit helen. U deshën 10 vjet që të kalohen të gjitha fazat e gjyqësorit grek në një maratonë gjyqesh dhe ekspertizash të cilat më në fund dhanë drejtësi për familjen shqiptare Todi.
Sipas vendimit të gjykatës, shteti grek duhet të dëmshpërblejë bashkëshorten dhe djalin e mitur të viktimës, si edhe prindërit e tij për humbjen e pësuar ndërsa nuk pranoi rekursin e avokatit të shtetit, i cili kërkoi pakësimin e dëmshpërblimit për shkak të krizës financiare që po kalon vendi.