Policia e Shtetit, ditën e sotme, i është përgjigjur Partisë Demokratike lidhur me akuzat që kjo e fundit ka bërë për përfshirjen e uniformave blu në rastin e arrestimit të biznesmenit, Orest Sota.
Përmes një njoftimi për mediat, policia deklaron se akuzat e PD-së janë politikë dhe të pabaza, pasi është e vërtetueshme ndalimi dhe procedimi i biznesmenit.
Njoftimi i plotë
Përsëri Partia Demokratike sot akuzoi për qëllimet e saj dhe pa asnjë bazë Policinë e Shtetit, lidhur me ndalimin e shtetasit Orest Sota nga policia.
Policia e Shtetit është e detyruar të shprehë përsëri keqardhjen për këtë sulm politik, duke nënvizuar se ka bërë detyrën konform ligjit e të gjitha procedurave të kërkuara nga ligji.
Kjo është lehtësisht e vërtetueshme, siç është e qartë që shtetasin e ndaloi dhe e çoi për procedim penal, Policia e Shtetit jo akuzuesit e saj.
Policia e Shtetit shpreh edhe njëherë keqardhjen për përsëritjen e përditshme të akuzave që s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën dhe i bën thirrje Partisë Demokratike e të gjithë forcave politike, të mos bëjnë politikë duke përbaltur punën e uniformave blu.
Policia e Shtetit ka goditur dhe do të godasë pa asnjë diferencim, çdo shkelje dhe shkelës të ligjit, pavarësisht përfshirjes së qëllimshme që politika i bën asaj në axhenda të cilat nuk kanë të bëjnë asgjëkundi me misionin e me punën e policisë.
Policia e Shtetit pret mbështetjen dhe solidaritetin e opozitës në luftën kundër krimit, korrupsionit e shkeljeve të çdo lloji, jo luftën politike kundër saj kur ajo kryen detyrën për të cilën është krijuar e për të cilën paguhet nga taksat e popullit shqiptar.