Bllokimi i të gjitha mjeteve lundruese pas vdekjes së 16-vjeçares ruse në plazhin e Ksamilit solli pakënaqësi tek subjektet e licencuara të mjeteve ujore në plazhin e Durrësit.
Policia kufitare ka bllokuar lundrimin e çdo mjeti ujor, (motorë, skafe, mjete lundruese) pas vdekjes së ruses që u godit nga një skaf teksa lahej në plazh. Në rast të shkeljes së këtij urdhri, vendosen gjoba.
Por subjektet në protestë thonë që janë licencuar nga Bashkia e Durrësit, kanë marrë lejet përkatëse, i kanë stacionet e motorëve të ujit.
Ndaj ata sot kanë dalë në protestë pasi e shohin të paarsyeshme faktin që nuk lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Ata thonë se dëmi është shumë i madh. Pronarët kërkojnë anulimin e vendimit dhe të nisë aktiviteti që është bllokuar prej dy javësh.