Një shtetas, i identifikuar si Enea Sulejmani ka mbetur i plagosur nga një punonjës policie në Tiranë gjatë një aksioni në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mihal Duri”, gjatë momentit që stuktura operacionale në kuadër të një operacioni antidrogë ka tentuar të ndalojë një automjet tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë.
Sipas policisë, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të efektivëve për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Gjatë tentativës për t’u larguar, një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë Enea Sulejmani është plagosur.
Menjëherë ai është dërguar në spitalin e traumës ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Në automjet bashkë me të kanë qënë edhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e policisë. Gjatë kontrollit të mjetit policia ka gjetur një pako me rreth 1 kg kokainë./KlanNews