Shqipëria vijon betejën me zjarret, të cilat prej 24 orësh janë kthyer në një kërcënim serioz jo vetëm për banesat, bagëtinë e bujqësinë, por edhe jetët e qytetarëve.
Zonat më kritike vijojnë të jenë ende Poliçani, Delvina dhe Gramshi, në të cilat që prej së martës po luftohet nga toka e ajri për shuarjen e flakëve.
Në Poliçan, flakët i janë afruar fshatit Plashnik, ku është bërë evakuimi i menjëhershëm i banorëve.
Autoritetet lokale thonë se po bëjnë të gjitha përpjekjet për të menaxhuar situatën.
“Kemi një situatë shumë, shumë, shumë kritike. Nga momenti në moment po presim ndihmë nga ajri dhe mezi po nxjerrim banorët nga shtëpitë e tyre”, u shpreh Adriatik Zotka, kryetari i Bashkisë së Poliçanit.
Pas natës së vështirë që Delvina kaloi të martën, ku zjarri mbërriti deri në lagjet periferike të qytetit, flakët janë rishfaqur duke djegur një shtëpi, një stallë dhe plantacione me ullinj e bimësi.
“Kjo që na ka ndodhur, s’na ka bërë vaki. Kurrë në Delvinë.”
Nisur nga rreziku i lartë, autoritetet urdhëruan evakuimin e banorëve të zonës dhe ndaluan hyrjen e personave të tjerë.
300 efektivëve të angazhuar nga terreni, së bashku me 24 mjetet zjarrfikëse, u janë shtuar edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore për ndërhyrje nga ajri. Banorët janë duke bërë vlerësimin e dëmeve.
Problematike paraqitet situata edhe në malin e Sopotit, ku zjarri po i afrohet territorit të Bashkisë së Gjirokastrës.
Në shtatë fshatra të Gramshit, gjendja paraqitet më e qetë, megjithatë një vatër është aktivizuar në fshatin Nartë të Njësisë Administrative Skënderbegas, ku zjarri po përparon me shpejtësi.
“Era e fortë ka bërë të mundur që flakët të përparojnë me shpejtësi, gjë e cila ka bërë të marrim një vendim për evakuuimin e banorëve”, u shpreh Arben Cara, drejtues i Zjarrfikëses.
Për këtë qëllim, Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta, ku deri më tani janë evakuuar rreth 30 familje në qytet.
Mësohet se të paktën 36 shtëpi janë djegur në këto fshatra. Po ashtu, humbje të mëdha ka në bagëti e bujqësi.
“Tërë plaçkat… siç kam punuar 70 vjet. Plasa unë të shpëtoj vet… ç’e desha unë jetën time?”, u shpreh e prekur një prej banorëve.
“S’e mbajta dot objektin, punën time 35-vjeçare”, tha një banor tjetër.
Zjarre ka edhe në veri, ku më serioze paraqitet situata në fshatin Xath të Fushë Arrëzit, dhe ku po vijon puna për mbajtjen e situatës nën kontroll.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra janë ende aktive.
Tv Klan

















