Aktualitet

“Polic ke qenë dhe do mbetesh”/Shfajësohet Lleshaj:Jo në kuptim pezhorativ


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 18:34 - 30/10/20 |
Al Do

Seanca e djeshme plenare në Kuvend rezervoi një episod jo të këndshëm për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Kreu i policëve, me të cilët identifikoi edhe veten e tij në marrje të mandatit, anatemoi deputetin Myslym Murrizi me fjalët “polic ke qenë dhe polic do mbetesh”. Kjo frazë krijoi habi për faktin se termit polic u duk sikur iu dha kuptimi tallës.

Por një gjë e tillë është mohuar sot nga ministri Lleshaj i cili ka kërkuar ndjesë duke shtuarse replika ndaj deputetit u bë për shkak të sulmeve të ulëta të tij ndaj Policisë së Shtetit.

Në një reagim në rrjetet sociale Lleshaj shkruan se “nuk i përdor në kuptim pezhorativ fjalët polic, ushtar apo kapter” pasi sipas tij “ata që personifikohen si të tillë janë ndër njerëzit më dinjitozë të këtij vendi”.

Më tej ai shton se i ka thënë deputetit Murrizi “polic” për t’i kujtuar se ka qenë pjesë e policisë financiare në vitet 90 dhe “për t’i thënë se ai nuk e ka të drejtën morale të përbaltë Policinë e Shtetit”.

Ndërsa më poshtë shkruan se “as nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje që t’i drejtohem deputetit Murrizi si polic, në kuptimin e punonjësit të sotëm të Policisë së Shtetit” dhe se deputeti Murrizi “është i skualifikuar në mënyrë absolute nga mundësia që të cilësohet si polic”.

MESAZHI I PLOTË I MINISTRIT LLESHAJ:

  1. As dje dhe asnjëherë unë nuk i përdor në kuptim pezhorativ fjalët polic, ushtar apo kapter, për arsyen e thjeshtë se e di mirë se ata që personifikohen si të tillë janë ndër njerëzit më dinjitozë të këtij vendi, profesionistë, patriotë, trima dhe plot dinjitet. Ata i japin këtij vendi shumë shërbim, sakrificë dhe nder.
  2. Në daljen e parë publike si Ministër i Brendshëm, jam shprehur se qytetarët duhet të më shohin mua si ministër, tek çdo punonjës i Policisë së Shtetit, duke u IDENTIFIKUAR kështu personalisht me secilin prej tyre.
    Ky identifikim me ndërgjegje të plotë me policët e Shqipërisë është më shumë se sa respekt për shërbimin e tyre. Dhe ata e dinë shumë mirë këtë gjë.
  3. Replika ime e djeshme u bë në përgjigje të sulmeve të ulëta të deputetit Murrizi kundër Policisë së Shtetit, kundër etiketimeve të tij ndaj saj dhe në përpjekje për të sqaruar se, as deputetët nuk qëndrojnë mbi ligjin dhe se Policia nuk e ka tagrin për të zbatuar ndonjë ligj tjetër ndaj deputetëve, të ndryshëm nga ai që zbatohet për qytetarët e tjerë.
  4. I ndodhur përballë një ndërprerje të padenjë të fjalës time dhe agresionit verbal nga deputeti Murrizi, i kam kujtuar atij se ka qenë polic në Policinë famëkeqe Financiare të viteve 90-të, pikërisht për t’i thënë se ai nuk e ka të drejtën morale të përbaltë Policinë e Shtetit, e cila gëzon sot vlerësimin më të lartë të qytetarëve dhe të partnerëve.
  5. As nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje që t’i drejtohem deputetit Murrizi si polic, në kuptimin e punonjësit të sotëm të Policisë së Shtetit, për arsye se me qëndrimet e tij të padenja ndaj Policisë, me fjalorin e tij që përbëhet vetëm nga disa fjalë vulgare të huazuara kryesisht nga zoologjia dhe me biografinë e tij të shkurtër prej disa rreshtash është i skualifikuar në mënyrë absolute nga mundësia që të cilësohet si polic.

Vetëm sa i kam përmendur faktin se ka qenë polic në Policinë e dikurshme Financiare. Edhe një herë, ndjesë kujtdo që mund të ketë keqkuptuar reagimin tim të djeshëm! /Opinion.al

Pas