Alexei Navalny, lideri i opozitës Ruse, i cili u helmua pak kohë më parë me një agjent nervor, ka treguar eksperiencën e tij të vështirë drejt shërimit si dhe momentet e para pas helmimit.
Navalny është shprehur se procesi i shërimit është një rrugë e vështirë me netë pa gjumë dhe lëvizje të “ngathëta”.
“Fillimisht ndjeva të dridhura, pa dhimbje, por mu duk si fundi. Nuk dhemb aspak, nuk është si një sulm paniku ose ndonjë lloj shqetësimi. Në fillim e di që diçka nuk po shkon mirë, dhe pastaj i vetmi mendim i joti është: kaq ishte, do vdes.”
Megjithatë, ai shtoi për BBC Rusia se është shumë më mirë tashmë dhe këmbënguli se eventualisht do të kthehet sërish në Rusi.
Navalny u takua me stafin e BBC në një hotel në Berlin ku ai ruhet nga siguri e lartë pasi kaloi 32 ditë në spitalin Charité, pjesën më të madhe të kohës në kujdes intensiv.
Ai humbi ndjenjat në një fluturim nga Tomsk në Siberi për në Moskë në 20 gusht dhe mbijetoi vetëm sepse piloti bëri ulje emergjente në Omsk, ku ai u dërgua për në kujdesin intensiv.
Më vonë, pas negociatave të nivelit të lartë me autoritetet ruse, ai u dërgua në Berlin dhe u trajtua atje.