Policia e Tiranës ka arrestuar një 30-vjeçar në lidhje me plagosjen e shtetasit J. A., 28 vjeç në zonën e Freskut më 2 gusht.
I arrestuari, së bashku me një person tjetër të shpallur në kërkim akuzohen se kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e ngjarjes dhe për të përkrahur autorin.
“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 02.08.2025, në Fresk, ku u plagos me armë zjarri një 28-vjeçar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë arrestuar shtetasin A. D., 30 vjeç dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin D. H., për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit në krim”. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit J. A., 28 vjeç, kanë kryer veprime (lëvizje dhe fshehje të sendeve) për të penguar zbardhjen e ngjarjes dhe për të përkrahur autorin e saj, shtetasin K. C.(L.), i cili është shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”,- bën me dije Policia./Opinion.al