TIRANE- Këngëtari Ernest Duka (Stine) është shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.1 në Tiranë, një ditë pasi u përfshi në një konflikt fizik me kolegun dhe shokun e tij, Flori Mumajesi. Burime nga policia bëjnë të ditur se Stine u është dorëzuar organeve kompetente dhe ende nuk dihet se sa do të qendrojë në ambientet e komisariatit.
Sherri mes dy artistëve ndodhi mbrëmë, në përfundim të koncertit “Kënga Magjike”. Nga burimet mësohet se Stine është mërzitur me Florin i cili nuk i dha pikë gjatë votimit.
Ngjarja ka ndodhur në pjesën nga mbrapa Pallatit të Kongreseve (ku është KQZ) kur artistët po largoheshin nga koncerti. Stine, sipas dëshmitarëve e ka qëlluar me një shishe në ballë Florin i cili pas mjekimit në spital është në gjendje të mirë.
Gjithçka pritet të sqarohet në polici përmes dëshmisë së Stines. Ndërkohë që mund të thirret për të treguar versionin e tij për ngjarjen edhe Flori.
Për veprën penale plagosje e lehtë me dashje (nëse dënohet) Stine rrezikon nga gjobë deri në 2 vite burg.