Nga Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI
Pas njohjes me rezultatet e “PISA-s” ose Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Studentëve (Programme for International Student Assesment) të OECD ose “Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim” (The Organisation for Economic Co-operation and Development) për periudhën 2009-2015, kishte plot kompetentë dhe njerëz të tjerë duke përfshirë plot pisa që folën për PISA-n, por pak persona dhe fare pak folën për pisat dhe pisat e Shqipërisë. Madje për çudi shumica që folën për PISA-n ishin në thelb pisa të paaftë, pseudoanalistë dhe sharlatanë që ushqejnë shoqërinë vetëm me cinizëm, përçarje, retorikë boshe dhe ide populiste të servirura nga armiqtë e shqiptarëve.
Në fakt, ndonëse rezultatet janë premtuese për Shqipërinë, në thelb jemi larg mundësive që kanë studentët shqiptarë dhe situata ndonëse ka trend përmirësimi përsëri nuk justifikon rënien drastike në cilësi krahasuar me cilësinë para viteve 90 dhe rënien që ka shoqëruar tranzicionin pa fund që po kalojmë. Është fakt që prej shumë vitesh, shumë pisa e kanë shkatërruar arsimin në Shqipëri dhe nga këto pisat më të mëdhenj janë brenda sistemit arsimor. Këto janë profesorucët që kanë shitur notat prej vitesh, ata që kanë ngatërruar profesionin e profesorit me profesionin e tregtarit ordiner apo më keq mashtrues, janë ata profesorët kopjacë që më shumë kanë përkthyer sesa kanë shkruar, janë ata “profesorë” që janë bërë profesorë ndonëse mezi kanë kaluar klasën jashtë shtetit, janë ata që janë bërë profesorë me tituj jashtë çdo afati ligjor dhe në shkelje flagrante të ligjit, sepse janë këto që menjëherë pas doktoraturës brenda pak muajve kanë marrë titujt prof. Asoc dhe Prof. Dr. etj. Janë pedagogët që janë punësuar si të tillë ndonëse s’kanë asnjë lidhje me punën që duhet të bëjnë dhe janë tërësisht anonim në fushën përkatëse apo shpesh edhe tërësisht të paditur sa edhe pyetjeve të studentëve u japin përgjigje pasi i mësojnë vetë disa ditë më vonë. Në thelb, këto janë pisat që e kanë bërë vërtet pis arsimin dhe janë përgjegjësit kryesor të shkatërrimit të cilësisë së arsimit në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, kësaj liste i duhen shtuar edhe pisat që arsimin e kanë kthyer në biznes, apo pisat që janë aq injorantë dhe pisa vetë sa të gjithë të tjerët i quajnë budallenj dhe vetë shpallen si zotët e së vërtetës. Këta pisa, kanë bërë pis së fundmi edhe të vetmen pjesë që i pati rezistuar dhe kjo ishte pjesa e gradave shkencore dhe e titujve akademik, ku prej kohësh bëhen doktorë por kanë mesataren 5 apo pak mbi 5-së dhe së fundmi po bëhen edhe profesorë të asociuar. Më pas, vijnë pisat e tjerë edhe më të rrezikshëm dhe këto janë pisat që me vendimmarrjen e tyre klienteliste, korruptive dhe idiote, kanë denigruar cilësinë në arsim dhe kanë shpërfytyruar çdo gjë me vlerë në vendin tonë.
Pa dyshim edhe studentët nuk janë aq të zellshëm sa të shkëlqejnë, por tek e fundit, për këto ka zgjidhje, profesorët e vërtetë do u thoshin këtyre ndal, ti s’mund të marrësh diplomë pa meritë dhe këtu mbaron historia. Personalisht jam pjesë e profesoratit universitar që në 2004, por unë dhe shumë pak kolegë e kemi të pamundur të ndryshojmë gjendjen, kur masa vë nota kot më kot dhe që është më e keqja, u mohojnë vlerësimin e drejtë pikërisht atyre më meritorëve. Në këto kushte, nevoja për një reformim tërësor të arsimit duke filluar nga verifikimi dhe sigurimi i cilësisë së profesoratit, sigurimi i një vlerësimi korrekt, ndëshkimi i kthimit të arsimit në biznes, janë vetëm parakusht për ringritjen ku duhet të cilësisë në arsim. Kjo pasi të gjithë të dhënat e provuara, tregojnë që inteligjenca midis studentëve shqiptarë është dukshëm shumë më e lartë sesa ajo e vendeve që kanë rezultate më të larta se në përfshi ato në krye. Megjithatë, kjo inteligjencë duhet të ushqehet, mentorohet dhe ndihmohet nga një sistem arsimor i cili ngrihet mbi bazën e meritës dhe trajtimit dinjitoz të figurës së mësimdhënies. Të gjithë kanë të drejtë të studiojnë madje edhe ato me mesatare 5-së sepse kjo është një e drejtë kushtetuese, e cila në këtë vit akademik u është mohuar pa të drejtë shumë maturantëve, por ama të drejtë të diplomohen kanë vetëm ata që përmbushin kërkesat sipas ligjit dhe që arrijnë rezultatet minimale me meritë. Jam i bindur që edhe ky shkrim shumë pisave nuk do u pëlqejë dhe do u duket pis, por kjo nuk paraqet rëndësi, pasi shumë nga ata janë në thelb analfabet funksional që interneti u ka dhënë zë. Përfundimisht, nëpërmjet PISA-s shikohet që arsimi është bërë shumë pis sikurse gjithë Shqipëria dhe së kombi ynë, kërcënohet nga pisat më pis që ka prodhuar njerëzimi.