1997-2017; 20 vite nga rënia e firmave piramidale në Shqipëri, rikthehet historia e ish-bosit të VEFA-s Vebi Alimuçaj dhe familjes së tij. Është arrestuar 6 ditë më parë, djali i Vebiut, Artan Alimuçaj 41 vjeç, i martuar dhe baba i një fëmije të mitur. Bashkëshortja e tij ka vendosur të flasë sepse ajo ështe e bindur në pafajësinë e të shoqit, i cili akuzohet për fshehje pasurie.
Artan Alimuçaj është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë në nëntor 2015, me 4 vite burg për “pastrim të veprës penale” ose fshehje pasurie. Po kështu Apeli në qershor 2017 ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke çuar në arrestimin e tij pak ditë më parë nga Policia e Tiranës.
Bashkëshortja e tij, e cila është një shtetase e huaj por që jeton që nga 2011 në Shqipëri thotë se ka të gjitha faktet që provojnë pafajësinë e të shoqit, i cili është dënuar për shkak se i ati ka hapur një llogari bankare prej 647 milionë USD në vitin 1996 në Hungari. Sipas saj, Vebiu ka hapur llogarinë dhe Artani asokohe 19 vjeç vetëm ka firmosur.
Bashkëshortja e Artan Alimuçajt, djalit të një prej njerëzve më famëkeq në Shqipëri, vendosi të jepte intervistën për Opinion.al në kushtet e anonimatit për publikun, për shkak se siç thotë ajo ndihet e kërcënuar dhe e paragjykuar nga opinioni publik dhe se se përndjek gjithandej fati i keq i të qenurit “nusja e Vehbi Alimuçajt”.
Gjithashtu këmbëngul se nuk është miliarde ashtu siç mund ta mendojnë shqiptarët por që jeton me qira dhe dy rroga të vogla. Madje gjatë intervistës thotë se dy vite më parë e kanë larguar nga puna pikërisht për këtë çështje.
Intervista
Ju jeni e para nga familja Alimuçaj që pranoni të rrefeni historinë tuaj. Ka shumë mister në fakt për vjehrrin, bashkëshortin tuaj?
Unë dua të tregoj të vertetën time. Sepse bashkëshorti im është dënuar, sipas mendimit tim dhe fakteve që disponoj padrejtësisht. Tani, ka qenë 19 vjeç në 1996 kur babai i tij, pronari i VEFA Holding hapi një llogari prej 647 mijë USD në Hungari dhe aty vendosi edhe emrin e bashkëshortit tim.
Gjykata shqiptare e dënon Tanin se pse i ati ka hapur një llogari bankare që im shoq nuk e ka përdorur kurrë. E akuzon për pastrim parash kur im shoq ka kërkuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Ka bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë, 1 vit më parë kur ministër ishte Ylli Manjani ku thotë se mund të autorizojë shtetin të terheqë këto para nga llogaria në Hungari. Nuk ka marrë asnjë përgjigje. E kemi thënë me zë të lartë edhe në gjykatë që nuk i pranojmë aktet e prokurorisë dhe viheni në dispozicion të drejtësisë për gjithçka.
Pra, po thoni se llogaria në Hungari e hapur para 21 vitesh nga Vehbi Alimucaj është e paprekur? Dhe as shteti nuk mund ti sekuestrojë ato para?
Në dijeninë time është e paprekur. Dhe mund të them se burri im me të cilin jam njohur në vitin 1999 nuk ka bërë kurrë asnjë veprim në këtë llogari. Nuk di çfarë mund të kenë bërë Vehbiu apo i vëllai Edmondi. Në akt-akuzën e prokurorisë është edhe një prokurë e vitit 1998 e bërë në Greqi sipas të cilës im shoq autorizon një shtetas hungarez për të terhequr paratë. Prokura është e falsifikuar. Ne kemi kërkuar të mos njihet si provë në gjykatë. Kjo edhe për faktin se as banka në Hungari nuk e ka njohur. Pra paratë nuk janë terhequr nga shtetasi hungarez.
Ajo çka im shoq ka thënë me ngul është se vihem në dispozicion si person juridik që shteti ti konfiskojë ato para. Nuk ka asnjë përgjigje nga minisria e drejtësisë për këtë çështje. Në vendimin e gjykatës thuhet se paratë duhet të konfiskohen por sot e kësaj dite vendimi nuk është ekzekutuar pasi banka hungareze nuk i njeh vendimet e gjykatave shqiptare.
Por, ama bashkëshorti juaj është arrestuar. Ka dy vendime, i Shkallës së Parë dhe i Apelit që e shpallin fajtor. Cilat janë veprimet e tjera ligjore që do të ndermerrni?
Ne nuk duam të fshihemi. Ne kemi ardhur enkas nga Greqia për të ndjekur rrugën ligjore dhe për të marrë pafajësinë. Dhe do të bëjmë çdo përpjekje deri në fund.
Po ju sqaroj se Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe ka nxjerr vetëm vendimin e shkurtuar. Ne presim që me daljen e vendimit të plotë ti drejtohemi Gjykatës së Lartë me rekurs. Gjithashtu avokati ka dorëzuar kërkesën që im shoq të gjykohet i lirë, pra jo në burg. Dhe për këtë kemi seancën ditën e enjte më 13 Korrik.
Artan Alimuçaj ka një dëshmi penaliteti të pastër dhe gjithashtu vazhdimisht kërkon bashkëpunim me drejtësinë kështu që s’ka pse të mbahet në burg derisa të shprehet dhe Gjykata e Lartë.
A mund të na thoni diçka më shumë për familjen tuaj?
Unë dhe Tani jemi njohur në Greqi në vitin 1999. Historinë e familjes së tij ma ka treguar më vonë pasi i druhej paragjykimit. Ne kemi një djalë në moshë të mitur dhe jemi kthyer të jetojmë Shqipëri në vitin 2011. Jemi kthyer vetëm për një gjë: Të marrë Tani pafajësinë dhe të jetojë si njeri i lirë. Pasi ne kemi qenë gjithë jetën të përndjekur, të paragjykuar… ne kemi patur mjaft peripeci… askush nuk na merrte në punë kur u kthyem në Shqipëri, vetëm për faktin se ai ishte djali i Vehbi Alimuçajt dhe unë nusja e tij.
Mund të them se dy vite më parë lashë punën vetëm për faktin se Tani ishte nëpër gjyqe. Im shoq mezi ka gjetur një punë në fabrikë, në fushën e logjistikës. Edhe unë kam një punë tjetër, me të cilën mbaj familjen. E di që opinion publik na paragjykon…dhe vetëm ata që na njohin e dinë se jetojmë në kushte të vështira ekonomike.
Po me familjen e bashkëshortit, pra me Vebi Alumuçajn si i keni marrëdhëniet. A po ju mbështet ai në këtë kauzën e pafajësisë së Artanit?
….Jo në fakt marrëdhëniet tona nuk janë të mira. Jo absolutisht që nuk na mbështet. I ati mund ta kishte nxjerr Tanin nga kjo mesele nëse do të kishte deklaruar se llogaria në Hungari është e tija. Por kjo s’ka ndodhur. Përkundrazi ai na ka kundërshtuar, kur ne kërkuar që të autorizojmë shtetin për sekuestrimin e asaj llogarie, Vehbiu tha JO.
Vjehrri im tani është në moshë të thyer dhe me probleme shëndetësore pasi ka dalë nga burgu. Ai, bashkëshortja e tij, djali tjetër Edmondi me gruan dhe fëmijët jetojnë të gjithë në Tiranë. Por ne nuk takohemi…
Diçka të fundit, meqënese bashkëshorti juaj do të jetë sërish përpara gjykatës të enjten 13 korrik?
Po e them me zë të lartë: Artan Alimuçaj është i pafajshëm. Ai nuk ka pasur kurrë asnje pretendim ndaj shumës se llogarise në Hungari. Ai nuk është fajtor por eshte viktime e veprimeve dhe mosveprimeve te babait te tij Vebi Alimucaj. Këtë poer paguajmë ne. Ai në burg dhe unë me djalin që jetojmë me frikë dhe me refuzim dhe racizem social te paprecedent vetëm se mbajmë mbiemrin Alimuçaj.
/Intervistoi: Riviera Dedaj Opinion.al
*Në foto: Artan Alimucaj
Lexo ne link lajmin per 1 milione dollaret e Vebi Alimucajt qe banka hungareze nuk ia kthen shtetit shqiptar