Te Fundit

Piperi i Lulit, tepsia e Monës dhe halla e Ramës që nuk bëhet dot xhaxha 


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 10:33 - 19/02/21 |
Semiljana Azizi

Nga Manjola Bregasi 

Një postim i Kryeministrit Rama i kthyer në lajm ngado, më tërhoqi vëmendjen mëngjesin e djeshëm.
“Po sikur të kishte sulmuar virusi para 7 vjetësh kur spitalet ishin deri edhe në këtë derexhe apo sikur largoqoftë edhe ne të kishim qenë si ata të para 7 vjetëve dhe të na kishte gjetur me ato farë spitalesh, a e imagjinoni dot se çfarë qameti do ishte bërë apo jo?”. Kështu shkruante Kryeministri në FB e tij, ndërsa krahasonte imazhe të sotme të Spitalit të Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan, me ato të 7 viteve më parë. Po sikur?

M’u kujtua shprehja e tij aq e pëlqyer: Nëse halla do të kishte k*qe do thërritej xhaxha. Në fakt Rama nuk ngurroi ta përdorë po vetë këtë frazë disa orë më vonë nga Vlora.
Me këtë argument, Kryeministri përpiqej të na bindte, se për këtë arsye ne duhej të votonim sërish mandatin e tij të tretë.
“Jo, sot spitalet nuk kanë asnjë krahasim me dje, por unë jam i pari që e di se ky ndryshim fantastik i infrastrukturës nuk mjafton, sepse duhet ta kryejmë deri në fund edhe ndryshimin që kemi nisur këto vite në organizimin e bluzave të bardha, menaxhimin e tyre, cilësinë morale e jo vetëm profesionale të shërbimit, duke pastruar deri në fund abuzuesit e batakçinjtë nga radhët e atyre bluzave!  Prandaj na duhet Mandati i Tretë”, shkruante Rama, në një frazë që më shumë se sa lexuesit, dukej sikur kërkonte të bindte vetë atë, si për të thënë se më shumë se sa me opozitën garën e ka me vetveten, por pa sjell dot një argument të paktën më të ri se 7-vjeçar.

Në momente të tilla, kur sfida e ekspertëve të komunikimit brenda partive politike është më e fortë se gara e programeve dhe argumentave, kur fushata kërkon ide origjinale që i sjellin liderët gjithmonë e më pranë ‘popullit’ si për t’i bërë të duken njësh me të,  një video e zonjës Kryemadhi ndryshoi shijen e mbrëmjes.
Rastësisht ose jo, edhe zonja Kryemadhi nga Elbasani, i bukuri Elbasan.

Në vizitën e saj në një familje në këtë qytet, ajo shfaqet me një tavë apo tepsi siç i thonë në dialekt, mbushur me bukë të pjekur. Dhe siç pohon, pasi ka folur për prioritetet e LSI, vendos t’u shpërndajë bukën të zotëve të shtëpisë.
“Bukë e kripë e ❤️ në shtëpinë e Gëzimit në Rajonin 3 të Elbasanit. Vërtetë varfëria ka prekur xhepat e qytetarëve por zemrat e tyre janë plot me dashuri dhe mirësi që i mban të fortë mes vështirësive. Pasi folëm për prioritetet e LSI në qeverisje i shërbeva me shumë kënaqësi bukën e ngrohtë të pasdites. #ShqipëriaShtëpiaJuaj”, shkruante Kryemadhi krahas videos së shpërndarë në Facebook.

Nëse qëllimi ishte të na tregojë se politikanët janë shërbyesit tanë, madje edhe kur na vijnë mysafirë në shtëpi, le të themi se zonja Kryemadhi bëri sikur ja doli. Logjikisht në traditën shqiptare mysafirët nuk shërbejnë, por mikpriten. Por mbase pa dashur zonja Kryemadhi dha një tjetër mesazh; që politikanët nuk janë aspak të mikpritur në tryezat tona, ndaj duke e ditur këtë ata po përpiqen “t’i pushtojnë” ato me të gjitha mënyrat, veçanërisht në këto ditë kur beteja për votën po dominon qartë luftën me Covidin.

Nga ana tjetër, kur fushata me video, foto e slogane duket se po dominon ambicjen e fikur të programeve, kur më shumë se mendjen, politika po synon të përdorë zemrën e votuesve, videoja aspak pikante e zonjës Kryemadhi, vjen pak ditë pas piperit të shumë diskutuar të zotit Basha, që për hir të së vërtetës, ndonëse pak i tepruar në pjatën që po gatuante, duket shumë më origjinal se tepsia me bukë e aleates së tij politike.
Por fushata sapo ka nisur dhe deri në fund të saj, kush e di se sa xhevaire te tjera do të shohim, nga ata që shpresojnë se me shkëlqimin e tyre do të na joshin për një mandat 4- vjeçar , ndërsa përpiqen të na shfaqen çdo ditë kaq të thjeshtë e të prekshëm.

Ndërkohë stomaku politik i shqiptarëve veç bukës dhe piperit duhet të tresë edhe hallën e shkretë të Kryeministrit, që pavarësisht të gjithave, s’mund të bëhet xhaxha. Dhe derisa e gjithë kjo të mbarojë, na duhet durim. Durim dhe stomak i forte sot, pa kush pyet çdo ndodhë 4 vjet më pas!

Pas