Drejtori i Agjencisë së Kadastrës në Lezhë, Gentian Malotaj, së bashku me përgjegjësin e Legalizimeve, Artur Shabaku janë pezulluar nga detyra.
Ata janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Lezhës për veprën penale “shpërdorim detyre” dhe në kuadër të këtij hetimi, prokuroria ka kërkuar pezullimin e tyre nga detyra, kërkesë që është miratuar nga Gjykata e Lezhës.
Mësohet se dy zyrtarët e Kadastrës kanë legalizuar një pallat në zonën e Kunes në Shëngjin në kundërshtim me ligjin.
Vendimi i pezullimit është ankimuar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa pak ditë më parë u pezulluan dhe 11 punonjës me akuzën për moszbatimin e një vendimi gjykate për mos kthimin në shtet të një sipërfaqe toke të tjetërsuar në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin.