Sipas mediave izraelite rreth tremijë vetë kanë nënshkruar një peticion në të cilin u kërkohet radiostacioneve lokale, e sidomos Army Radio dhe Galgalatz, të ndalojnë transmetimin e këngëve të këngëtares Dua Lipa, sepse ajo ka publikuar në Instagram para disa ditësh një postim anti-izraelit, ku mes të tjerash shkruan se ushtarët e IDF-së qëllojnë edhe mbi fëmijë.
Sipas gazetës „Jeruzalem Post” organizata e djathtë “Im Tirzu” u ka drejtuar një letër ministrit të Kulturës Chili Tropper dhe atij të Mbrojtjes Benny Gantz, ku shkruhet se “për shkak të fyerjeve kundër ushtarëve të IDF-së, antisemitizmit, shpifjeve, teorive konspirative dhe shtrembërimeve që përmban postimi që këngëtarja ndau në Instagram, nuk është e përshtatshme që një radio stacion i lidhur me IDF-në të vazhdojë të transmetojë këngët e saj.”
Dua Lipa, e cila ka në Instagram 46.3 milionë ndjekës, dënoi në postimin e saj “keqtrajtimin e fëmijëve palestinezë nga ushtria izraelite” duke e krahasuar atë me dhunën racore të policisë në SHBA./ DW