Bashkimi Demokratik për Integrim mbajti para pak kohësh Kongresin e tij të katërt, në të cilin u rizgjodh kryetari i partisë, Ali Ahmeti. Në Kongres nuk pati asnjë kandidat tjetër për postin drejtues të partisë shqiptare në pushtetin e Maqedonisë së Veriut.
Ai ka qenë një nga personazhet e vitit, përzgjedhur nga emisioni Opinion, ndërsa ka treguar se çfarë kanë fituar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Ta themi kështu simbolikisht, shqiptarët nga qiraxhinj në vendin e vetë janë bërë zot në shtëpinë e vetë. Po pse them unë kështu? Një popull, një komunitet ka flamurin e vetë kombëtar, që na përfaqëson, flamurin shqiptar edhe tre universitete në gjuhën e vetë amtare. Një popull që ka vetëqeverisjen e vetë lokale, që ka shërbimet e veta shëndetësore”, ka thënë ai.
Zoti Ahmeti është në krye të Bashkimit Demokratik për Integrim që nga themelimi i partisë në vitin 2002, menjëherë pas konfliktit të armatosur ku ai drejtoi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Asnjë kryetar partie në Maqedoninë e Veriut deri tani nuk ka qëndruar aq gjatë në post sa zoti Ahmeti./ Opinion.al