-Shëndeti

Përse duhet të flemë? Çfarë ndodh, nëse një njeri nuk fle fare?


               Publikuar në : 10:22 - 26/06/19 |
geliano fataj

Sa orë duhet të flejë njeriu dhe përse? Ka njerëz që natën kanë nevojë për vetëm katër ose pesë orë gjumë. E pas kësaj ata janë shumë të kthjellët, ose të paktën bëjnë sikur. Parë nga këndvështrimi i shëndetësisë, kjo është shumë pak. Trupi ynë ka nevojë për faza më të gjata qetësie për t’i rigjeneruar.

Përse duhet të flemë?
Njerëzit flenë mesatarisht një të tretën e jetës së tyre. Kohë e humbur? Aspak! Ne në fakt nuk e kuptojmë, por në trupin tonë ndodhin shumë procese në kohën që ne flemë. Gjumi i thellë dhe fazat e ëndrrave këmbehen në një ritëm prej 90 minutash. Në kohën e gjumit të thellë trupi ynë vazhdon të punojë zellshëm, si një kompjuter, që në sfond përditëson programet. Ai çliron hormonet e rritjes për rigjenerim dhe aktivizon sistemin imunitar, në mënyrë që qelizat mbrojtëse të shkatërrojnë viruset dhe bakteret. Ndaj kur jemi sëmurë duhet të flemë më shumë.
Në fazën e ëndrrave truri ynë përpunon përjetimet e ditës dhe si të thuash pastron disqet e memories afatshkurtër, që ato të mund të përdoren sërish të nesërmen. Por ne shohim në ëndrra edhe gjëra krejt të çuditshme, që s’kanë të bëjnë me të përditshmen apo jetën tonë private. Me këtë me sa duket stërviten sferat e trurit që nuk janë intensivisht të aktivizuara. Pa gjumë si trupit edhe trurit tonë i mungon koha e punës, për të cilën ato kanë nevojë urgjente.

Sa gjumë na duhet ne?
Se sa gjatë duhet të flejë njeriu, kjo varet prej moshës. Fondacioni në SHBA “National Sleep Foundation” rekomandon 14 deri në 17 orë gjumë për bebet e sapolindura (natyrisht jo njëherësh, por me ndërprerje). Fëmijët në shkollë fillore duhet të flenë nëntë deri në 11 orë. Të rriturit duhet të flenë çdo natë shtatë deri në nëntë orë. Më pak së gjashtë orë nuk duhet, sepse ka edhe një grup të vogël të rriturish që kanë nevojë për deri në dhjetë orë gjumë.
Ndaj duhet pasur parasysh, që jo vetëm pak gjumë, pro edhe shumë gjumë nuk është mirë. Nëse ndokush ripërtërihet pas dhjetë orësh gjumë, me gjasë vuan nga një gjumë jo i qetë, kësisoj trupi nuk arrin të rigjenerohet mjaftueshëm për tetë orë ndaj kërkon më shumë gjumë. Studiues të universitetit britanik Cambridge University kanë zbuluar gjithashtu, që njerëzit, të cilët flenë më shumë se tetë orë natën, janë më të rrezikuar prej hemorragjisë cerebrale.

Çfarë ndodh, nëse një njeri nuk fle fare?

Nën mbikëqyrjen e kujdesshme shkencore është provuar në persona vullnetarë të qëndrojnë deri në dhjetë ditë pa gjumë. Lënia pa gjumë jo më kot përdoret edhe si një metodë torture. Sa më gjatë të qëndrojë njeriu pa gjumë, aq më shumë probleme i dalin: rënie e temperaturës së trupit, dobësim i përqendrimit dhe aftësisë së perceptimit, mospjesëmarrje në jetën e mjedisit për rreth dhe pjesërisht humbje e plotë e kontrollit konjuktiv dhe motorik. Me fillimin e natës së dytë pa gjumë ulet koha e reagimit dhe kontrollit ndaj trupit në një nivel sikur të kesh në gjak alkool në vlerën 0,85 promile.
Studiuesit nuk janë të një mendjeje sa i përket çështjes nëse njeriu mund të vdesë nga pagjumësia afatgjatë. Kjo varet nga interpretimi i shkakut të vdekjes. Në raste të sëmundjes së rrallë të insomisë letale familjare pas rreth dhjetë ditësh së pagjumësisë pacienti mund të ndërrojë jetë. Por në këto raste shkaku direkt i vdekjes është dështimi i shumëfishtë i organeve./ Opinion.al

Pas