Rrëfimi i mrekullueshëm i një shkrimtareje, për një takim rastësor me shkrimtarin Adam Gopnik, me të cilin i bashkon dashuria për kryeqytetin francez. Ky artikull është botuar fillimisht tek “Rrëfime për të shkuar”, një publikim online i “Rrëfime Udhëtarësh. Mara Gorman është autore e “Udhërrëfyes për Udhëtime Familjare”
Mara Gorman
Ky artikull është botuar fillimisht tek “Rrëfime për të shkuar”, një publikim online i “Rrëfime Udhëtarësh. Mara Gorman është autore e “Udhërrëfyes për Udhëtime Familjare”
Atë natë që takova shkrimtarin amerikano-kanadez, Adam Gopnik, treni i tij nga Nju Jorku për në Delëuer ishte vonuar. Një fllad i lehtë frynte në vendparkim, teksa unë mbështesja kokën në sedilje; po djersija, edhe pse dera ishte hapur.
Deri në atë mbrëmje pranverore të 2011-ës, Gopniku kishte 25 vjet që shkruante për Nju Jorker. Ai ishte një intelektual, një njeri i letrave në gjendje të kombinonte njohuritë rastësore me një humor autoironik, saqë shpresoja që të mundja të prehesha në gjeninë e tij vetëm për një mbrëmje, pa thënë ndonjë budallallëk. Kontrollova në fshehtësi sqetullat.
Provova të mendoja atë që do të thoja kur ta takoja.
Gopniku do të fliste ditën tjetër, në një takim përkujtimor në Universitetin e Delëuerit, për poetin W.D.Snodgrass. Bashkëshorti im i dashur, Matt, duke njohur adhurimin tim të fortë për veprën e Gopnikut – dhe ndoshta atë vetë – ia kish dalë mbanë të përzgjidhej pjesëtari i fakultetit, që do të priste Gopnikun në aeroport dhe do ta nxirrte për darkë. Unë nuk kisha asnjë rol zyrtar në këtë komitet mikpritjeje, apo ndonjë arsye të veçantë për të qenë aty, përveç një admirimi të vazhdueshëm që kishte vazhduar, qysh nga koha kur kisha lexuar për herë të parë esenë e Gopnikut për John James Audubonin, tek përmbledhja ‘Esetë më të mira amerikane 1992”.
Kopja e “Nga Parisi në Hënë” – libri i Gopnikut në lidhje me pesë vitet që kishte kaluar në kryeqytetin francez, bashkë me familjen, në fundin e viteve 1990 – qëndronte në sediljen pranë meje, dhe unë përsërisja atë që mund t’i thoja kur ta takoja. Doja kaq shumë të lidhesha, t’i tregoja se e kuptoja dashurinë e tij për Parisin, për të cilën ai ka folur shumë bukur dhe shumë gjatë.
“Shkrimet tuaja janë shumë të rëndësishëm për mua. Kam lexuar çdo fjalë që ke shkruajtur për Nju Jorker”. Ufff.
“Edhe unë e dashuroj Parisin, njësoj si ju. Kam shkruajtur për të në blogun tim – madje kam përmendur edhe librin tuaj!” Prapë ufffff.
“Erdhi”, më shkruajti Matti me mesazh. Në momentin e fundit, vendosa të mbështetesha në makinë, në vend që të ulesha brenda saj.
Teksa ata vinin drejt meje, pashë Gopnikun të anonte pakëz kokën, sikur të bënte një pyetje. Ai u afrua, duke buzëqeshur, me pamje pak të çrregullt, më i shkurtër nga sa e prisja, por shumë i ngjashëm me fotografinë në kopertinën e librit të tij. Për fatin tim, nuk bëra asnjë budallallëk. Thjeshtë zgjata dorën, thashë emrin tim dhe një “Kënaqësi që ju takoj”. Por ai po më shikonte me vëmendje.
“A jemi takuar më parë?”, më pyeti, dhe unë qesha krejt spontanisht. Jo, isha e sigurtë që nuk ishim takuar, sepse nuk ka dyshim që do ta kisha kujtuar një takim të tillë. Jo, ne nuk ishim lidhur asnjëherë – po të mos mbash parasysh faktin, që ishin pikërisht fjalët e tij që e mbanin Parisin gjallë për mua.
*****
Dashuria për Parisin nuk është gjëja më origjinale që unë kam bërë ndonjëherë. Por ashtu si shumë njerëz – ashtu si vetë Gopniku – unë mbërrita tek kjo ndjenjë për këtë qytet, pa e përjetuar vetë, dhe më pas, realiteti ma konfirmoi. Ai ka shkruajtur se ka rënë në dashuri me Parisin, prej një polici francez në një poster: një reklamë e Air France, që nëna e tij e kishte gjetur diku, dhe e kishte vendosur në dhomën e tij për ta dekoruar, kur ishte 8 vjeç. “Koka ime ishte e mbushur me fotografi të Parisit’, shkruante ai. “Dhe doja të isha në to”.
Parisi u bë një ëndërr për mua në klasë të pestë, kur një herë në javë, për 30 minuta, unë dëfrehesha me tingëllimën e mrekullueshme të fjalëve të zakonshme – fille për vajzë, papillon për flutur, lundi për e hënë – teksa mësuesja ime i shkruante në letra posterash. Në një farë mënyre, të mësuarit e frëngjishtes u lidh menjëherë me dëshirën për të shkuar në Paris, vendlindjen e Madelines dhe djalit me tollumbace të kuqe. Ashtu si Gopniku, doja dhe unë të isha në ato fotografi.
Askush tjetër në familjen time nuk kishte ndonjë interes të veçantë për të vizituar Francën, dhe kështu, ai u shndërrua në një mision personal. Kolegjin e zgjodha bazuar në programin e tij për udhëtimet jashtë vendit, e madje një semestër jetova në një ndërtesë të quajtur Le Chateau, projekti i të cilës ishte bërë sipas një pavijoni në Pallatin e Fontainebleau.
Dhe pastaj, më në fund, në gusht 1990, në fund të verës kur mbusha 20 vjeç, mbërrita në Paris për vitin shkollor. Duke udhëtuar me autobus nga aeroporti Orly deri në Gare Montparnasse, i ngula sytë luanit kryelartë që qëndronte në mesin e rrethrrotullimit të Denfert-Rochereau, dhe mendova – siç do të më ndodhte shumë herë më vonë – se ai po priste pikërisht mua.
Ndonëse Gopniku kishte qenë kritik kulturor për Nju Jork Tajms, në kohën që jetonte në Paris, duke mbuluar gjithçka, nga zgjedhjet e deri tek grevat në shfaqjet e modës, ai ka shkruajtur tek kapitulli i parë i librit “Nga Parisi në Hënë”, se jeta e tij në kryeqytetin francez kish qenë kryesisht shtëpiake. Ai përshkruan vizitat në park, lojërat pinball në një kafene bashkë me të birin, Lukën, apo skenën ku vështronte një çift pleqsh që darkonin në një prej bistro-t e tij të preferuar, bashkë me qenin e tyre të verbër.
Gjërat më të dashura të Parisit për mua, ishin gjithashtu të përditshme. Edhe tani mundem të shoh veten time në moshë më të re, duke blerë një krepë me proshutë dhe djathtë, të mbushur me një sasi të bollshme piperi të zi dhe të mbështjellë me letër. E blija nga dritarja e vitrinës pranë Alliance Française, ku zhvilloheshin disa prej orëve të mësimit. Duke e shijuar të ngrohtë, kthehesha në të djathtë tek Rue du Fleurus, pranë fasadës së gurtë të shtëpisë së Gertrude Stein, me dritaret e saj të zbukuruara me kangjella ngjyrë të zezë. Këndrejtë dhe e ngushtë, rruga nuk jepte asnjë shenjë se çfarë kishte në fund, por unë ecja plot vetëbesim, teksa një rrip djathi i shkrirë më mbushte dorashkën, deri kur mbërrija tek gardhi me majë të florinjtë dhe rrëshkisja në Jardin du Luxembourg, aty ku kaloja pranë karuselit dhe teatrit të kukullave pa u ndalur, për të shkuar më pas drejt e tek shatërvani në qendër të kopshtit, për të kaluar orë të tëra në një karrike të vogël të lëkundshme, sikur kjo të ishte mbretëria ime private.
Përpara se të largohesha nga Parisi në maj 1991, pikërisht tek Jardin shkova për herë të fundit, duke u bërë fotografi statujave, ashtu sikurse një engjëlli me krahë të mëdhenj, podiumi i të cilit ishte i rrethuar me lule elektrike ngjyrë portokalli. Kjo fotografi do të varej më vonë në dhomën e konviktit, përfaqësuese e Parisit, ku unë isha e bindur në optimizmin e kollajtë të rinisë, se thjeshtë do të rikthehesha aty të jetoja dhe punoja, pasi të diplomohesha.
Kur kjo fantazi rezultoi të ishte pikërisht e tillë – asnjë udhëtim në Paris nuk bëra në 20 vitet e ardhshëm – ishin shpesh shkrimet e Gopnikut, fillimisht tek Nju Jorker dhe më pas në librin e tij, që më rikthyen. Teksa kalonte koha dhe bëhesha me fëmijë, rrëfimet e mia të preferuara ishin ato, ku Gopniku shëtiste qytetin nën shoqërinë e të birit, Lukës.
Më shijonin sidomos historitë se si vogëlushi Lukë magjepsej pas karuselit në Jardin du Luxembourg, duke përfshirë lojën e vjetër, ku kalorësit kapin rrathë me një shkop, teksa rrotullohen. Siç shkruante Gopnik, kjo lojë është origjina e shprehjes amerikane “të kapësh rrethin prej tunxhi”, por rrathët francezë janë të vegjël dhe prej kallaji, gjë që e bën lojën goxha sfiduese.
Gopniku dhe Luka riktheheshin vazhdimisht tek karuseli, deri kur, në faqet e fundit të librit, Luka, tashmë një 6-vjeçar, vërtitej në karusel dhe kapte rrathët, para syve të babait të tij, njëkohësisht krenar dhe melankolik, i cili “qante” faktin që familja do të nisej shumë shpejt për Nju Jork. Për Gopnikun kjo lojë – qëllimi i vetëm dhe çmimi i vetëm i të cilës ishte vetë eksperienca – përfaqësonte gjithçka që ai dashuronte për bukurinë dhe sharmin e Parisit, siç shihej prej syve të fëmijës së tij.
Kur më në fund u riktheva në Paris në 2008-ën, me bijtë e mi Tommy dhe Teddy – respektivisht 6 dhe 3 vjeç – nuk prita as 24 orë për t’u prezantuar Jardin de Luxembourg, i cili ka një kënd të madh lojërash pranë karuselit, aty ku djemtë luajtën me orë të tëra. Ishte fundi i qershorit, dielli shndërrinte, dhe rrallëherë bota ishte dukur kaq e mirë dhe në rregull, siç dukej kur djemtë e mi kacavirreshin dhe luanin pranë vendit ku kishin bredhur këmbët e mia, në moshë më të re.
*****
Dhe sigurisht, atë mbrëmje pranverore pothuaj tre vjet më vonë, me vetëm pak orë gjatë darkës për tapërçuar, doja t’i tregoja Gopnikut se sa i rëndësishëm ishte libri i tij për mua, si më kishte çuar në aq shumë vende ku dëshiroja të shkoja. Doja t’i tregoja, se edhe unë e kuptoja efektin rigjallërues, që ke kur i shpie fëmijët e tu nënjë qytet, që ndonjëherë akuzohet se është një muze, një relike e pluhurosur.
Dhe nuk kisha ide se si t’ia thoja.
Kështu që, në vend të kësaj, ndenja dhe dëgjova në makinë, rrugës për në restorant, teksa ai rrëfente se si kish ngrënë tek Ina Garten, dhe përmendte mikun dhe kolegun e tij Malcolm (Gladuell). Ishte sharmant, i rehatshëm me veten, krejt i vetëdijshëm se ishte personi më interesant në makinë. Këmbënguli që ne të zgjidhnim verën në restorant, por më pas u dorëzua përballë protestave tona dhe zgjodhi një shishe simpatike “Bordeaux”.
As nuk kishte shans që unë të quaja veten time shkrimtare, përballë një burri që e quante Nju Jorkerin si “Revista” gjatë bisedës, por shpresoja që të gjeja një mënyrë se si të përmendja, gjatë bisedës, blogun tim modest të udhëtimeve, sid he t’i tregoja se një prej postimeve fliste për vizitën tonë tek karuseli.
Sapo kishim porositur verën, ai më vështroi sërish, me të njëjtën shprehje habie, dhe tha: “Mara, nuk dua të bëhem i bezdisur, por jam i sigurtë që diku të kam parë. A ke qenë ndonjëherë në Paris?”
Epo, sigurisht që kam qenë.
“Ti ke dy djem të vegjël, bjondë, apo jo?”
Përsëri, po.
“Kjo është pra! Të kam parë tek karuseli në Jardin du Luxembourg disa vite më parë”.
Dhe kështu, momenti që kisha kërkuar, erdhi papritur. U pamë në sy, sikur të njiheshim prej kohësh. Sigurisht që më kishte parë, ashtu sikurse unë e kisha parë në faqet e librit të tij.
“Isha atje me familjen – është një traditë e përvitshme për ne, kur vizitojmë Parisin në verë. E mbaj mend veçanërisht atë vit, sepse ishte hera e fundit që Luka mund të bënte xhiro – këmbët i ishin zgjatur shumë. Mbaj mend që pashë ty dhe familjen tënde. Isha e sigurtë që ishit amerikanë”.
Kur përfundoi së përshkruari takimin tonë të rastësishëm, mu duk pothuaj i turpëruar. “Mbaj mend që pyesja veten, nëse kishe lexuar librin tim. Pothuajse erdha të të pyesja, nëse ai ishte arsyeja pse ndodheshe aty, por ti dhe familja jote dukeshit kaq të lumtur, saqë nuk doja t’ju shqetësoja”.
Më vonë, i kërkova të vendoste autograf në librin tim dhe ai shkruajti: “Për Maran – një mikeshë e panjohur nga Parisi!”
Unë kisha shkruajtur për udhëtimin tonë dyjavor në Paris, në faqen time të internetit. Kisha folur për faktin që Teddy kish lënë mendtë pas Kullës Eiffel, habinë e tij që ajo shfaqej kaq shpesh në panoramat e qytetit. Fola për ditët e mrekullueshme që kishim kaluar duke eksploruar aventurën e Marie Antoinettes në Versajë dhe kopshtin e Monet në Giverny, ku Tommy skicoi vetë të famshmen urë japoneze. Dhe padyshim, momenti më i rëndësishëm ishte kur Tommy kishte mbushur shkopin e tij me rrathë. Një moment që, pa e ditur, e kisha ndarë me njeriun që e kishte frymëzuar.
Ky artikull është botuar fillimisht tek “Rrëfime për të shkuar”, një publikim online i “Rrëfime Udhëtarësh. Mara Gorman është autore e “Udhërrëfyes për Udhëtime Familjare”
(Per me shume komente, analiza, reportazhe nga bota, vizitoni www.bota.al)