Aktualitet

Përgjimet,dosja e Arben Çukos shkon në gjykatë


               Publikuar në : 10:58 - 20/06/19 |
Opi Nion

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për gjykim dosjen e ish drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko dhe 4 të pandehur të tjerë, të cilët akuzohen për korrupsion.

Sipas prokurorisë nga përgjimi i biseda ka rezultuar se kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier.

Njoftimi

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë me datë 19.06.2019 ka paraqitur kërkesë për gjykimin e çështjes penale nr. 339/2 të vitit 2016 në ngarkim të të pandehurve:

  1. Arben Çuko (Ish Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
  2. Qerim Musha, akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
  3. Olsi Karagjozi, person që po vuan një dënim të mëparshëm, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
  4. Artur Balla, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 i Kodit Penal.
  5. Denis Llaftiu, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245, 25 iKodit Penal, ka rezultuar se:

Rrethanat e faktit:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, mbi bazën e akteve të referuara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë, me datë 28.12.2016, ka regjistruar procedimin penal me nr.339 të vitit 2016, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 i K.Penal,

Nga hetimet proaktive të kryera me metoda speciale të hetimit, si përgjimet telefonike, ambientale dhe vëzhgime, ka rezultuar se një grup personash, banorë të qyteteve të ndryshme të vendit, vepronin në formën e veçantë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian.

Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier.

Sqarojmë se më parë, po në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr.339 të vitit 2016, është paraqitur kërkesa për gjykim të 12 të pandehurve të tjërë dhe ndodhen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, akuzuar për veprat penale“ Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/2, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Hetimet vazhdojnë për evidentimin e secilit fakt penal të rezultuar gjatë hetimit të kësaj çështjeje dhe për autorët e veprës penale.

PROKURORËT

Dritan Prençi Vladimir Mara/ Opinion.al E.Xh.

Pas