Është sanksionuar me VKM mospjesëmarrja e administratës në fushatë. Pas disa ndëshkimeve që bënë ministrat e opozitës në qeveri, zv/kryeministrja Mandija ka propozuar vendimin që u miratua sot nga këshilli i ministrave. Pjesë e VKM-së është dhe ngritja e një task-force për monitorimin e situatës deri më 25 qershor.
Task Forca do të drejtohet nga zëvendës/kryeministrja teknike Ledina Mandija, e cila është zgjedhur në këtë detyrë nga Partia Demokratike dhe në përbërje do të ketë 4 nga ministrat teknikë të opozitës, ai i Brendshëm, i Drejtësisë dhe ministret e Arsimit dhe Financave.
Ndërkohë Partia Socialiste do të përfaqësohet nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, dhe Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj, dhe Eduart Shalsi i çështjeve vendore.
Po ashtu anëtarë do të jenë dhe sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, drejtori i policisë Haki Çako, drejtorja e administratës publike, dhe drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Vendimi i qeverisë që mban firmën e Edi Ramës, përcakton se administrata shtetërore mund të marrë pjesë jashtë orarit zyrtar të punës dhe larg mjediseve të institucionit në fushatë elektorale.
Punonjësit e administratës kanë të drejtë të angazhohen si komisioner zgjedhor, në të gjitha pjesët e procesit pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe të ketë marrë lejen me shkrim prej tij.
Ndërkohë punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, ministrisë së Mbrojtjes dhe SHISH u ndalohet pjesëmarrja në parti politike dhe angazhimet në veprimtari politike.
Ndërkohë ashtu si disa ministra e tjerë teknike edhe ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, ka nxjerrë urdhrin që pezullon lejet e administratës për dikasterin e brendshëm dhe policisë së shtetit gjatë fushatës zgjedhore. Në fakt, disa sektorë të uniformave blu, kryesisht ato të rendit kanë kaluar prej disa ditësh në gatishmëri të përforcuar, pasi i janë caktuar detyra specifike për mbarëvajtjen e aktiviteteve të subjekteve politik gjatë fushatës zgjedhore.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
V E N D I M
PËR
MARRJEN E MASAVE DHE MONITORIMIN E VEPRIMTARISË, SJELLJES APO PËRDORIMIT TË BURIMEVE NJERËZORE, FINANCIARE DHE LOGJISTIKE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE, GJATË PROCESIT ZGJEDHOR PËR ZGJEDHJET NË KUVENDIN E SHQIPËRISË PËR VITIN 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, pika 7, 63, pika 4, 78, pika 5, e 88, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017, me qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.
2. Në kuptim të këtij vendimi:
– Administratë shtetërore është administrata nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, sipas nenit 1, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, ku përfshihen institucionet e përmendura në pikën 2, të nenit 4, të këtij ligji, ndaj të cilëve ky vendim do të zbatohet;
– Punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve zbatohet ky vendim, sipas statusit të tyre janë nëpunës civilë dhe punonjës administrativë, në përputhje me përkufizimet e dhëna në nenin 4, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe punonjës të tjerë civilë, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me Kodin e Punës;
– Funksionarë kabineti janë nëpunës të administratës, sipas përkufizimit të nenit 4, të ligjit nr.152/2013, ndaj të cilëve nuk zbatohet ky vendim;
– Punonjës policie, punonjës të shërbimit të jashtëm, të përmendur në nenin 3, të ligjit nr.152/2013, si dhe punonjës të tjerë, statusi i të cilëve ose elementë të tjerë rregullohen me ligje të posaçme, janë punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve, përveç dispozitave të përgjithshme të këtij vendimi, do të zbatohen edhe dispozitat e veçanta për secilën prej kategorive të përmendura, për çdo rast, në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë vendim.
3. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese, për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
4. Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
5. Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave funksionale si pjesë e shërbimit civil.
6. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdolloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
7. Nëpunësit civil, gjatë pjesëmarrjes në veprimtari, sipas pikës 4, të këtij vendimi, në kuptim të nenit 37, të ligjit nr.152/2013, të ndryshuar, i ndalohet:
a) të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor;
b) të manifestojë me pankarta, parrulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht;
c) të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike.
8. Punonjësit të Policisë së Shtetit i ndalohet:
– të jetë anëtar i një partie ose organizate politike;
– të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
9. Punonjësit të Gardës së Republikës i ndalohet:
– të sillet dhe të mbajë qëndrime që cenojnë natyrën e depolitizuar të Gardës;
– anëtarësimi e pjesëmarrja në veprimtari të partive a të shoqatave politike.
10. Punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit i ndalohet:
– të manifestojë sjellje dhe të mbajë qëndrime, që cenojnë natyrën e depolitizuar të institucionit;
– anëtarësimi dhe pjesëmarrja në veprimtaritë e partive apo të shoqatave politike;
– të bëjë propagandë në favor ose kundër partive, shoqatave politike ose kundër kandidatëve në zgjedhje.
11. Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura i ndalohet:
– të jetë anëtar i partive politike, i organizatave ose shoqatave me karakter politik;
– të marrë pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre.
12. Punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare a njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
13. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre të organizojnë menjëherë punën dhe të marrin masat e nevojshme për garantimin e zbatimit të detyrimeve ligjore, për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të veprimtarisë së tyre institucionale, mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, pronë e administratës shtetërore, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës shtetërore, të çdo niveli, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 25 qershor 2017.
14. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre të kontrollojnë në mënyrë periodike veprimtarinë e nëpunësve nën varësinë e tyre, me qëllim shmangien dhe parandalimin e nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
Për efekt të zbatimit të kësaj pike, përveç masave të tjera, titullarët janë të detyruar që të publikojnë të dhënat e tyre të kontaktit në faqen zyrtare të internetit, duke kërkuar denoncimin e çdo rasti të përfshirjes ose nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
15. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre verifikojnë dhe analizojnë të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me përdorimin e mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, si dhe mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë institucionale, gjatë periudhës përpara fillimit dhe gjatë fushatës zgjedhore, në funksion të evidentimit të përdorimit ose jo të tyre për qëllime elektorale.
16. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre marrin masa dhe realizojnë monitorimin e zbatimit të tyre, për të garantuar mospërdorimin e:
a) burimeve njerëzore të institucionit në funksion të veprimtarisë së fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje, në zbatim të nenit 14, të ligjit nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
b) fondeve të institucioneve për veprimtaritë e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje;
c) mjeteve dhe materialeve në inventar të institucionit për veprimtaritë e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje;
ç) zhvillimit të fushatës zgjedhore në institucionet publike apo realizimit të propagandës politike në to;
d) veprimtarisë shtetërore për të favorizuar subjekte të caktuara zgjedhore;
dh) detyruar, në fushatë zgjedhore, të administratës së institucionit brenda ose jashtë orarit të punës, si dhe të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda ose jashtë orarit mësimor.
17. Në zbatim të përcaktimeve të pikës 4, të nenit 63, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 37, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, titullarët e ministrive ose drejtuesit e institucioneve të varësisë marrin masa për pezullimin nga detyra të nëpunësve civilë të institucioneve të tyre, të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 25 qershor 2017. Për nëpunësit e tjerë, marrëdhënia e punës të të cilëve rregullohet nga Kodi i Punës, merren masa, sipas rastit, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës apo pezullimin nga detyra në rastet kur rezultojnë që janë regjistruar si kandidatë në listat e zgjedhjeve.
18. Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, automjetet si dhe karburanti, në përdorim të titullarit apo institucionit të administratës shtetërore, ndalohen të përdoren për veprimtari të fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara në zgjedhje.
Bën përjashtim nga ky ndalim përdorimi i automjeteve të Gardës së Republikës dhe të Policisë së Shtetit, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale.
Strukturat e Policisë së Shtetit, kur konstatojnë përdorimin e automjeteve shtetërore të institucioneve të pushtetit qendror e vendor për veprimtari të fushatës zgjedhore, të bëjnë bllokimin e tyre dhe, menjëherë, të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe titullarin e institucionit në përdorim të të cilit është automjeti. Automjeti të zhbllokohet pas ekzekutimit të masës së marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Në këtë rast, struktura e Policisë së Shtetit bën referim në organet kompetente për përdorimin e të mirave publike në favor të subjekteve zgjedhore.
19. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre marrin masa për të iniciuar procedura të reja prokurimi publik, koncesioni apo partneritet publik-privat, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në përfundimin e fushatës zgjedhore, me përjashtim të rastit të procedurave urgjente dhe të domosdoshme për funksionimin e institucionit, të cilat vlerësohen dhe miratohen rast pas rasti për të gjitha institucionet e varësisë nga ministri përgjegjës i fushës, pas miratimit paraprak nga Kryeministri.
20. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në zbatim të detyrimeve të tij për organizimin e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të marrë masa dhe t’i parashtrojë Kryeministrit mospërfshirjen në rendin e ditës të projektvendimeve në lidhje me koncesione, kontrata apo angazhime të tilla politike, ekonomike apo sociale që nuk vijnë në zbatim të programit analitik të çdo ministrie/institucioni, siç është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
21. Ministritë dhe institucionet e varësisë, me qëllim shmangien e keqpërdorimit dhe keqinterpretimit të aktiviteteve institucionale me fushatën elektorale, të publikojnë në faqen e tyre zyrtare:
a) deri në datën 5 qershor 2017, të dhënat për aktivitetet publike, të programuara për muajt qershor dhe korrik, që kanë lidhje me veprimtarinë e institucionit;
b) listën e projekteve të nisura prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh, në ushtrim të punës dhe veprimtarisë së institucionit, të cilat janë në proces përfundimi, si dhe të gjitha procedurat publike konkurruese të realizuara gjatë 12 (dymbëdhjetë) muajve të fundit.
22. Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë t’u krijojnë vëzhguesve dhe shoqatave të regjistruara në KQZ, si vëzhguese të procesit zgjedhor, akses të plotë për të marrë informacion në lidhje me detyrimet ligjore të administratës publike në procesin zgjedhor. Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë informojnë publikun në mënyrë të vijueshme për monitorimin e realizuar në kuadër të këtij vendimi.
23. Për koordinimin e procesit të monitorimit sipas këtij vendimi, krijohet Task – Forca që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:
– Ministrin e Punëve të Brendshme;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Financave;
– Ministrin e Arsimit dhe Sportit;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
– Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore;
– Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;
– Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave.
Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë:
– Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
– Avokati i Popullit;
– Një përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme;
– Një përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë, në raste kur Task-Forca e gjykon të nevojshme marrjen e asistencës teknike lidhur me çështje të procesit zgjedhor.
24. Task – Forca mbështetet nga një sekretariat teknik i përbërë, përkatësisht, nga një nëpunës i Kabinetit të Kryeministrit, Kabinetit të Zëvendëskryeministrit, aparatit të Këshillit të Ministrave. Çdo institucion i përfaqësuar me anëtarë në përbërje të Task-Forcës cakton një punonjës kontakti që asiston sekretariatin teknik gjatë veprimtarisë së tij. Sekretariati teknik përpunon të gjithë informacionin e mbledhur dhe ia referon Task-Forcës.
25. Task-Forca mblidhet me njoftim nga kryetari periodikisht të paktën një herë në javë ose sa herë që vlerësohet e nevojshme prej tij ose të paktën prej 2 anëtarëve. Në mbledhjet e saj Task-Forca, sipas rastit, cakton detyra më të detajuara për secilin anëtar, si dhe, nëse e konsideron të nevojshme, miraton një plan veprimi apo masash për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në këtë vendim.
Çdo institucion shtetëror dhe institucion i pavarur, pjesë e Task-Forcës, raporton me shkrim periodikisht lidhur me zbatimin e masave e të detyrave të ngarkuara, si dhe për problematikat e hasura gjatë procesit të monitorimit sipas këtij vendimi.
26. Ngarkohen Policia e Shtetit dhe/ose Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave t’i raportojnë me shkrim Task-Forcës çdo rast kur konstatojnë përdorim në procesin zgjedhor të mjeteve financiare të krijuara nga veprimtari të paligjshme.
27. Task-Forca, brenda sferës së veprimtarisë së vet, kur e gjykon të nevojshme, mund t’i kërkojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve informacion me shkrim për veprimtari në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, për të cilat ky i fundit merr dijeni nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.
28. Task-Forca, nëpërmjet zyrës së shtypit të Kryeministrit, komunikon me publikun për çështjet e shqyrtuara dhe masat e marra.
29. Task-Forca të ushtrojë funksionet dhe të përmbushë detyrat e sipërpërmendura deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
30. Titullarët e ministrive urdhërojnë ngritjen e grupeve të monitorimit/inspektimit për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi dhe në funksion të informimit të Task-Forcës, duke përcaktuar edhe detyrat konkrete dhe veprimtarinë që do të mbikëqyrin këto grupe.
31. Task-Forca, në bashkëpunim me titullarët e ministrive dhe grupet e monitorimit, të përmbushë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Monitorimin e sjelljes dhe veprimtarisë së administratës shtetërore sipas këtij vendimi;
b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor si dhe duke mos lejuar kryerjen e veprimeve dhe/ose dhënien e premtimeve, favoreve apo moscenimin e të drejtave të shtetasve, si mekanizëm për favorizimin apo dhënien e votës një subjekti të caktuar politik;
c) Monitorimin e procesit zgjedhor me qëllim konstatimin dhe raportimin e përdorimit gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të mjeteve financiare nga burime të paligjshme apo të krijuara nga veprimtari të paligjshme;
ç) Monitorimin e procesit zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore, përfshirë personat e burgosur, dhe marrjen e masave për ndëshkimin e atyre zyrtarëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Pjesë e kësaj detyre është edhe monitorimi i lëvizjes së nëpunësve të lartë dhe të mesëm shtetërorë në qendër dhe qarqe apo bashki gjatë procesit zgjedhor;
d) Monitorimin e përditësimit dhe ndjekjen e problematikave me listat e zgjedhësve;
dh) Monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor;
e) Monitorimin e përditësimit të akteve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
ë) Njoftimin apo kryerjen e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e veprave penale në fushën zgjedhore;
f) Njoftimin e Avokatit të Popullit kur merr apo vihet në dijeni për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor;
g) Njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur merr dijeni apo vihet në dijeni për problematika të procesit zgjedhor;
gj) Bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me Policinë e Shtetit në funksion të marrjes së masave të menjëhershme në përputhje me ligjin kur konstatohen raste të sjelljeve apo veprimtarive të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor;
h) Çdo detyrë tjetër në funksion të monitorimit të zbatimit të këtij vendimi.
32. Moszbatimi i rregullave dhe detyrimeve të parashikuara në këtë vendim passjell përgjegjësi disiplinore dhe ligjore, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
33. Urdhri nr.65, datë 12.5.2017, i Kryeministrit, “Për marrjen e masave për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme, pronë e administratës publike, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike të çdo niveli për zgjedhjet e Kuvendit të datës 18 qershor 2017”, shfuqizohet.
34. Ngarkohen anëtarët e Task-Forcës, ministrat, titullarët e institucioneve të administratës shtetërore, Departamenti i Administratës Publike dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA