TIRANË- Nesër ligji për dekriminalizimin do të votohet në Parlament. Është dakordësuar votimi në Parlament për këtë ligj që kërkon edhe ndryshime Kushtetuese. Ulsi Manja, deputet i PS, njëherësh anëtar i Komisionit të Posaçëm për dekriminalizimin ka deklaruar nga studioja e Report Tv se nesër është dita vendimtare e votimit të këtij ligji. Ai tha se do t’i kërkohet Nishanit ta dekretojë menjëherë ligjin në mënyrë që të nisë sa më shpejt zbatimi i tij.
Por cilët janë deputetët dhe funksionarët e tjerë që rrezikojnë të lënë detyrën. Sipas tij janë parashikuar mbi 70 vepra penale për të cilat kërkohet lënia e mandatit. Përjashtohen ata që kanë marrë pafajësinë në gjykatë, tha ai.
Me votimin e nesërm shënohet edhe hera e parë e unifikimit të votës mazhorancë-opozitë që prej dy vitesh kur të majtët erdhën në pushtet.