Teksa qëndronte në Slloveni në kuadër të një vizite zyrtare, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski foli për agjencinë e lajmeve Reuters, ku u shpreh se një ndryshim i mundshëm i kufirit Kosovë- Serbi do të shkaktonte konflikt të armatosur.
Kur iu kërkua që të komentojë mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, ide e përfolur prej disa kohësh, Pendarovski, u shpreh kundër çdo ndryshimi të kufijve në rajon.
“Kufijtë duhet të mbesin aty ku janë tani” theksoi ai.
Më tej, ai shtoi se çdo opsion tjetër mund të krijojë efekt domino, që mund të lëndojë disa vende në rajon, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut tha gjithashtu se pret që vendi i tij të bëhet anëtar i NATO-s deri në fund të këtij viti, ndërsa tha se shpreson se do të marrë edhe datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE në muajin Tetor.
“Presim që Bashkimi Evropian do të pranojë në Tetor vendimin e saj për datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE”, përfundoi ai./Opinion.al